Lamtumira e fundit për dëshmitarin e Gërdecit
Kosta Trebicka përcillet për në varrezat e Tufinës, mes dhimbjes dhe lotëve. E motra: La pas shumë dhimbje
TIRANË- Përcillet për në banesën e fundit biznesmeni shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, trupi i pajetë i 50-vjeçarit Trebicka është përcjellë për në varrezat e Tufinës. Ai do të prehet pranë varrezave të familjarëve të tij, në varrin që i ndjeri e kishte mbajtur rezervë.Ceremonia mortore e biznesmenit, i cili gjeti vdekjen në rrethana misterioze në fshatin Lekas të Voskopojës nisi në banesën e tij në Sauk të Tiranës për të përfunduar në varrezat e Tufinës. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit 50-vjeçarit Trebicka morën pjesë të afërm, miq,politikanë, e njerëz të thjeshtë. Arkivoli me trupin e Trebickës doli nga banesa në orën 15:00 ndërsa e mbanin miq të tij duke përshkruar rrugën më këmbë rreth 200 metra larg banesës. Më pas, automjeti i funeraleve me trupin e biznesmenit udhëtoi drejt varrezave të Tufinës, ku do të prehet Kosta Trebicka.
Varrimi
Pas rreth 20 minutash kortezhi i gjatë që shoqëronte trupin e pa jetë të biznesmenit Kosta Trebicka mbërriti në varrezat e Tufinës. Në ceremoninë mortore mbajti një fjalim prifti për jetën e biznesmenit. Më pas një fjalim i shkurtër u dëgjua edhe nga motra e të ndjerit Kosta Trebicka. “Kisha një vëlla të sinqertë që e donin të gjithë dhe që na la pas shumë dhimbje”, -tha në fjalimin e saj motra e biznesmenit. Ajo mbërriti të shtunën nga Amerika, një ditë pasi vëllai i saj u gjet i pa jetë në fshatin Lekas të Viskopojës ku kishte shkuar për gjueti. Ajo u lajmërua fill pas vdekjes së Trebickës dhe mbërriti në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait të saj, ndërsa pak para varrimit të biznesmenit ajo tha pak fjalë për jetën e Trebickës.
Politikanët
Për ngushëllim në familjen e biznesmenit Kosta Trebicka shkuan disa politikanë, mes tyre edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Pasi vizitoi familjarët e Trebickës, Nishani premtoi sërish një hetim të hollësishëm për vdekjen e biznesmenit. Në banesën e Kosta Trebickës mbërriti dje edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Shpëtim Idrizi. Për të ngushëlluar familjen e biznesmenit në banesën e tij mbërriti edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta si dhe Kastriot Islami. “Asnjë shqiptar nuk beson që ky është thjesht një aksident”, -tha Kastriot Islami para mediave, pasi ngushëlloi familjarët e Trebickës.
Bujar Nishani
“Do të këtë një hetim të zgjeruar dhe të hollësishëm mbi çdo detaj, mbi çdo akt mbi çdo veprim. Një ekip i madh i drejtuar nga prokurori i rrethit të Korçës po drejton punën e gjithë ekspertëve, më të mirë që ka pasur dhe ka policia e shtetit, dhe gjithë organet e specializuara”.
Ilir Meta
“Berisha, ti dhe qeverisja jote krijuat tragjedinë e Gërdecit. Tragjedinë e jetëve të shkrira nën nxehtësinë e tritolit, por edhe tragjedinë e territ të korrupsionit që ndezi atë. Ti dhe qeverisja jote e quajtët mafioz qytetarin Kosta Trebicka vetëm që denoncoi aferën e pistë që të dhembi aq shumë”.
Kastriot Islami
Ndoshta këto ditë mund të ketë shumë alibi mund të ketë shumë dyshime. Por një gjë është e vërtetë, që është eliminuar dhe zhdukur njëri nga denoncuesit kryesorë, të një prej ngjarjeve më tragjike, për Shqipërinë e këtyre viteve të fundit. Natyrisht do të kërkojmë dhe do të vazhdojmë, të nxisim hetimet dhe kërkimin e drejtësisë, por nga këto ditë kam vënë re që asnjë shqiptar nuk beson që ky është thjesht një aksident.
--------------------------------------------------------------------------------------------------------Ish-kreu i SHISH-it pohon se viktima dukej se ishte vënë qëllimisht ashtu
Klosi: Pozicioni i trupit dhe makinës, jo aksident
TIRANË- Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, ka pohuar dje për mediat se pozicionimi i trupit të Kosta Trebickës dhe i makinës tregojnë se nuk kemi të bëjmë me një aksident. I këtij mendimi është ish- eksperti dhe kreu i SHISH, Fatos Klosi, i cili thekson se detyrimisht Trebicka duhej të ishte marrë në mbrojtje nga drejtësia shqiptare pas dëshmisë së tij. Fatos Klosi, përveçse ish- shef i shërbimeve sekrete shqiptare, ka shërbyer për shkak të profesionit të tij të fizikantit për shume vite edhe si ndihmës në ekspertizat e aksidenteve. Për zotin Klosi, mundësia që Kosta Trebicka të ketë humbur jetën si pasojë e një aksidenti është thuajse e pamundur. “Madje, konstelacioni i vendosjes së mjetit dhe trupit duket sikur është vënë qëllimisht ashtu”,-ka pohuar dje Fatos Klosi. Të njëjtin dyshim kanë shprehur dje për “Shekullin” edhe shumë ekspertë të tjerë policie, të cilët komentojnë se largësia e trupit me makinën, çiftja e gjuetisë, fare pranë trupit dhe pozicioni i makinës të bëjnë të mendosh se përfundimi i policisë për vdekje aksidentale është i gabuar. Ndërkaq, hetimet janë fokusuar në makinën e Kosta Trebickës, e cila mendohet se është çelësi për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.