E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerikë, arrestohen tre afganë Po projektonin sulme në Nju Jork

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka raportuar se FBI-ja ka arrestuar tre afganë, të cilët mendohet se ishin duke projektuar një atentat në Nju Jork. Dy nga arrestimet u kryen në Denver, ndërsa tjetri në Nju Jork. Në Kolorado, FBI-ja arrestoi shoferin e autobusit, 24-vjeçarin Najibullah Zazi, dhe të atin Mohammedin 53 vjeç, ndërsa në Nju Jork u arrestua Ahmad Wais Afzali, 37-vjeç. Zazi, në tri ditët e fundit, ishte pyetur shumë herë nga prokurorët federalë, sipas burimeve nga prokuroria e vendit. Departamenti i Drejtësisë ka thënë se arrestimi u bë pasi ai kishte dhënë deklarata të rreme në kuadrin e hetimeve për terrorizëm ndërkombëtar. Djaloshi ka pranuar se ka lidhje me Al-Kaedën. Objektivi i atentatit mendohej se do të ishte Nju Jorku, ndërsa sulmi do të kryhej në ndonjë stacion hekurudhor apo metro. Modeli mendohej se do të ishte ai i sulmeve të 11 marsit të 2004-s në Madrid. Sipas burimeve të FBI-së, Zazi posedonte një video të "Grand central terminal", një prej stacioneve kryesore të metrosë dhe hekurudhës në Nju Jork, ku gjenden dyqane, restorante dhe ku kalojnë më shumë se gjysmë milioni njerëz në ditë. Edhe pse detajet po mbahen sekret në një deklaratë të shkruar e të shpërndarë nga departamenti për sigurinë kombëtare thuhet se "pavarësisht se nuk kanë informacione rreth kohës, vendit dhe objektivit të një sulmi të mundshëm, mendojmë se duhet t‘u kujtojmë autoriteteve të transportit të qëndrojnë gjithmonë në gatishmëri". Sipas shtypit amerikan, Zazi kishte marrë pjesë në një stërvitje në një kamp të Al-Kaedës në Pakistan vitin e shkuar. Në kompjuterin e tij u gjendën udhëzime për ndërtimin e bombave artizanale të ngjashme me ato të përdorura në sulmet terroriste në Londër në vitin 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›