E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ju kemi dhënë 60 milionë, donatorët gjejini vetë”

Pas ankimit të organizatorëve të festivalit të teatrove “Butrint 2008”, disa ditë më parë, me një letër të bërë publike në media, drejtuar Ministrisë së Kulturës, dje kjo e fundit 

ka reaguar ndaj saj. Këtë vit organizohet edicioni i nëntë i Festivalit, i cili parashikohet të zhvillohet në datat 17–24 korrik. Letra e nënshkruar nga emra të ndryshëm të artit skenik është drejtuar veç ministrit të Kulturës, edhe në zyrën e Kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit. “Si në çdo edicion, kërkohet një angazhim e përkushtim maksimal nga organizatorët, të cilët kanë kohë që kanë filluar përgatitjet dhe tashmë programi i Festivalit është i përfunduar së bashku me kontratat e shfaqjeve. Por ne, si miq dhe dashamirës të festivalit, me shqetësim po vëmë re se mbështetja nga shteti shqiptar në këtë vit është e pamjaftueshme dhe përbën në shifra absolute vetëm gjysmën e shumës së edicionit të parë. Në këto kushte Festivali ka nevojë të ngutshme angazhimin tuaj zyrtar në lidhje me mbështetjen që MTKRS duhet t’i akordojë atij, pasi koha është në limitet e saj, duke vënë pikëpyetje zhvillimin e tij”, shkruhet në letrën drejtuar nga organizatorët e festivalit Ministrisë së Kulturës. Ndërkohë, në njoftimin e Ministrisë dhënë dje për median shkruhet se Këshilli i Kulturës në mbledhjen e datës 29 shkurt të këtij viti, pasi shqyrtoi me imtësi projektin e paraqitur nga organizatorët në MTKRS, vendosi në unanimitet që edicioni i këtij viti “Butrint 2000”, të mbështetej me vlerën 6 milion lekë, shumë kjo e krahasueshme me buxhetin vjetor për projekte të disa institucioneve në varësi të ministrisë. Sipërmarrja teatrore nuk duhet të mbështetet vetëm tek shteti, sidomos iniciativa që kanë pasur mundësinë për t’u rritur në përmasa dhe potenciale nga subvencioni shtetëror i përsëritur ndër vite. Një nga kriteret e vendosura në Këshilli i Kulturës ka qenë nxitja e organizatorëve për të gjetur forma alternative sponsorizimi dhe fund raising, si nga sektori privat ashtu dhe nga institucione të ndryshme ndërkombëtare”, shkruhet më tej në këtë njoftim të firmosur nga emra të njohur të artrit, si shkrimtarët Fatos Kongoli, Agron Tufa, Parid Teferiçi, piktori Ali Oseku, kompozitori Hajg Zaharian, violinçelisti Kujtim Vorpsi, Balet Maestër, Albert Janku si dhe eksperti i Këshillit të Evropës, Olsi Dekovi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›