E Shtunë, 31 Tetor 2026

Psikologu "vrasës" u merr jetën dy pacientëve

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur në Berlin, gjatë një seance psikoterapie në grup. Mjeku që drejtonte seancat u vu në pranga, me akuzën se u kishte dhënë pacientëve një përzierje drogash që kishte provokuar vdekjen e dy prej tyre. Gjatë seancës së psikoterapisë, një nga 12 personat e pranishëm i ka telefonuar shërbimit të urgjencës, ndërsa një pjesë e pjesëtarëve të grupit kishin humbur ndjenjat në zyrën e mjekut në periferi të kryeqytetit gjerman. Një burrë 59 vjeç humbi menjëherë jetën, ndërsa një tjetër pacient 28 vjeç vdiq në spital, ku kishte mbërritur në gjendje shumë të rëndë. Edhe një tjetër pacient ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa nëntë të tjerët janë larguar nga spitali, ka bërë të ditur policia. Sipas prokurës, mjeku 50-vjeçar u mor në pyetje dhe pranoi se u kishte dhënë pacientëve "substanca të ndryshme dhe disa lloje drogash për të zgjeruar ndërgjegjen e tyre". Për momentin nuk dihet nëse ai i ka përdorur këto substanca me qëllim vrasjen e pacientëve dhe policia nuk ka sqaruar ende se çfarë lloj drogash janë përdorur. Mjeku, ashtu siç lexohej në tabelën që të çonte në studion e tij, ofronte terapi "psikolitike". Sipas zërave të pakonfirmuar, të raportuar nga gazetat vendase, pacientëve u ishte ofruar një koktej heroine, amfetamine dhe ekstazie. Disa prej pacientëve ishin ende të përgjegjshëm, por në gjendje konfuze në momentin kur erdhi ndihma mjekësore. Ata kanë kundërshtuar shtrimin në spital, por u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjendjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›