E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitarët: Firmosëm dokumentin ku thuhej se firma nuk mban përgjegjësi

Procesi

Vazhdojnë të dalin fakte të reja abuzimesh në lidhje me fabrikën e Gërdecit. Gjatë seancës së djeshme, disa nga dëshmitarët pohuan se kishin nënshkruar një dokument, ku thuhej se në raste aksidentesh firma nuk mbante përgjegjësi. Mihane Halili, 42 vjeçe, është një nga punëtoret e fabrikës, e cila dëshmoi dje. “Ne nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë pune, por një dokument në të cilin thuhej se në raste dëmtimesh apo aksidentesh firma nuk mbante asnjë përgjegjësi ligjore”, tha Halili. Ajo shtoi se në fabrikë kishte rënë disa herë zjarr dhe ai ishte shuar me ujë ose me fikse zjarri. Një tjetër dëshmitare në procesin e djeshëm ishte edhe Zyra Hasa, një vajzë 21-vjeçare, punonjëse e fabrikës se Gërdecit. Ajo tha se kishte filluar punë katër muaj para se të fillonte ngjarja dhe kishte kontaktuar me Dritan Minxollin. Tha se ka nënshkruar një kontratë, ku shkruhej se “nëse më ndodh diçka firma nuk mban përgjegjësi”. Pyetjes nëse kishte fikse zjarri, ajo u përgjigj se nuk e ka vënë re dhe se kushtet ishte relativisht të mira. Dëshmitarja e radhës ishte Rabije Gërdeci, 31 vjeçe. Ajo tha se ka punuar bashku me bashkëshortin e saj, Luftimin, për të çmontuar municione. Filloi punë në datën 15 qershor 2007, për të përfunduar ditën e ngjarjes. Më tej u pyet nga prokurori Altin Dumani në lidhje me kontratat e punës, ndërsa iu përgjigj se nuk ka nënshkruar. Ditën e ngjarjes ka qenë në punë pranë derës kryesore, duke mbyllur thasët e barutit. Dje ka dëshmuar edhe 20-vjeçari Avni Kurti, i cili tha se ka filluar punë në muajin qershor të vitit 2007. Fillimisht ka punuar për çmontimin e fishekëve dhe më pas ka punuar për hapjen e arkave që mbanin predha. Ai është shprehur se vazhdonte shkollën në gjimnaz, ndërsa punonte në fabrikë pasdite, në turnin e dytë. I pyetur nëse kishte parë në punishte administratorin e firmës “Albademil”, Mihal Delijorgjin, tha se jo, ndërsa atje njihte vetëm drejtorin, Dritan Minxollin. Paga e tij në ditë ishte 25 mijë lekë të vjetra. Dëshmitarja e radhës ka qenë Alketa Hazizi, e cila është dëmtuar gjatë shpërthimit të depos së armëve në Gërdec. Hazizi tha se kur ndodhi ngjarja ka qenë në pjesën e poshtme të fabrikës, ndërsa flaka e rrëzoi te porta. Në momentin kur filloi zjarri dikush i bërtiti “ca bëtë kështu se u dogjëm për së gjalli”. Më pas nuk kujton asnjë detaj. Dëshmitarja ka paditur disa javë më parë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Lartë. Procesi vijoi me dëshminë e Drita Camit, e cila nga ngjarja e rëndë ka humbur bashkëshortin, ndërsa vajza e djali i janë djegur. Dëshmitari i fundit ishte Ramadan Sefa, i cili shkarkonte automjetet e ushtrisë me municione. Ai pohoi se “shkarkonim 45 deri në 47 makina në ditë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›