Bechtel-Enka shpallet fitues pa çmim në Kosovë
Projekti
Prishtina përsërit historinë e autostradës shqiptare
Qeveria e Kosovës deklaroi dje se ka përzgjedhur konsorciumin “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare që pritet të lidhë Shqipërinë me Serbinë dhe korridorin 10, por nuk deklaroi se sa do të jetë kostoja e punimeve. Sipas medias kosovare, “ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, konfirmoi se fituese është kompania ‘Bechtel-Enka’, e cila ka ndërtuar autostradën edhe në Shqipëri”.
Autostrada e Kosovës pritet të mbajë disa tunele dhe mund të kushtojë 600 deri 1 miliardë euro. Një prej kushteve kryesore në tender, ka qenë nisja e punimeve vetëm një muaj pas përfundimit të tenderit, gjë që “Bechtel” mund ta plotësonte më lehtë se sa konkurrentët për shkak se kapacitetet i ka pasur të instaluara deri tani në Shqipëri. Autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar ka një gjatësi prej 117 kilometrash. Sipas të dhënave të ministrisë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1.062 hektarë tokë. Në fazën finale të tenderit, sipas qeverisë së Kosovës kanë hedhur ofertë vetëm dy kompani.
“Bechtel-Enka” ndërtoi një segment prej 61 kilometrash që përfshinte edhe një tunel 5.5 kilometra të gjatë në Shqipëri në periudhën 2006-2009. Punimet u zgjatën për më shumë se një vit nga afati i rënë dakord fillimisht, ndërsa kostoja e tyre i dyfishua. Qeveria miratoi një kontratë të hapur pa miratuar një projekt paraprak, duke e justifikuar me nevojën “për të nisur punimet me procedurë të përshpejtuar”. Të njëjtën metodë ndoqi edhe Kosova, e cila e prokuroi rrugën pa pasur më parë një projekt të detajuar. Qeveria e Kosovës ka tërhequr rreth 200 milionë euro fitime të papërdorura të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës dhe shpreson të tërheqë borxhe nga institucionet financiare ndërkombëtare për ta financuar këtë projekt.
#