E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Delijorgjit: Do padisim Kosta Trebickën

• Kosta Trebicka, biznesmeni që ka denoncuar publikisht Mihal Delijorgjin për trafik armësh dhe duke e quajtur shkaktar të Gërdecit, do të paditet nga i arrestuari.

Fatos Mahmutaj 

Mihal Delijorgji ndodhet i arrestuar me akuzën se ka qenë një nga shkaktarët kryesorë të tragjedisë. Arben Prifti, mbrojtësi ligjor i Mihal Delijorgjit, i cili mbron edhe të arrestuarin tjetër Dritan Minxolli tha se  klienti i tij do t’a pdisë Trebickën.  Në një intervistë për gazetën “Panorama”, avokati thotë se tashmë ndodhet në fazën e gjykimit të masës së sigurisë, ndërsa më pas detyrimisht do bëjë padinë.
Cili është pozicioni i klientëve tuaj përballë tragjedisë?
Klientët e mi nuk janë shkaktarë të kësaj ngjarjeje. Aty nëse kemi parasysh, qoftë kontratat, e para dhe e dyta, ato kanë të bëjnë me ushtrimin e një aktiviteti biznesi dhe konkretisht për skrap. Përsa i përket rregullave të sigurisë dhe sidomos të sigurimit të rreptë që kanë të bëjnë me lëndët plasëse, municionet dhe lëndët luftarake, kjo është një detyrim ligjor i Ministrisë së Mbrojtjes si dhe i vetë firmës ortake amerikane. Kjo është e përcaktuar qartë në kontratë dhe Delijorgji si administrator i kësaj firme nuk ka pasur licencë për demontim apo për shitje të tyre, por është firma amerikane që merret përsipër këtë dhe që ka sjellë edhe pajisjet për demontimin  e këtyre predhave. Delijorgji ka pjesën tjetër po të shohësh në kontratë, atë që ka të bëjë me skrapin dhe me shitjen e tij.
Mos jemi përballë faktit se do padisni amerikanët, apo thjesht sipas jush duhet kërkuar fajësia tek amerikanët?
Jo, ne nuk jemi në statusin, pozicionin apo nivelin e paditësit. Në rastin konkret, ne jemi të kallëzuar nga Prokuroria. Por mbi të gjitha do të jenë vetë provat shkresore ato që do të vërtetojnë në themel, se pse tani jemi në fazën që ka të bëjë me masën e ndalimit dhe sigurimit personal. Në gjykimin në themel do të jenë vetë këto dokumente që do të flasin vetë ato, pavarësisht pozicionit dhe thënieve të klientëve të mi. Do të jenë ato dokumente që flasin se, kush është përgjegjës lidhur me detyrimet e caktuara kontraktuale. Dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurimin e municioneve, predhave apo lëndëve plasëse. Sipas klientit tim mendohet 99%, shkaku i zjarrit është i jashtëm. Që do të thotë mundet të kenë qenë persona, të cilët kanë pasur synime të caktuara, qëllime të caktuara, që kanë qenë në dijeni të këtij aktiviteti dhe që u është prishur ose prekur interesa të caktuara lidhur me këtë aktivitet që zhvillohej në Gërdec.
Cilët janë këtë persona?
Eshtë ende herët për të thënë se kush. Po të kishim të dhëna të sakta ne do i bënim me dije. Por natyrisht që këtu behët fjalë për një hetim, për organe të specializuara të hetimit dhe ne jemi në pritje të rezultateve që do japin këto organe, siç është Prokuroria apo ato organe të specializuara, që kanë ardhur në ndihmë të organit të akuzës.
Cili është pozicioni i Delijorgjit, përballë biznesmenit rival, Kosta Trebicka?
Përsa i përket Trebickës, klienti im ka pasur vetëm një takim të rastësishëm në Rinas, në të cilin kanë kontaktuar dhe biseduar para një viti e gjysmë apo dy, nuk jam shumë i sigurt për kohën për çështje të një prone në Kombinat. Kjo ka qenë e para dhe e fundit herë që ata janë takuar. Kjo në bazë të thënieve të klientit tim.
Po akuzat e Trebickës për klientin tuaj?
Ato që unë jam vënë në dijeni, ai ka thënë “mafia e Delijorgjit”, ne detyrimisht që do të bëjmë paditë tona, do të ndjekim të gjitha hapat procedurale, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e klientit tonë të aspektit moral dhe civilo-penal, por aktualisht jemi në një fazë të hershme. Do t’i ndjekim të gjitha hap pas hapi, duke argumentuar me prova konkrete se cili ka qenë pozicioni i klientit tim.
Jeni njohur me deklarimet e Trebickës në Prokurori?
Jo me thënë të drejtën, vetëm në media. Eshtë thënë se ai është paraqitur para organit të akuzës dhe për disa orë ka dhënë deklarime. Po konkretisht se çfarë, unë nuk jam njohur. Në momentin që do njihem, kini parasysh, qoftë deklarimet e Trebickës, qoftë të personave të tjerë, janë pjesë e akteve apo fashikullit të hetimit. Në momentin kur mbaron hetimi bëhen të njohura për klientët e mi dhe për mua si avokat. Kur të njihem me to detyrimisht pastaj do kem qëndrim, të cilat nëse janë të drejta do i mbështesim dhe në se janë të pabazuara do i kundërshtojmë.
Delijorgji është marrë në pyetje nga Prokuroria këto ditë?
Jo. Ata janë pyetur në momentin e ndodhjes së ngjarjes në orën 22:30 të 15 marsit në Bashkinë e Vorës. Që pas ndalimit, nga momenti që kanë dhënë deklarime në gjykatë dhe deri më sot nuk janë marrë në pyetje.
Nëse do merren në pyetje, çfarë do të deklarojnë klientët tuaj?
Eshtë fakti kryesor që kjo ngjarje tepër e rëndë është një ngjarje, e cila nuk mund të jetë shkaktuar të paktën nga brenda ndërmarrjes. Delijorgji e thotë vetë 99%. Por janë faktorë të jashtëm. Këta faktorë të jashtëm, do të jetë vetë besoj organi i akuzës dhe organe të specializuara që do të nxjerrin pikërisht këtë, sepse deri sot që po bëhet gjithë ky show në media dhe mbi të gjitha në organet gjyqësore. Kjo pasi kemi një gjykim në Fakt, sot në Apel dhe nesër në Gjykatën e Lartë, detyrimisht unë pa e paragjykuar vendimin e Apelit, do të kemi gjykim në Gjykatën e Lartë.
Juve prisni rrëzimin e kërkesës në Apel?
Me sa unë kam nga të gjithë deponimet e klientëve e mi, por njëkohësisht nga ato që vura re. Nga provat e paraqitura nga Prokuroria në Fakt, nuk kemi një provë ose rrethanë konkrete që të dalë pikërisht për të dhënë shkakun e kësaj pasoje. Prokuroria nuk ka paraqitur prova, por vetëm pasoja. Pra, është marrë me pasojën, ka dhënë procesverbalin e këqyrjes së vendngjarjes dhe kufomave, dy kontratat që kanë të bëjnë me firmën. Njëkohësisht dhe disa deklarime të qytetarëve.
Pak më parë thatë që ishte detyrim i Ministrisë së Mbrojtjes, MEICO-s dhe firmës amerikane, vendosja e rregullave të sigurisë dhe ndjekja e tyre deri në fund. Mund të mendojmë që përgjegjësia bie mbi Pinarin?
Unë nuk mund të paragjykoj se mbi kë bie përgjegjësia. Në rastin konkret marr përsipër mbrojtjen e klientëve të mi. Dhe mesa kam parë qoftë nga kontratat, qoftë nga thëniet e klientëve të mi kam konstatuar që, lidhur me masën e sigurimit të lëndëve plasëse, dhe demontimit të armëve ka qenë e parashikuar në kontratë, të jetë nën mbikëqyrjen e organeve të tilla, siç është Ministria e Mbrojtjes dhe firma amerikane.

Trebicka,akuza publike Delijorgjit

TIRANE - Kosta Trebicka biznesmeni që nisi depaketimin e fishekëve të “Kallashnikovit”, për llogari të firmës amerikane AEY, në prill të vitit 2007 pohoi pas tragjedisë së Gërdecit se, firma e Mihal Delijorgjit ishte përfshirë në afera korruptive me Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa nuk kurseu në media as fjalët “mafia e Delijorgjit”. Trebicka pohoi se Delijorgji nëpërmjet këtyre veprimeve arrinte të fitonte shuma të mëdha, madje në mjaft raste edhe duke bërë presione. Në lidhje me këto, Trebicka pak ditë më parë dha deklarime në Prokurori, të cilat aktualisht janë administruar nga prokurorët e çështjes dhe i janë bashkëngjitur fashikullit të hetimit.

Delijorgji e Minxolli,sot për masë në Apel

TIRANE - Mihal Delijorgji, administratori i kompanisë “Alba Demil” dhe Dritan Minxolli, drejtori i kësaj kompanie të arrestuar për tragjedinë e Gërdecit pritet që paraditen e sotme të paraqiten në Gjykatën e Apelit, ku do shqyrtohet kërkesa e tyre për zbutjen e masës së sigurisë. Mbrojtësi i tyre avokat Arben Prifti, i cili ka paraqitur kërkesën në Apel pohoi dje se, masa e ndalimit dhe të sigurimit personal të vendosur nga Gjykata Tiranës, është kundërshtuar brenda afatit ligjor, procedural e penal. “Ne nuk jemi dakord me faktin që, është quajtur i ligjshëm ndalimi nga gjykata. Në bazë të ligjeve përcaktohet se, ndalimi vendoset kur ekziston rreziku i ikjes së personit. Në rastin konkret ekziston e kundërta, Delijorgji dhe Minxolli, nuk janë larguar nga vendngjarja. Kanë qenë në vendngjarje ditën që ka ndodhur ngjarja tragjike, kanë qenë në dispozicion të grupit të emergjencës të caktuar me vendim të qeverisë dhe mbi të gjitha kanë qenë në dispozicion të organit të akuzës”, tha avokati. Më tej ai tha se masa e arrestit në burg, bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila është e detyrueshme dhe e zbatueshme nga organet dhe institucionet e shtetit tonë. Sipas tij, ka shembuj nga Gjykata e Strasburgut lidhur me veprat penale të terrorizmit, në Irlandë ku si masë sigurimi personal është vendosur pikërisht garancia pasurore. Avokati tha se, nuk kërkojmë lirimin me garanci pasurore në Apel, por do të kërkojmë një masë më të butë sesa ajo ekstreme, “arrest në burg”. “Klientët e mi, kanë pasur karta, viza dhe pasaporta të huaja për të lëvizur lirisht jashtë territorit të Republikës dhe kishin mundësi për t’u larguar nëse do ndiheshin sadopak fajtorë qoftë nga ana morale, qoftë dhe nga ana penale lidhur me fajësinë, por nuk e bënë këtë”, pohoi Prifti. Mbrojtësi përfundoi duke thënë se: “Dy klientët e mi bashkohen me të gjithë ata qytetarë që shprehin hidhërimin për ngjarjen tragjike. Por lidhur me zbardhjen apo me shkakun e saj, detyrimisht që këtu ndahemi. Sepse nuk janë klientët e mi shkaktarë të kësaj ngjarjeje. Aty nëse kemi parasysh, qoftë kontratat, e para dhe e dyta, ato kanë të bëjnë me ushtrimin e një aktiviteti biznesi dhe konkretisht për skrap”.                                          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›