Shaska pezullon me e-mail mësimin në universitet
VLORE/ QEMAL BIRAKUPezullohet mësimi për një afat të papërcaktuar në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Studentët janë ndeshur dje me një fakt të kryer, pasi stafi pedagogjik pret të marrë “OK” e Ministrisë së Arsimit, pas një peticioni të firmosur prej tyre për disa kërkesa. Kërkesa e parë e firmosur në peticion ka të bëjë me promovimin e stafit pedagogjik. “UV-ja të ketë të drejtën të japë titullin “Profesor i Asociuar” sepse i përmbush të gjitha kriteret ligjore për këtë”. Një tjetër kërkesë është edhe për programet e reja. Pedagogët theksojnë se propozimet janë dërguar në MASH në mars të vitit 2009. Ndërsa kërkesa e tretë e UV-së janë ambientet e reja dhe vende pune të reja. Ata e lidhin këtë edhe me numrin e shumtë të studentëve që janë pranuar për këtë vit akademik në mënyrë “të detyruar”, sipas tyre, pas urdhrit të MASH-it. Nëse kërkesat nuk plotësohen, pedagogët e UV do të bojkotojnë plotësisht mësimin deri në përmbushjen e tyre”, thuhej më tej në peticion. Pezullimi i mësimit ka gjetur të papërgatitur mjaft studentë, të cilët dje theksuan se nuk ishin vënë në dijeni nga stafi pedagogjik. Ata janë vënë përballë një fakti të kryer, ndërkohë që shumë prej tyre vinin nga zonat e largëta të Vlorës. Por pedagogët theksuan se studentët ishin njoftuar me anë të një e-maili të dërguar nga vetë Rektori, Tanush Shaska. Por vetë studentët kanë ngelur të shtangur me këtë formë njoftimi, pasi jo të gjithë kanë mundësi interneti dhe mund të jenë në koherencë me njoftimet që nxjerr në internet universiteti ku ata studiojnë. “Qëndrimi ynë është i prerë. Negociata s’do të ketë pa dalë VKM-ja për promovimet. Ne jemi gati të futemi edhe në grevë urie. Një listë me vullnetarë po mbushet. Mos bini pre e provokimeve. Ne jemi më të fortë se kurrë. UV nuk do të mposhtet nga asnjë qeveri. Shpresa e të ardhmes nuk vdes kurrë, dhe kjo është çfarë UV-ja paraqet për ne”. Ky është e-maili që iu ka dërguar rektori Shaska pedagogëve e studentëve. Këta të fundit, pasi janë paraqitur dje në auditore, janë detyruar të kthehen mbrapsht, ndonëse këto ditë bojkoti nga ana e pedagogëve të tyre mund t’iu marrë atyre ditët e pushimeve zyrtare për të zëvendësuar orët. peticioniPromovimi i stafit pedagogjik: Që UV të ketë të drejtën të japë titullin “Profesor i Asociuar” sepse i përmbush të gjitha kriteret ligjore për këtë. E vetmja gjë që tani e privon nga kjo e drejtë është mungesa e VKM-sëProgramet e reja: Për të cilat propozimet janë dërguar në MASH në mars të vitit 2009. Këto programe janë tërësisht të reja dhe cilësoreAmbientet e reja dhe vende pune të reja: Prej kohësh kemi kërkuar ambiente të reja dhe rritjen e organikës. Tani kjo bëhet jetike për të lehtësuar situatën shumë të rënduar që është krijuar pas pranimit “të detyruar” të studentëve, të cilët nuk plotësonin kriteret për studim në Universitetin e Vlorës.