Amerikani i Gërdecit padi Prokurorisë
Fatos MahmutajPatrik Henry, biznesmeni amerikan President i Kompanisë "SAC Inc", ortake me Mihal Delijorgjin në Gërdec, i kërkon gjykatës heqjen e sekuestros për materialet e dala nga demontimi i fishekëve të kalibrit të vogël. Kërkesa është dorëzuar nga Thimio Kondi, ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili pas përfundimit të mandatit në krye të Gjykatës së Lartë ka nisur punë avokat pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë. Vetë Kondi e konfirmoi dje këtë, duke pohuar se biznesmeni amerikan e kishte pajisur me prokurë për këtë kërkesë, të cilën ai do e ndiqte më pas në gjykatë, dhe që pritet të shqyrtohet nga trupi gjykues i dosjes "Gërdeci". Duke shpjeguar kërkesën e paraqitur në gjykatë, Kondi pohoi se amerikani Patrik Henry (Patrick Corneilos Henry), i kishte kërkuar që ta përfaqësonte në gjykatë gjatë shqyrtimit të kërkesës për heqjen e sekuestros së prokurorisë nga materialet e përfituara gjatë kontratës së parë të demontimit, e cila kishte përfunduar në shtator të vitit 2007, 6 muaj para shpërthimit të Gërdecit. Sipas Kondit, prokuroria i kishte bllokuar këto materiale së bashku me ato që ishin përfituar gjatë kontratës së dytë, kohë në të cilën ndodhi edhe shpërthimi.KërkesaSipas avokatit Kondi, kontrata e parë ndërmjet kompanisë shtetërore MEICO, për eksportimin e armëve dhe municioneve me firmën SAC, është lidhur për demontimin e municioneve të armëve të vogla kryesisht 7.62 milimetrave. Referuar dosjes "Gërdeci", që tashmë po gjykohet në Gjykatën e Tiranës nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ridvan Hado, Fatmira Hajdari dhe Shefkie Demiraj, kontrata është lidhur në qershor 2007 dhe ka vazhduar për disa muaj me radhë. Gjatë kësaj kohe shteti shqiptar i ka shitur kompanisë së Delijorgjit "Albdemil", rreth 1.6 milionë USD municione, të cilat ai i ka demontuar për llogari të kompanisë amerikane "SAC". Pikërisht materialet e përftuara nga ky proces demontimi janë ato që kërkon amerikani Henry t'i kthehen, me argumentin se kjo kontratë ishte përfunduar 6 muaj para shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec. Ndërkohë, në seancën e fundit të procesit "Gërdeci", mori pjesë për monitorim një përfaqësuese e zyrës ligjore të avokatit Thimio Kondi.SekuestrimiPas shpërthimit të "Gërdecit", grupi special i hetimit i ngritur për këtë ngjarje vuri në sekuestro pronat e Mihal Delijorgjit, kompanitë e tij dhe gjithë asetet që zotëronin këto kompani. Mes të tjerash u sekuestruan nga prokuroria edhe materialet e përfituara nga demontimi i fishekëve të kalibrave të vegjël. Tashmë pritet që kërkesa e dorëzuar nga avokati Kondi t'i dorëzohet trupit gjykues që po shqyrton dosjen "Gërdeci", i cili duhet të vendosë për heqjen ose jo të sekuestrosKontrata e Gërdecit, "Albdemil" me "SAC"TIRANE - Kontrata e parë e "Gërdecit" është lidhur mes MEICO dhe "Albdemil" në qershor të vitit 2007, e cila përfaqësonte kompaninë amerikane SAC. Në këtë kontratë, e cila përfundoi disa muaj më vonë, sipas parashikimit u bë demontimi i një sasi prej 1.6 milionë USD fishekë të kalibrit të vogël, kryesisht 7.62 milimetër. Pas përfundimit të kontratës së parë, materialet e përfituara nga demontimi mbetën në depot e Gërdecit të magazinuara në pritje të tërheqjes së tyre prej kompanisë amerikane. Të paktën më 15 mars, kur shpërtheu reparti i demontimit, dy prej depove që shkaktuan shpërthimin e madh të Gërdecit ishin të mbushura me barutin e fishekëve 7.62 milimetër dhe 12.7 milimetër, që kishte mbetur nga kontrata e parë. Po kështu nga kjo kontratë kishin mbetur në Gërdec edhe mjaft materiale të tjera, të cilat priteshin të shiteshin së bashku me ato që do të përfitoheshin nga kontrata e dytë e nënshkruar më 27 dhjetor 2007, por që nuk u arrit të përfundohej për shkak të shpërthimit që shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e rreth 300 të tjerëve. f.mFamiljarë të viktimave të GërdecitTIRANE - Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit pohuan dje se do të përballeshin në gjykatë me organin e akuzës, nëse nuk merrnin një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës që kanë dërguar mbi procedimin penal të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kreut i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Tragjedisë së Gërdecit, Feruzan Durda pohoi dje se: "Ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, në emër të shoqatës sonë, pas pranimit të kërkesë-padisë sonë në kuadër të të plagosurve të tragjedisë nga Gjykata e Lartë, që në muajin nëntor i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për procedim të shtetasit Fatmir Ali Mediut. Me anë të kësaj kërkese ne kërkuam që Prokuroria të kryente veprimet e duhura për procedimin e fajtorit të shpërthimit. Gjithashtu, kemi kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë autorizimin për procedim në mënyrë që Kuvendi të votonte për heqjen e imunitetit, çka do bënte më pas të mundur vënien para drejtësisë të Mediut". Më tej, Durda i tha se prokurorisë, se i kanë bërë kërkesë edhe për informacion mbi kërkesën për procedim, por nuk kanë marrë përgjigje edhe pse ka kaluar afati zyrtar. "Me detyrimin që jep ligji, i kërkojmë Prokurorisë të na përgjigjet nëse është dhënë autorizimi për procedimin e Mediut. Duke qenë se afati ligjor ka kaluar, ne po përgatisim hapat përkatës për ta kërkuar këtë në gjykatë", tha Durda. fa.ma