E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, "samit" trepalësh për paqen në Lindjen e Mesme

Pavarësisht dështimit të misionit të të dërguarit amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Mitçëll, Presidenti amerikan, Barak Obama, nuk dëshiron të dorëzohet kollaj, madje kërkon me çdo kusht rinisjen e procesit të paqes për këtë rajon.

Lajmi surprizë erdhi nga Shtëpia e Bardhë, ku thuhej se të martën në Nju Jork Presidenti amerikan do të takohet me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahun, dhe liderin e palestinezëve Abas në prag të sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas raportimeve, mendohet se Obama do të zhvillojë biseda kokë më kokë me të dy liderët. Ky takim do të pasohet me një tjetër trepalësh, ku mendohet të "hidhen bazat" për rinisjen e procesit të paqes. Zyra e Netanjahut e ka konfirmuar takimin, duke shpjeguar se Izraeli "i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Obamës për t‘u takuar edhe me Presidentin e Autoritetit Palestinez". Një këshilltar i udhëheqësit izraelit tha se takimi i Nju Jorkut do të zhvillohet pa kushte, ashtu siç ka kërkuar gjithnjë Kryeministri. Një nga çështjet për të cilat duhet të bien dakord të tria palët, është ajo e bllokimit të ndërtimeve izraelite në Cisjordaninë dhe Jerusalemin lindor. Obama, nga ana e tij, i ka kërkuar Izraelit ngrirjen e menjëhershme të këtij procesi. Shteti hebre ka replikuar, duke ofruar vetëm një shtyrje afati prej nëntë muajsh, por pa e ndërprerë ndërtimin e rreth 3000 banesave. Ndërprerja e këtyre ndërtimeve është një nga kushtet kryesore edhe për Mahmud Abasin për rinisjen e negociatave të ndërprerë dhjetorin e shkuar pas operacionit ushtarak të ndërmarrë nga izraelitët në Rripin e Gazës. Megjithatë, Palestina duket se ka frenuar shpresat për një progres të shpejtë në procesin e paqes: "Takimi nuk do të thotë aspak rinisje e negociatave, sepse këto do të varen nga pezullimi i kolonizimit izraelit", ka shpjeguar një burim anonim.

Për këtë arsye, duket se Obama është përfshirë personalisht në procesin e paqes që, sipas Xhorxh Mitçëllit, është një mision i cili "shoqëron përpjekjet tona për të inkurajuar të gjitha palët të marrin përgjegjësitë e tyre për paqen dhe të krijojë një atmosferë pozitive për rifillim e bisedimeve". I dërguari i posaçëm amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Mitçëll, u kthye të premten në Shtetet e Bashkuara, pas takimit katërditor në rajon me udhëheqësit izraelitë e palestinezë. Ai nuk arriti t‘i bindte të dyja palët të binin dakord lidhur me çështjen e ndërtimit të vendbanimeve hebraike. Presidenti palestinez, Mahmud Abas, tha se dështimi për ta bindur Izraelin që t‘u japë fund ndërtimeve të vendbanimeve hebrenje në zonat e pushtuara të Bregut Perëndimor nënkupton se bisedimet për paqe kanë ngecur. Ai i bëri këto komente pas përfundimit të takimit me Presidentin egjiptian, Hosni Mubarak në Kajro. Zyrtarët palestinezë deklaruan se emisari amerikan për Lindjen e Mesme, Mitçëll, e përfundoi raundin e tij më të fundit diplomatik pa një marrëveshje për rifillimin e bisedimeve për paqe. E vetmja shpresë për shkrirjen e akullit dhe rifillimin e tyre ngelet takimi i së martës mes Obamës-Netanjahut dhe Abasit, në prag të sesionit të 64-t të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›