E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesorët e muzikës kërkojnë largimin e Sokol Shupos

Reagimi
“Dekani ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme gradën shkencore “Doktor i shkencave”

Një grupi i profesorëve të Fakultetit të Muzikës kanë dalë dje në një konferencë për mediat në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve. Duke iu referuar temës “integriteti i figurës së drejtuesit të fakultetit të muzikës” edhe përmes komunikatës për shtyp ata kanë kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin nga posti i dekanit të Fakultetit të Muzikës të Sokol Shupos, duke qenë se sipas tyre, ky i fundit e ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme titullin “Doktor i shkencave”. Sipas profesorëve të muzikës, bërja publike e këtij fakti ka sjellë pasoja dhe dëme të  pallogaritshme për funksionimin normal të Fakultetit të Muzikës, dëme që kanë të bëjnë me procesin mësimor, kualifikimin pasuniversitar, dokumentacionin bazë shtetëror, përfaqësimin publik e mediatik të FM etj. “Me përvetësimin e paligjshëm të gradës shkencore “Doktor i shkencave”, bëhet i papranueshëm pozicioni i Shupos si anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH, një cilësim që e ka fituar edhe mbi bazën e këtij mashtrimi. Gjithashtu, bëhet i papranueshëm pozicioni i tij si përfaqësues i Fakultetit të Muzikës, kur dihet që ky përfaqësim nuk mund të ngrihet mbi bazën e mashtrimit publik. Kjo do të përbënte precedentin e rrezikshëm të një drejtimi butaforik e të shëmtuar, i cili nëpërkëmb autoritetin dhe nderin e profesoratit, të studentëve dhe të të gjithë atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, janë të lidhur me Fakultetin e Muzikës”, theksojnë ata. Grupi i profesorëve të muzikës kërkon shkarkimin e dekanit Sokol Shupo, si dhe pretendon një qëndrim sa më të drejtë ndaj kësaj çështjeje nga instancat përkatëse.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›