Amerikani Patrik Henri komandonte në Gërdec
Deklarata e Dritan Minxollit në gjykatë: Ishte kapitalist, fabrika punonte me tri turne dhe s’kishte pushime
Drejtori i punishtes së Gërdecit, Dritan Minxolli, ka vazhduar akuzat ndaj administratorit amerikan të firmës “SAC-Albademil”, Patrik Henri. Në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 28 të pandehurve, Minxolli ka bërë një deklaratë, duke pohuar se shtetasi amerikan kishte dijeni dhe e urdhëronte për çdo veprim që duhej të kryente në fabrikë. “Kam marrë urdhra të njëpasnjëshme nga Patrik Henri për kushtet e fabrikës. Në lidhje me dëshmitë e disa dëshmitarëve që janë ankuar për mungesën e pushimeve apo për normën e lartë, dua të sqaroj me ndërgjegje të plotë se këto kushte i vendoste Patrik Henri, duke më urdhëruar. Ai ishte kapitalist dhe fabrika punonte me tri turne, ndërsa punëtorët paguheshin vetëm me ditët e punës dhe jo në muaj”, ka deklaruar Minxolli, duke vazhduar të insistojë se administratori amerikan i “SAC-Albademil” është po aq i implikuar sa edhe ortaku i tij në Shqipëri.
Rregullorja e brendshme
Minxolli ka vijuar me deklaratat e njëpasnjëshme se administratori amerikan i “SAC-Albademil” e ka urdhëruar, duke vendosur edhe rregulloren e brendshme. “Patrik Henri, njëri nga administratorët e kompanisë ku unë isha drejtor, ka vendosur rregulloren e brendshme, duke më urdhëruar për zbatimin e saj. Jam urdhëruar nga Henri, gjatë datës 26-29 nëntor 2007. Më ka lënë një dosje me shtesë në rregullore, duke më urdhëruar ta fus në dosjen e përgjithshme. Dosja bënte fjalë pikërisht për rregulloren e brendshme”, ka këmbëngulur Minxolli. Një javë më parë, në seancë, deklaroi se prokuroria ka vepruar me dy standarde në lidhje me administratorët e kompanisë që merrej me demontimin e municioneve në Gërdec. Ai tha se njëri trajtohet si i nënës dhe tjetri si i njerkës. Në lidhje me dëmshpërblimin e punëtorëve të dëmtuar tha se “të gjitha asetet e ‘Albademil’ janë të bllokuara nga gjykata dhe ne nuk kemi asnjë mundësi për të shlyer financiarisht individët e dëmtuar”. Më tej do të vijonte se para se të fillonte ky projekt ka pasur një punë mjaft të mirë, një biznes privat dhe nga përfaqësuesit e firmës ka pasur një ofertë shumë të mirë. Ai paguhej 5 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërsa shkoi si drejtor në fabrikë, pasi pa se aty nuk kanosej asnjë rrezik.
Municioni nga ministria
Në seancën e djeshme gjyqësore ka bërë një deklaratë të shkurtër edhe i pandehuri Sokol Gjeçi, i cili ndodhej në kafazin e hekurt. Ai debatoi për disa momente me prokurorinë dhe gjykatën, duke i tërhequr vëmendjen me pyetjet që u kanë realizuar dëshmitarëve. Sipas Gjeçit, pyetjet e prokurorëve për dërgimin e armëve në fabrikë është e pasaktë, pasi në fabrikë nuk janë dërguar armë, por municione. Ai tha se kjo e metë duhet të korrigjohet, pasi janë dy terma krejt të kundërt. Më pas shtoi se ushtarakët nuk kanë firmosur asnjë dërgim arme apo municioni në Gërdec. Sipas tij, municioni ka shkuar për demontim me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes.
#