E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Projekti i jugut vijon pa planifikimin urban

Fati i projektit për menaxhimin e integruar të bregdetit me vlerë të përgjithshme prej rreth 35 milionë dollarësh pritet të përcaktohet vitin e ardhshëm. Propozimi i menaxherëve të bankës është që projekti të ristrukturohet dhe nga ai të hiqet pjesa e menaxhimit të tokës, komponent që ishte edhe origjina e problemit me fshatin Jal.

Projekti i BB-së është bashkëfinancuar edhe nga shumë donatorë të tjerë. Nisi në vitin 2005 dhe synonte të ndërtonte një terminal pasagjerësh në Portin e Sarandës, një vend për groposjen e mbetjeve urbane në zonën turistike përgjatë bregdetit të jugut, projekte të vogla për ndërtimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve të ujërave të zeza në të gjithë këta fshatra, si dhe menaxhimin ambiental të zonës përmes urbanizimit të planifikuar. Komponenti i fundit ishte më i debatuari dhe më i kundërshtuari nga banorët e zonës, të cilët e shihnin atë si pararendës për koncesione fshatrash turistikë apo si mjet për të caktuar se në tokën e kujt do të ndërtohet e kujt jo. Pas ristrukturimit, Banka Botërore do të heqë dorë nga financimi i çdo lloj aktiviteti që lidhet me menaxhimin e territorit.

Komponenti për gjetjen e një zone të përshtatshme për groposjen e mbetjeve urbane të zonës ka hasur në kundërshtimin e banorëve të fshatit Bajkaj, ku qe menduar fillimisht të ngrihej impianti i përpunimit. Aktualisht, në shumë prej fshatrave të jugut nuk ka ende një sistem të grumbullimit të mbetjeve urbane dhe pastrimit të plazheve, gjë që e ka mbushur bregdetin me shishe e mbetje të tjera. Për Himarën, Sarandën e zona të tjera, plehrat depozitohen anës rrugës kombëtare dhe digjen përgjatë të gjithë vitit, duke krijuar një panoramë të keqe për turistët vendas e të huaj.

Projekti synon që të nxisë banorët vendas të ndërmarrin projekte të vogla investimesh në infrastrukturë, të cilat paguhen në masë të gjerë nga Banka Botërore dhe në një masë të vogël nga vetë komunitetet. Disa fshatra kanë përfituar rrugë dhe ujësjellës përmes kësaj skeme.

Projekti ka edhe dy komponentë të tjerë të rëndësishëm: menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme industriale që gjenden aktualisht në zonën e Porto Romanos në Durrës, si edhe krijimin e sistemit të menaxhimit të biodiversitetit në parkun kombëtar të Butrintit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›