Amerikanët, hetim paralel për Trebickën
Vdekja e Trebickës, dëshmiazbehet në proces gjyqësor
TIRANË- Kosta Trebicka i rrëfeu botës të vërtetën që dinte: historinë e errët të korrupsionit të armëve, të ngërthyer prej emra trafikantësh e zyrtarësh që fitonin miliona me municionet shqiptare të post-komunizmit. Ndaj edhe vdekja e tij misterioze nuk preku vetëm familjarët, por edhe botën që e dëgjoi dëshminë e tij, e mbi të gjitha sistemin tonë të drejtësisë. Pa dëshmitarin kyç të aferës 300 milionë dollarëshe të armëve drejt Afganistanit, rrëfimi në letër i Kosta Trebickës zbehet de-jure si provë para gjykatës, në një proces të pritshëm jo vetëm nga shqiptarët. Pa Kosta Trebickën, njeriun që denoncoi trafikun e municioneve drejt Afganistanit si njëri prej atyre që kishte qenë brenda “sistemit”, zbehet ligjërisht i gjithë procesi gjyqësor.
***
Gjyqtarë të njohur i thanë mbrëmë “Shekullit” se rrëfimi i Kosta Trebickës në Prokurorinë e Përgjithshme e humbet forcën e të qënit dëshmi kryesore, në kushtet kur nuk është bërë sigurimi i provës para gjykatës. Në fakt, Trebicka ka dëshmuar vetëm në prokurori për paketimin e municioneve kineze, për t’iu shitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për futjen në lojë të Henri Tomeit, personit që vëzhgohej nga Departamenti i Shtetit, e megjithatë ia arriti të nënshkruante kontratën e blerjes së municioneve me qeverinë shqiptare, për presionet që i ishin bërë Efraim Diverolit në një takim të fshehtë, ku merrte pjesë një zyrtar shqiptar që prezantoi një tjetër person si djalin e kryeministrit, për detaje të tjera, që kanë lidhje me tregtinë e armëve. “ Në rastet kur dëshmitari kryesor është zhdukur apo vdekur, atëherë dëshmia e tij, e dhënë për prokurorinë mund të lexohet në gjyq, por vetëm me të nuk mund të dënohen personat e akuzuar. Në këtë rast, rrëfimi i Kosta Trebickës në prokurori mund të konsiderohet si “lexim i lejueshëm” para gjykatës, por duhet të shoqërohet medoemos me dëshmi apo prova të tjera mbi çështjen”,-bënë me dije gjyqtarët.
***
Afera e trafikut të fishekëve drejt Afganistanit, e nxjerrë në dritë të diellit nga Kosta Trebicka po hetohet paralelisht me tragjedinë e Gërdecit nga Prokuroria e Përgjithshme. Megjithëse konsiderohen si çështje të ndryshme, personat e implikuar në të janë të njëjtët, ndaj edhe Trebicka ishte njëherazi edhe një dëshmitar shumë i rëndësishëm për tragjedinë e Gërdecit. Por megjithë këto cilësi, ai nuk u mor në mbrojtje nga Prokuroria dhe Policia, ndërsa vdekja e tij ende e pasqaruar pritet ta vërë në pozitë të vështirë hetimin për trafikun e armëve në vendin tonë, ku deri më tani nuk është ngritur akuzë për asnjërin prej personazheve të denoncuara prej Trebickës. Krejt ndryshe ka vajtur procesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përgjegjësi kryesor për këtë mashtrim, Efraim Diveroli është vënë nën akuzë, ndërsa Senati po heton autoritetet shtetërore që miratuan kontratën. a.bogdani
Emrat e përmendur nga Kosta
Trebicka, për trafikun e armëve
Efraim Diveroli, president i AEY
Aleksandër Podroski, përfaqësues i AEY në Tiranë
Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s
Mihal Delijorgji, president i “Albademil”, tashmë në burg
Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes
Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------Ekspertët e Ambasadës Amerikane kryejnë hetim paralel për vdekjen e Kosta Trebickës. Marrin një kopje të dëshmive
Trebicka, filmimet e autopsisë në dosjen e ekspertëve të SHBA
Xhon Baka
KORÇË- Ekspertët e Ambasadës Amerikane po hetojnë paralelisht me autoritetet shqiptare çdo detaj që lidhet me vdekjen e Kosta Trebickës. Përveç matjeve dhe ekspertizës që i kanë bërë vendit të ngjarjes, apo marrjes së dëshmive në hotelin ku Trebicka ka kaluar natën e fundit, ata kanë instaluar një kamera në morgun e Korçës, me anën e së cilës kanë regjistruar gjithë procesin e autopsisë. Më shumë se 20 orë filmime janë bërë tashmë pjesë e dosjes së përfaqësuesve të SHBA-së, të cilët janë angazhuar me hetimin e vdekjes së Kosta Trebiskës në fshatin Lekas të zonës së Voskopojës, gjatë pasdites së të premtes. Përfaqësuesit amerikanë kanë monitoruar çdo moment të autopsisë mjeko-ligjore të Kosta Trebickës. Lajmi është konfirmuar për “Shekullin” nga burime të mirinformuara pranë këtij morgu, ndërsa kamera të posaçme janë instaluar që para se të mbërrinte aty trupi i pajetë i biznesmenit Trebicka.
***
Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se kamerat e instaluara në morgun e spitalit të Korçës kanë filmuar gjithçka, duke nisur nga hyrja në të e trupit të të ndjerit, ardhja e ekspertëve të shumtë dhe prokurorëve të çështjes, por dhe të afërmve të familjes, si dhe të gjitha bisedat e kryera aty, gjatë këtyre orëve. Në fakt, e vetmja e afërme brenda në morg ka qenë kunata e të ndjerit, e cila ka vëzhguar nga afër autopsinë, ndërkohë që i gjithë materiali filmik prej më shumë se 20 orësh është marrë nga ekspertët amerikanë që kanë asistuar edhe në këqyrjen e vendit tëngjarjes, por edhe të dhomës të biznesmenit në Voskopojë. Duket se shteti amerikan ka treguar interes të veçantë për këtë ngjarje tragjike, në të cilën ka humbur jetën biznesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka, njëri prej dëshmitarëve kryesorë të trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Dy përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane të cilët kanë qëdruar për gati 24 orë në Korçë kanë asistuar në këqyrjen e vendittë ngjarjes në zonën e Lekasit.
***
Puna e ekspertëve amerikanë nuk është ndalur këtu, pasi dy përfaqësuesit kanë këqyrur dhomën ku ka kaluar natën e fundit të jetëssë tij viktima. Përfaqësuesit e SHBA në hetimin e vdekjes tragjike dhe misterioze të Kosta Trebickës i kanë kërkuar policisë shqiptare në Korçë dhe organit të akuzës një dosje me të gjitha dokumentet dhe provat e grumbulluara për këtë çështje, teksa janë larguar nga ky qytet me një dosje voluminoze, kopjen e të cilës e kanë marrë nga organet hetimore. Përfaqësuesit amerikanë të cilët kanë kontaktuar në një takim të posaçëm edhe me kryeprokuroren e përgjithshme, Ina Rama, kanë diskutuar rreth kësaj ngjarjeje, por duke mos shprehur asnjë koment apo konkluzion të tyre. Madje, ekspertët e SHBA-së kanë vizituar vetëm për disa çaste morgun e spitalit të Korçës, ku gjendej dhe kufoma e Trebickës dhe vetëm pas largimit të tyre është dhënë miratimi për dorëzimin e trupittë viktimës familjarëve të të ndjerit. Mësohet duke iu referuar burimeve nga policia e Korcës se ekspertët në fjalë kanë marrë kasetat filmike me atë se çfarë ka ndodhur gjatë autopsisë dhe gjithçka tjetër gjatë ekspertizës mjeko-ligjore dhe këqyrjes së kufomës, ndërkohë që gjithashtu kanë tashmë në dorë dhe një dosje që iu është vënë në dispozicion nga policia me metariale të nevojshme të të gjithë procesit që nga momenti i zbulimit të kufomës dhe veprimet e kryera nga ana e policisë.