E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nisni ekipet për të negociuar antarësimin e plotë në NATO”

• Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Scheffer, u ka dërguar letër Shqipërisë dhe Kroacisë, duke i ftuar ato për të filluar bisedat për anëtarësim të plotë në NATO.

Njoftimin e  bëri zëdhënësi i NATOS, James Appathurai. "Sekretari i përgjithshëm u ka dërguar letër ministrave të Jashtëm të këtyre dy vendeve, duke kërkuar nga ato që të dërgojnë ekipet për fillimin e bisedimeve formale për anëtarësim", tha James Appathurai. Sipas tij, këto bisedime do të zgjasin "disa javë" dhe do të rezultojnë me përpilimin e protokollit të hyrjes. Pas kësaj, anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e 26 vendeve anëtare të NATO-s. Appathurai tha se "do të ishte shumë mirë që Shqipëria dhe Kroacia të bëheshin anëtare të NATO-s, gjatë vitit të ardhshëm, kur aleanca shënon edhe 60-vjetorin e krijimit. Në më pak se një javë nga marrja e ftesës për NATO, në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria dhe Kroacia duket se, do të thyejnë të gjitha rekordet kohore që një vendi i duhet për tu bërë anëtar i NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm kërkon nisjen nga puna të ekipeve të ekspertëve për përmbushjen e kuadrit ligjor që do ta çojë Shqipërinë në NATO, për të bërë të mundur që në samitin e vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Strasburg dhe Këln, Shqipëria dhe Kroacia të bëhen anëtare të Aleancës. Brenda një periudhe njëvjeçare Shqipëria do të kalojë shtatë etapat deri në miratimin e protokollit nga Traktati i Aleancës në Uashington dhe ratifikimi i tij nga 26 vendet anëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›