E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxhozi tregon “Borën e zezë” të vitit 1941

Libri më i ri i publicistit dhe shkrimtarit Ymer Minxhozi 

Neshat Tozaj

 “Borë e zezë” është një dëshmi tjetër e rritjes së krijimtarisë së tij artistike. Një botim që shquhet për problematikë të gjerë dhe aktuale, si edhe për humor dhe satirë të zgjedhur. Ymer Minxhozi, në tematikën që ngërthen, duket se nuk ka çështje të tij private. Në temat që trajton ndjehet rrahja e zemrës së qytetarit që e do vendin e tij. Interesat politike të prekura nga Minxhozi kanë të bëjnë me mbajtjen e fjalës në politikë, ai ngrihet kundër demagogjisë që derdhet si lumë nga tribunat. Ai është një krijues që mban pozitën e qytetarit, i cili i njeh dhe i kupton mirë marifetet e politikanëve të pandershëm, pompozë e dredharakë, të politikanëve që flasin në emër të popullit, ndërsa punojnë vetëm për karriget e veta. Autori dëshiron që edhe populli t’i njohë mirë ata dhe të ndërgjegjësohet e të krijojë mekanizmin e vetëmbrojtjes kundër mashtruesve.
* * *
Libri “Borë e zezë” ndahet në tre pjesë, tregime, skica satirike dhe pamflete. Të gjitha ato lexohen me shumë interes dhe çdonjëri prej tyre e prezanton autorin si një tregimtar me kualifikim të lartë. Nga lartësia e jetës së tij, e kulturës dhe e përvojës së gjatë jetësore në faqet e shtypit, tregimet dhe skicat e tij rrëzëllejnë. Aty ka mjeshtëri artistike në zhvillimin e fabulës, në gjetjen e figuracionit, në idetë dhe në zgjidhjet që, ose jepen, ose nënkuptohen. Edhe ky botim (është libri i njëzetë i autorit), shquhet për larmi temash e fabulash dhe para lexuesit dalin situata e zgjidhje të papritura e befasuese. Minxhozi është mjeshtër i prozës së shkurtër, pak fjalë e shumë mendim. Kjo vjen sepse ai, si pak krijues të tjerë, prej një kohe të gjatë kultivon aforizmin satirik, mendimin e sintetizuar. Në tregimin “Borë e zezë” që i jep edhe titullin gjithë librit, të bën përshtypje sesi lidhen në mënyrë të natyrshme dy ngjarje: rënia e një bore të zezë në dimrin e vitit 1941, e ardhur nga shpërthimi i një vullkani matanë detit e që tërheq vëmendjen e fshatarëve dhe tjetra “borë e zezë” që ka mbuluar gjithë vendin e pushtuar nga fashistët këmishëzinj, që gjithashtu vijnë në kolona pa mbarim, po nga përtej detit. Autori e përshkruan bukur vendin ku bashkëfshatarët e tij mblidhen mbrëmjeve e kuvendojnë për ngjarjet e mëdha e të vogla, ashtu siç e gjykonin ata situatën, në kushtet kur u mungonin thuajse krejtësisht burimet e informacionit. Ky vend takimesh është “Kepi i zi”, aty në fund të arës, ashtu siç janë edhe vende të tjera takimesh në hijen e lisave të moçëm. Ky tregim dhe “Nata më e gjatë” plotësojnë njëri-tjetrin, ato janë plot jetë e kulturë, ato tregojnë jo vetëm artin e përshkrimit të autorit, por edhe faktin se ai e do me shpirt vendlindjen dhe bashkëfshatarët e tij. Në tregimin “Nata më e gjatë”, një ngjarje reale e jetuar prej autorit, ndjehet dramaticiteti i situatës dhe ke përshtypjen se edhe ti, si lexues, po përjeton ankthin e asaj nate. Në fund të tregimit ndeshemi përsëri me “borën e zezë”, por tashmë ajo ka një natyrë tjetër: tani “bora” bie në formën e ashklave të ndezura që lëshojnë shtëllungat e tymit të shtëpisë që po digjet, asaj i kanë vënë zjarrin milicët, mercenarë të okupatorit.
* * *
Numri më i madh i tregimeve, skicave dhe pamfleteve, të shkruara me mprehtësi e plot sarkazëm, trajtojnë probleme të periudhës së tranzicionit, të vështruara nën prizmin e humorit e satirës. Ndonëse autori e përdor gjerësisht groteskun, të gjitha ngjarjet dhe situatat e përshkruara tingëllojnë aktuale e të vërteta, ato ta ngacmojnë mendimin dhe shumë personazhe ke përshtypjen se i has çdo ditë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se jo pak pjesëtarë të shoqërisë tonë, thjesht për arsye interesi, duke dashur të përfitojnë nga kthesa e madhe, e kanë bërë modë tjetërsimin dhe dyfytyrësinë. Kjo shpesh merr përmasa qesharake e pse jo edhe të rrezikshme. Dikush e paraqet veten të persekutuar “sepse e graduan me vonesë”, dikush gërmon në biografinë e farefisit e të krushqive për të nxjerrë prej andej ndonjë kundërshtar të hershëm të komunizmit, dikush tjetër pretendon se ka prejardhje beu e agai. Ka dhe prej atyre qe përpiqen të “adoptojnë” ndonjë të burgosur të periudhës së diktaturës në rrethin e tyre familjar, në që mënyrë të rregullojnë biografinë, “në përputhje me kohën”, sepse “edhe neve, si mesatare na takon të kemi një të dënuar” (Qullosja e biografisë). Nuk do të doja të ndalem për të analizuar satirat dhe pamfletet, ku Ymer Minxhozi është në “ujërat e vjetra”, është një mjeshtër në të konceptuarit e tyre, në gjetjet, në kurajën qytetare që buron nga mospajtimi i tij me gënjeshtrën, hipokrizinë, mashtrimin politik. Në tregimet, satirat, pamfletet e Ymer Minxhozit ka situata komike të krijuara me realizëm, ka batuta me humor të kulturuar, të dorës së parë dhe e qeshura vjen natyrshëm, pa qenë nevoja të çirresh. Unë do të sugjeroja atyre që do të donin t’i largoheshin sadopak humorit vulgar, të blinin të drejtat audiovizuale të librit “Bora e zezë” të Ymer Minxhozit dhe regjisorët do të nxirrnin shfaqje spektaklesh të mrekullueshme prej tij. Në këtë rast aktorët kanë ç’të bëjnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›