“Mashtrova biznesmenët se doja të mbaja afër të dashurën time”
KORçE- “Mashtrova biznesmenët me borxhe, pasi doja të mbaja afër vetes vajzën me të cilën shoqërohem”. Kështu është shprehur dje në Gjykatën e Korçës i riu shkodran, i cili pasi firmosi disa çeqe të rreme iu mori katër biznesmenëve korçarë një shumë prej rreth 30 mijë euro-sh. Me akuzën e mashtrimit, trupi gjykues vendosi masën e sigurisë “burg pa afat” për 27-vjeçarin Eduart Jaku, apo siç njihej ndryshe Eduart Dibra. Gjatë ditëve të para të janarit i riu nga Shkodra mbërriti në Korçë, duke u prezantuar me disa sipërmarrës të fuqishëm të kësaj zone. Jaku iu prezantua atyre si një biznesmen me emrin Eduar Dibra, me profesion arkitekt. Me një portofol në dukje plot me para dhe me telefonata të pafundme me “politikanë”, shkodrani vetëm me 12 vjet klasë arriti t’i çojë në kurthin e tij 4 biznesmenët. Ai iu premtoi atyre ortakëri dhe ndihmesë në shumë drejtime, pasi sipas tij ai kishte njohje e lidhje mjaft të forta me politikanë të ndryshëm në Tiranë. Duke shfrytëzuar ditët e festave, datën 1 dhe 2 janar, kur edhe bankat ishin të mbyllura, 27-vjeçari firmosi me biznesmenët disa çeqe boshe, të cilat kishte arritur t’i siguronte më parë te BKT-ja. Ai iu mori mijërat e eurove në formë borxhi, duke iu caktuar si datë të kthimit 8 janarin. Por kur në këtë datë biznesmenët u paraqitën në bankë për të tërhequr paratë e tyre, rezultoi se llogaria me emrin Eduart Dibra nuk kishte asnjë lekë. Vetëm këtu e kuptuan kurthin e të riut biznesmenët, të cilët më kot pritën që shkodrani t’ua kthente më ato, madje ky i fundit, bashkë me të dashurën e tij u largua nga Korça më 5 janar, duke qëndruar për disa ditë në Pogradec. Sipas burimeve, ai ka qëndruar në hotelet më luksoze, me hidromasazh dhe kushte të tjera moderne. Gjithashtu, një pjesë të konsiderueshme të parave i ka shpenzuar nëpër restorante luksoze apo nëpër dyqane, duke blerë rroba për vete dhe vajzën që e shoqëronte. Por gjithashtu edhe në dreka e darka me biznesmenë, ku ai duhej të dukej me portofolin plot. I gjithë skenari i ditëve të qëndrimit, por edhe vetë deklarata e të arrestuarit, të çojnë në një pistë të vetme. 27-vjeçari ka kryer një aventurë të rrezikshme vetëm për t’i fituar zemrën vajzës me të cilin ai kishte nisur të shoqërohej. g.a