E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikani që e dashuroi Shqipërinë

Ai e donte tepër Shqipërinë. Këtë të gjithë e dinin ndaj edhe kur në një intervistë të dhënë në shtypin e kohë, pyetjes se ku dëshironte të kishte lindur, iu përgjigj thjesht dhe shkurt: "Në Shqipëri...", kjo për ata që e njihnin mirë nuk ishte aspak një përgjigje e panjohur. Ishte lidhur shumë jetën dhe historinë e popullit shqiptar. Ky është majori Telford Erickson, amerikani që u dashurua me Shqipërinë dhe që bëri të pamundurën për ta parë të lirë. Thoshte se nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm në Europë se shqiptarët. "Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Mblidhen me besnikët dhe japin jetën për fjalën e dhënë". Drejtori i shtëpisë botuese "Argeta LMG", bën të ditur se shumë shpejt do të dalë në qarkullim një përmbledhje e artikujve, intervistave, dokumenteve, që Erickson shkroi për Shqipërinë, si dhe një ditar të cilin ai e mbajti gjatë kohës kur qëndroi në vendin tonë. Eriksoni ishte mik i shqiptarëve, bashkë me ta luftoi për më të mirën e vendit. Ai lindi më 15 korrik të vitit 1867 në një fermë afër fshatit Galesburg, Ilios. Pasi mbaroi shkollën teologjike dhe diplomohet në Universitetin e De Paw, merr diplomën tjetër me nderime në Universitetin e Bostonit, dhe fillon punën në fushën teologjike. Për herë të parë erdhi në Shqipëri në vitin 1908 për të hapur një shkollë në Korçë. Punoi në Elbasan, Tiranë, në shkollën teknike të Kavajës... kështu nisi aktiviteti i tij nëpër Shqipëri, me arsimin, më pas kaloi në radhët e Kryqit të Kuq Amerikan.

Pikërisht këtu, falë punës së tij, arriti të meritojë edhe gradën e majorit. Megjithatë, ajo që e bëri të njohur dhe që shënon një kapitull mjaft të rëndësishëm në jetën e tij, është pjesëmarrja në Konferencën e Paqes në Paris, ku ai mori pjesë në përbërje të delegacionit shqiptar të shoqërisë "Vatra" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, plot 90 vite më parë. Në përbërje të këtij delegacioni ishte edhe koloneli anglez Aubrey Herbert dhe shqiptaro-italiani Alselmo Lorenzio. Të tre këta persona, njëri amerikan, tjetri anglez dhe tjetri shqiptaro-italian, si personalitete që e kishin njohur nga afër Shqipërinë dhe problemet e saj dhe si ekspertë, do të luanin një rol të madh në Konferencë gjatë bisedimeve të delegacioneve. Zgjodhën të flisnin veç e veç: Ericksoni me delegacionin amerikan, Herbert me delegacionin anglez dhe Lorenzio me atë italian. Ishte falë punës së delegacionit shqiptar, veçanërisht atij të shoqërisë "Vatra", që u bë e mundur të arrihej ajo që u arrit. Por ajo që ishte më e rëndësishme në Konferencën e Paqes së Parisit, ishte fakti se majori Telford Erickson shpërndau një thirrje në gjuhën angleze dhe në atë frënge, nëpërmjet së cilës u drejtohej të gjithë delegatëve pa përjashtim. Me forcë ai kërkonte që çështja shqiptare të ishte në vëmendjen e duhur. Bashkëngjitur me të, kishte shkruar edhe një traktat a memorandum, emri s‘ka rëndësi. Në të, Erickson shpjegon se pse Amerika duhet të merrte në mbrojtje Shqipërinë dhe cilat ishin drejtimet ku duhej të bazohej kryesisht vendi nga ku ai vetë vinte. Më 23 gusht të vitit 1919, gjatë kohës kur mbaheshin punimet e Konferencës së Paqes në Paris, major Erickson tha: "Për dy mijë vjet të gjata, raca shqiptare është përpjekur (përplasur) në leqet e një nyjeje gordiane. Porsa është çliruar nga njëra prej atyre leqeve, përpjekjeje heroike të kësaj race të pavdekshme, një tjetër ka zënë vendin e tij shtrënguar. Kështu pra, gjer kësaj minute, Shqipëria nuk e ka pasur rastin të marrë frymë lirisht, as të shikojë pemët e ëmbla të lirisë kombëtare. Toka e saj është plehëruar me shumë të vdekur të kalbur prej çdo kombi të Europës dhe gjithashtu prej shumë kombesh t‘ Azisë dhe të Afrikës. Lufta ‘Lodra e mbretërve‘ ka ngjarë më tepër në këtë pjesë të Ballkanit se në çdo pjesë tjetër të botës". Janë këto pak fjalë nga shkrimi që miku i Shqipërisë, Telford Erickson, i ka shkruar në valën e nxehtë që zhvillohej Konferenca e Paqes në Paris. Në memorandumin e paraqitur para delegatëve, Erickson shtjellonte gjashtë pika të rëndësishme sipas tij, gjashtë arsye se përse Amerika duhet të kujdeset për Shqipërinë. Pika e parë, "Mbi parimin moral", prek faktin se Amerika hyri dhe luftoi në këtë luftë për parime morale. Një nga këto ishte të përligjte të drejtat e kombeve të vegjël, të mbronte të dobëtit kundër të fortëve. Ky parim nuk do të zbatohet në Shqipëri, përderisa atë të mos e ndjekë Amerika. Përndryshe, Pakti i Londrës do të zbatohet. Vlora me zonat rreth saj do t‘i jepen Italisë, territore të tjera do t‘i jepen Serbisë dhe Greqisë, duke lënë vetëm një zonë të vogël neutrale në Shqipërinë qendrore me më pak se një të tretën e territorit dhe të popullsisë për të shërbyer si një amortizator midis këtyre shteteve, një diçka pa kuptim dhe pa vlerë: as provincë, as shtet, as komb. Një viktimë do të injorohet dhe ndaj së cilës do të ketë përherë intriga e luftë nga çdo anë. Kështu, raca shqiptare, e cila për më shumë se 2000 vjet ka ruajtur integritetin e saj nacional kundër fuqive shumë të mëdha, të cilat kanë vërshuar në Ballkan nga çdo pjesë e globit, thyhet e shkatërrohet. Pika e dytë e propozuar nga Erickson, "në interes të një paqeje të drejtë dhe të gjatë" thotë se Konferenca e Paqes me Lidhjen e Kombeve, ka fuqi të plotë plenare për të çliruar kombet nga kontrolli i huaj, për të vendosur kufijtë etnikë, për të rregulluar grindjet ndërkombëtare të paktën për kufijtë e territoreve të pushtuara nga lufta, duke përfshirë edhe Ballkanin. Kjo është një detyrë e qartë dhe supreme, detyrë në interes të një paqeje të qëndrueshme për të përligjur të drejtat dhe për të vendosur drejtësinë mbi gabimet e të tjerëve. Italia, Greqia dhe Serbia kanë pushtuar 90 deri në 100% të territoreve dhe popullsisë shqiptare, në një kohë që këto vende flasin kundër pushtimit të huaj, të cilët nuk pajtohen me këtë pushtim, kjo do të ishte e mjaftueshme për t‘i bërë asaj (konference) gjyqin moral para botës. Amerika nuk mund të jetë ajo që është, në qoftë se do të nënshkruajë një traktat paqeje të tillë. "SOS Amerikës nga një komb në rrezik", është pika e tretë e memorandumit të paraqitur nga misionari amerikan në mbrojtje të shqiptarëve. Në këtë pikë, Erickson shkruan se i gjithë kombi shqiptar i ka shtrirë duart nga Amerika për ta shpëtuar. Të refuzosh t‘i përgjigjesh një thirrjeje të tillë, është një lloj të mos i përgjigjesh një anijeje që po mbytet. Amerika, pasi investoi 20 bilionë dollarë dhe sakrifikoi më shumë se njëqind mijë bijë të saj për çështjen e drejtësisë dhe lirisë së njerëzimit, nuk mund të qëndrojë si dëshmitare e qetë e një "katastrofe susitoneze" (Lusitiva Disoti), si kjo në të cilën një komb e kanë futur në një anije të prishur dhe po e çojnë drejt vdekjes. Pika e katërt është titulluar "Përgjigje e idealeve amerikane". Erickson shkruan se Europa nuk është akoma plotësisht e bindur se ne nuk jemi një popull materialist i dashuruar pas parasë, i cili do të përdorë avantazhin e tij të tanishëm për të arritur supremacinë tregtare në botë. Mësimi ynë i vogël në Kubë dhe në Filipine humbi në Europë dhe në qoftë se ne tërhiqemi nga përgjegjësia jonë e mëtejshme për rindërtimin e botës, ato ideale që fituam nga lufta do t‘i humbasim tmerrësisht. Ndërsa nga ana tjetër të bëhesh fuqi kujdestare në Ballkan, kur Europa ka luftuar (shkatërruar) dhe është qorrollepsur, ku ka shkaktuar disharmoni e hidhërim dhe nga e cila ka marrë të korrura të hidhura, gjakderdhje dhe varfëri do të thotë të çlirosh kombin shqiptar, ta ngresh atë nga fatkeqësia dhe injoranca, t‘i japësh mirëqenien dhe prosperitetin e merituar dhe ta kurorëzosh atë me bekimin e jetës, të vendosësh harmoninë, mirëbesimin dhe fqinjësinë e mirë midis racave ballkanike, t‘i ndihmosh të çlirohen nga frika dhe urrejtja, t‘i bësh të vëllazërohen dhe të nderohen bashkë me kombet që drejtojnë përparimin botëror, do të thotë të qetësosh Ballkanin (si zona më e madhe e rrezikut për paqen në tërë botën), këto do t‘i japin Amerikës autoritetin dhe të drejtën e përjetshme për t‘u shpallur kombeve të botës ideale të saj. Ndërkaq pika e pestë, "Një shpëtim investimesh", i tregon shtetit amerikan rëndësinë e të pasurit nën kujdestari një vend të vogël si Shqipëria. "Pa ushtri pushtuese, pa fonde të mëdha shpenzimesh, pa rrezik komplikimesh me jashtë ose kundërshtimi nga brenda, një forcë e vogël vullnetare me detyrë policie, disa oficerë për të përgatitur, një milici kombëtare, disa ekspertë civilë për të organizuar degët e ndryshme të administratës, një qeveri e aftë energjike dhe e pëlqyeshme, një korpus vullnetarësh si edukatorë, inxhinierë, një borxh i përkohshëm prej disa milionë dollarësh dhe kapitali amerikan i investuar privatisht, do të zhvillojë burimet shumë të pasura natyrore, do të sjellë me siguri përfitim. Këto janë kërkesat për një kujdestari amerikane dhe harxhimet e përgjithshme mund të përballohen lehtë nga shteti dhe menjëherë burimet e saj zhvillohen dhe organizohen siç duhet. Greqia dhe Serbia, duke besuar në ndjenjën e mirë dhe drejtësinë e lartë të Amerikës, do t‘i lënë grindjet e tyre territoriale në duart e saj për t‘i zgjidhur në qoftë se Italia tërheq synimet e saj nga Vlora. Shqipëria, me kufijtë e saj etnikë, është afërsisht sa Nju Xhersi dhe popullsia e saj sa gjysma e Nju Jork Sitit, aspak e vështirë për t‘u qeverisur. Kështu që detyra që i propozohet Amerikës me 100 000 000 njerëz nuk është aq e vështirë po të mendosh pozicionin që ajo mban sot para botës. Në pikën e gjashtë, "Detyra e caktuar e Amerikës për ndërtimin e botës", Erickson vë në dukje forcën e vendit nga vjen dhe mundësitë e këtij vendi për të vendosur rregull. Ai thotë se

Belgjika ka pushuar së qeni një problem, Franca është akoma fisnike dhe e madhe, kështu ajo do të mbajë barrën e saj, do të mbajë edhe të reja, por këtu është një fëmijë i varfër jetim midis kombeve, të cilën askush nuk tregon keqardhje dhe kujdes dhe që për këtë arsye nuk mund të braktiset, të keqtrajtohet e ndoshta të shkatërrohet. Ky popull, duke pasur me vete zemrën e popullit të madh amerikan, do të ketë gjithë përkrahjen prindërore. Duke parë forcimin e vet, dashurinë dhe përmbushjen e detyrës dhe më në fund inkuadrimin e plotë midis popujve vëllezër. Çdo gjë është e favorshme për këtë: një racë e formuar, qartë, e fortë, e bashkuar, e vullnetshme, e përgjegjshme dhe absolutisht e besueshme; një territor i përcaktuar me një pasuri burimesh dhe i vendosur strategjikisht në udhët më të mëdha detare dhe tokësore të botës. Me një fjalë, ata janë një popull sipas zemrës sonë dhe detyra për rezultate të mëdha dhe dashamirëse do t‘i shërbejë për mirë njerëzimit, prandaj jo vetëm ta bëjmë këtë përpjekje të shenjtëruar; thirrja për ne si amerikanë është e fortë dhe e qartë si një thirrje borie: a dyshon kush për përgjigjen që duhet dhënë? "Kjo racë, që ndër shekuj ka ruajtur të paprekur kulturën, traditat, gjuhën, idealet, tani nuk mund të sakrifikohet për këta dashamirës të luftës europiane".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›