E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët marrin dosjen “Gërdeci”

• Ekspertët e Byrosë amerikane të Hetimit ATF, “sekuestrojnë” dosjen e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe procesverbalet e përpiluara nga policia dhe Prokuroria shqiptare, në vendin ku ndodhi shpërthimi, në Gërdec.

Dashamir Biçaku

 Dorëzimi tek pala amerikane i dokumenteve dhe procesverbaleve të këqyrjes së vendit të ngjarjes, të realizuara nga ekspertët shqiptarë në Gërdec, është konfirmuar për gazetën “Panorama”, nga burime të policisë së Tiranës. Të njëjtat burime thanë se, aktet janë tërhequr nga grupi i specialistëve të Byrosë së Hetimeve Kundër Zjarrit, Duhanit, Alkoolit dhe Armëve (ATF). Agjentët e kësaj njësie mbërritën në Shqipëri javën e kaluar për të dhënë ndihmën e tyre në hetimin dhe zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë së Gërdecit. Veprimet e para që kanë kryer agjentët amerikanë të specializuar në hetimin e shpërthimeve, kanë qenë vëzhgimi i terrenit në zonën e shpërthimit. Ata kanë këqyrur thuajse të gjithë zonën, ku më parë ndodhej ish-reparti i tankeve i përshtatur si fabrikë e çmontimit për municione luftarake. Grupi i ekspertëve amerikanë, për të pasur informacion dhe të dhëna sa më të sakta e të plota ka kërkuar të njihet edhe me aktet e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Në dispozicion të hetuesve dhe specialistëve amerikanë të ATF-së, janë vënë të gjitha dokumentet e mbajtura gjatë veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga ekspertët shqiptarë në vendin e ngjarjes.
Dosja tek amerikanët
Agjentët amerikanë, të cilët mbërritën në Shqipëri më tepër se 20 ditë pas shpërthimit mësohet se kanë kërkuar aktet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, me qëllimin për t’u informuar rreth provave të gjetura aty më parë. Duke pasur dijeni edhe për këto prova amerikanët pritet të krijojnë një tablo më të qartë dhe më të plotë mbi vendin e ngjarjes dhe mekanizmin e shpërthimit. Në aktet e hartuara nga policia shqiptare, si zona ku ndodhën shpërthimet e para është përcaktuar pjesa pranë hyrjes së ish-fabrikës së çmontimit të predhave dhe municioneve luftarake. Shumë prej punëtorëve kanë pohuar se, shpërthimi ka ardhur nga drejtimi i hyrjes së fabrikës, ku kanë qenë një pjesë e mirë e predhave dhe e municioneve luftarake të kalibrit të rëndë të pashpërthyer, si dhe depozitat e barutit. Specialistët dhe ekspertët shqiptarë të municioneve, kanë përcaktuar edhe një skemë ku më parë ka qenë vendosur reparti, shpërndarja e municioneve dhe ajo e barutit. Të gjitha këto, si dhe veprime të tjera të kryera në vendin e ngjarjes janë vënë në dispozicion ekspertëve amerikanë të ATF-së. Veprimeve të ekspertëve shqiptarë, ata pritet t’iu shtojnë edhe përllogaritjet që pritet të kryejnë vetë amerikanët. Pasi kanë marrë dokumentet hetimore nga policia dhe Prokuroria shqiptare amerikanët mësohet se po punojnë me to vetëm në praninë e përkthyesve, me qëllim që të jenë sa më të pavarur në përfundimet që arrijnë. Sipas burimeve policore, ekspertët amerikanë kanë kryer matje të thuajse të gjithë territorit ku ndodhi tragjedia, ndërsa kanë marrë mostra të municioneve të gjetura aty pas shpërthimit.

6 ekspertë
amerikanë të hetimit janë angazhuar në kryerjen e veprimeve të këqyrjes dhe të përllogaritjes së sasisë së municioneve, që ndodheshin ditën e shpërthimit, më 15 mars të këtij viti në fshatin Gërdec

8 specialistë
të ushtrisë shqiptare janë angazhuar në kryerjen e ekspertimit, për të përcaktuar shkaqet e sakta të shpërthimit të muajit të kaluar, në ish-repartin e tankeve në Gërdec

Gërdec, ja ndihmat që dhanë komunitetet fetare për banorët
Komunitetet fetare iu gjendën pranë me ndihma ekonomike banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit. Përveç katër bashkësive fetare tradicionale, edhe besime të tjera, si protestantët,  shoqata e fondacione të ndryshme fetare, po ndihmojnë materialisht, në forma të ndryshme dhe sipas mundësive. Deri tani Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vënë në dispozicion  800 000 lekë dhe 100 pako ushqime dhe Myftinia e Dibrës  ka dhuruar 140 000 lekë. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë po grumbullon fonde për të rikonstruktuar një shkollë në zonën e prekur nga fatkeqësia dhe si ndihmë emergjente dhuroi 100 pako ushqime dhe 50 ngrohësa për familjet e strehuara në Konvaleshencën e Durrësit. Kisha Katolike ka dhënë 300 pako ushqime dhe ka ndihmuar me veshmbathje, ndërkohë që Caritas ka dhënë një kamion me ushqime, 300 pako me veshmbathje, medikamente  dhe  po trajton në mënyrë të veçantë e të vazhdueshme 20 familje. Caritasi është bërë pjesë e Komisionit të Emergjencës dhe ka nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi me Bashkinë e Vorës. Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka dhuruar 300 000 lekë. VUSH(Vëllazëria Ungjillore Shqiptare) ka dhuruar rreth 10 tonë ushqime, 110 shtretër, 150 dyshekë, rreth 1 ton pajisje mjekësore, 95 banka shkolle, 175 thasë me veshmbathje etj. Fondacioni Liahona ka dhuruar ushqime me vlerë 2 850 000 lekë dhe një furgon me veshmbathje. Fondacioni Islamic Relief ka dhuruar 410 pako me ushqime, 1050 batanije dhe 310 palë pantallona. Shoqata Vakëfi Islamik ka dhuruar ndihma materiale me vlerën e 5000 eurove. Shoqata Xhemati Ahmedie ka dhënë 3000 euro, ndërsa Dëshmitarët e Jehovait kanë kontribuar për strehimin e 30 vetëve nga popullsia e prekur nga fatkeqësia. Ndihmat materiale iu janë dorëzuar drejtpërdrejt banorëve të zonës prej përfaqësuesve të bashkësive fetare, duke bashkërenduar edhe me Bashkinë e Vorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›