E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nata e Bardhë"/ Aktivitetet kulturore gjallërojnë qytetin

Shfaqje muzikore në anije, numra cirku, koncerte në sheshet kryesore me emrat më të njohur të muzikës sot, DJ dhe artistë të huaj, vallëzime dhe teatër. Këto dhe të tjera do të ofrojë Nata e Bardhë që do të çelë siparin mbrëmjen e së premtes në Durrës për t‘u mbyllur mëngjesin e ditës në vazhdim. Është i dyti vit radhazi që në Durrës organizohet kjo natë e veçantë që hap siparin e një fundjave të gjallë e plot ritëm buzë Adriatikut. Ky aktivitet vjen në kuadrin e aktiviteteve të organizuara nga bashkia gjatë sezonit turistik me qëllim gjallërimin e ditë-netëve durrsake për të dhuruar sa më shumë kënaqësi e argëtim për pushuesit e turistët vendas e të huaj. Adrian Gurra, drejtor i departamentit të kulturës në Bashkinë e Durrësit bëri të njohura detajet e kësaj ngjarjeje artistiko-kulturore. Gurra gjatë një konference për shtyp së bashku me dy nga aktorët këngëtarë të shfaqjes më të veçantë të kësaj nate që është ajo në bordin e anijes së trupës "Caravan Stage" tha se ky eveniment zhvillohet më 14 gusht, pasi fluksi i pushuesve të ardhur në qytetin e Durrësit arrin pikun dhe aktiviteti është argëtues për të gjitha grupmoshat dhe shijet e ndryshme të pushuesve e turistëve të shumtë në qytet. E veçanta e kësaj nate do të jetë dhe shfaqja që do të ofrojë në bordin e anijes trupa CaravanStage me artistë nga vende të ndryshme të botës. Mirsini Doxopoulou, artiste greke, fton turistët të ndjekin shfaqen e tyre në bord për të marrë kënaqësi dhe mesazhin për një botë më të mirë. Artistë të njohur shqiptarë dhe kosovarë do të çelin Natën e Bardhë me një spektakël në sheshin para Pallatit të Kulturës. Aktivitetet do të zhvillohen në pjesën më të rëndësishme të qytetit-port duke filluar nga sheshi kryesor i qytetit. Sipas Gurrës, Nata e Bardhë hapet në orën 20.00 nga banda e qytetit e më pas vazhdon në sheshin përpara bashkisë me trupën e cirkut të Tiranës që do të japë shfaqje për të gjithë fëmijët. Në orën 21.00 në skenën përpara Pallatit të Kulturës do të këndojnë këngëtarë nga më të njohurit të Shqipërisë dhe Kosovës të rrymave të ndryshme. Ndërsa në orën 21.30, në Portin e Durrësit, anija e artit me trupën CaravanStage që udhëton dhe jep shfaqje pikërisht në këtë anije do të performojë në një spektakël muzikor me artistë me kombësi nga vende të ndryshme të botës. E veçanta e këtij spektakli është se e gjithë shfaqja zhvillohet në bordin e anijes, me projeksion, kërcime, teatër modern etj. Dy nga artistët pjesëmarrës në këtë spektakël janë Mirsini Doxopoulou nga Greqia dhe Enrique Barragan nga Meksika. Ata thanë se Caravan Stage dhe anija ku performon trupa udhëton në të gjithë botën duke dhënë shfaqje që kanë si qëllim jo vetëm argëtimin e publikut me numra cirku, shfaqje muzikale apo teatër dhe dance, por edhe përcjelljen e një mesazhi paqeje e lumturie që duhet të mbizotërojë në shpirtrat e njerëzve kudo në botë. Në këtë turne të tyre veror, CaravanStage, pasi ka dhënë disa shfaqje në Greqi, do të vazhdojë në Durrës e më pas në Mal të Zi, Kroaci dhe Itali. Hyrja në port dhe anije do të jetë e lirë për të gjithë artdashësit. Gjatë të gjithë natës në bulevardin kryesor do të ketë 2 pika me DJ të njohur, që do të luajnë në sheshin përpara Torrës Veneciane. Po kështu, mjeshtërit artizanë do të paraqesin prodhime karakteristike të bëra nga ata për të prezantuar trevën dhe prodhimet e saj. Në orën 24.00 në skenën e ngritur te shëtitorja "Taulantia" është parashikuar një koncert me këngëtarë dhe grupe të rrymës rok, hard rok.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›