Dëshmia e italianit: “400 mijë euro m’i vodhi ish-ortaku im”
VLORË - Italiani Francesco Di Cossola, i cili ka depozituar në policinë e Vlorës një kallëzim për vjedhjen prej 400 mijë eurosh të ndodhur në banesën e tij, ka përcaktuar edhe të dyshuarin kryesor për këtë vjedhje. Policia ka tashmë emrin e të dyshuarit, gjithsesi gjithçka do t’i nënshtrohet verifikimeve. Për shkak të hetimeve, autoritetet policore vendore nuk i bëjnë të ditur emrat e personave që janë akuzuar nga Di Cossola, por thuhet se janë shpallur në kërkim dy shtetas, njëri prej të cilëve është italian. Ajo që bëhet e ditur nga burime konfidenciale nga policia është fakti se i dyshuari kryesor për grabitjen e 400 mijë eurove është një bashkëkombës i Di Cossolës, me të cilin madje jetonin fare pranë. Për të realizuar këtë vjedhje, autori dyshohet të jetë ndihmuar edhe nga një shtetase shqiptare. Francesco Di Cossola është biznesmen i njohur në Vlorë, kjo edhe për faktin se është pronari i ligjshëm i Don Caffesë. Lidhur me sasinë prej 750 mijë eurosh që gjendej në banesën e tij në një valixhe, brenda së cilës pas vjedhjes gjeti vetëm 350 mijë euro, ai i ka deklaruar policisë se ka shitur një biznes. “Kam shitur biznesin tjetër, jo atë të kafesë”, - ka thënë Di Cossola për blutë dhe mësohet të ketë vënë në dispozicion edhe dokumentacionin përkatës, i cili po verifikohet. “Paratë nuk i depozitova në bankë nga frika e falimentit që rrezikojnë këtë periudhë bankat”, – ka thënë ai. Katër ditë më parë ka ndodhur vjedhja në qytetin e Vlorës dhe pasi pronari i Don Caffe, Cossola, ka konstatuar se shuma e eurove nuk ndodhej në banesën e tij, ka bërë denoncimin në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, e cila po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Apeli rikthen në qeli 50-vjeçarin për vjedhjen e benzit
FIER - Gjykata e Shkallës së Parë e lë në arrest shtëpie, Apeli e kthen në qeli. Policia e Fierit ka vënë në pranga shtetasin Dilaver Çobaj, 50 vjeç, banor i njërës prej lagjeve të qytetit Patos. Ky person është akuzuar se është autori i vjedhjes së një automjeti tip “Benz”, me targa TR 1513 E, pronë e M. M. Ky automjet është vjedhur në datën 29 tetor të vitit 2008, në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit. Pas daljes për vlerësimin e masës së sigurisë, Gjykata e Fierit e ka lënë në “arrest shtëpie” 50-vjeçarin Çobaj, por ky vendim është apeluar nga prokuroria e këtij rrethi. Gjykata e Apelit Vlorë, pasi e shqyrtoi çështjen vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarin. Pas dhënies së vendimit, policia kreu edhe ekzekutimin e tij.
Shqipëri-Mali i Zi, masa të përbashkëta për kontrollin e kufirit
SHKODËR- Një marrëveshje bashkëpunimi mbi kontrollin e përbashkët të kufirit Shqipëri- Mali i Zi, e firmosur rreth një vit më parë mes dy palëve, është vënë në zbatim gjatë së enjtes. Përfaqësues të Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit të vendit tonë dhe homologët e tyre malazezë kanë zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës për të diskutuar mbi pikat e përbashkëta që kanë marrë përsipër dy palët. Përmes një ceremonie, përfaqësuesit e dy drejtorive, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal, kanë përshëndetur uniformat blu të dy vendeve. Në fjalën e tij përshëndetëse, prefekti i qarkut të Shkodrës ka theksuar se ky projekt synon luftën ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kufitare të Malit të Zi, Vesko Vukadinoviç, theksoi se kjo marrëveshje bashkëpunimi, e cila po vihet në zbatim, synon afrimin e dy vendeve drejt Bashkimit Europian. “Kjo është një ditë e madhe për mua”, - ka theksuar Vukadinoviç. “Ne tani kemi nisur të vëmë në zbatim marrëveshjen e firmosur në shkurt të vitit 2008 në Konferencën Ndërministrore në Budva të Malit të Zi”. Nga ky pakt bashkëpunimi presim shumë edhe pse puna nuk do të jetë e lehtë që të vihet në zbatim, por me bashkëpunimin e mirë të të dyja palëve mendoj se kjo do të arrihet. Kjo është një nga iniciativat që synon afrimin e dy vendeve drejt aspiratës së përbashkët të rrugës për në BE, - ka theksuar ndër të tjera kreu i Policisë Kufitare të Malit të Zi, Vukadinoviç. Më pas, ceremonia vazhdoi me një patrullim të përbashkët shqiptaro-malazez përgjatë vijës së kufirit ujor.
16 Janar 2009