Vrasja në autobus, autori në gjykatë: Isha i dehur
TIRANE - Nezir Malliku, 42-vjeçari i akuzuar për vrasjen me thikë të babait të tre fëmijëve, pas një sherri banal në autobusin e linjës Tiranë-Ndroq, pasditen e së hënës, shfaqi pendesë dje në Gjykatën e Tiranës. Ndonëse nuk ka pranuar shprehimisht autorësinë e krimit, ai ka pohuar para gjykatës se nuk kishte kontrolluar veten dhe se kishte qenë i dehur. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata vendosi për të lënien në masën e sigurisë "arrest me burg" pa afat. I akuzuari nga prokuroria si vrasësi i Arben Gogës, Nezir Malliku, u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. "Kam qenë i dehur dhe nuk isha mirë nga koka. Nuk e kam kontrolluar veten", është shprehur para gjykatës i pandehuri Malliku. Burime pranë seancës, sqaruan se gjykata rrëzoi kërkesën e avokates mbrojtëse të Mallikut, për ekspertim psikik të klientit të saj. Duke pretenduar paqëndrueshmëri mendore të klientit, avokatja i ka kërkuar gjykatës një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit me burg. Ndërsa prokurori, pasi ka "rindërtuar" ngjarjen para gjykatës, ka kërkuar lënien e Mallikut në qeli. Në përfundim gjykata caktoi për të pandehurin lënien në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ngjarja e rëndë, ku Arben Goga vdiq pasi u qëllua me thikë në qafë, u shënua pasditen e së hënës, pak pasi autobusi urban në të cilën ai me bashkëshorten dhe dy prej fëmijëve kishte kaluar kryqëzimin "21 dhjetori". Goga vdiq gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak, ndërsa i akuzuari si autor i vrasjes u arrestua një orë pas ngjarjes. ar.ba