E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Amfiteatri i dhunës” dhe “kasta” e FSHF-së

Nga Franc Hoxha

Policia e Burrelit arrestoi pardje agresorin e Sulejman Memës në Burrel, por gjithcka ka ndodhur pasi ai ka kryer aktin, i cili mund te kishte qenë fatal për një nga emblemat e futbollit shqiptar, dy herë kampionin si lojtar dhe dy herë kampionin si trajner. Federata Shqiptare po dëshmon se është e paaftë të menaxhojë kampionatet e futbollit dhe të administrojë "kastën" e xhaketave të zeza, marrëdheniet e të cilëve me drejtuesë jashtë fushave dhe vendimet e kontestuara brenda tapetit të gjelbër, po nxisin e prodhojnë dhunë në stadiumet shqiptare të futbollit. Skandalet në fushat e futbollit pas përfundimit të takimeve duket se po përjetojnë një reaksion zinxhir të papërballueshëm nga krerët aktualë të Federatës Shqiptarë të Futbollit, të cilët përvec ndonjë deklarimi "të detyruar" për shou mediatik, nuk kanë "zbuluar" ende "pikat" që duhen vendosur mbi "I"-në që tashmë nuk mund ta zërë as selia e FSHF-së. Në fakt duket se ka një "garë" midis klubeve se kush do të bëjë "pozën më të bukur" të dhunës. Kronika futbollistike është e bashkëshoqëruar dhe e pandarë nga kronika e zezë. Rasti më flagrant ishte dhunimi i Sulejman Memës pas përfundimit të ndeshjes Burreli-Erzeni. Por, nëse për momentin kjo është pjesa e fundit e parë e telenovelës, shumë të tjera kanë ndodhur me të njëjtën ashpërsi. Filmi është i gjatë. Pas incidentëve në Vlorë që shoqëruan ndeshjen Flamurtari-Teuta (gjyqtar Bardhyl Pashaj) dhe ndëshkimit dhe pezullimit të drejtuesve më të lartë të Klubit të Futbollit Flamurtari (skuadra u detyra të luante tri ndeshje jashtë fushës), "destinacioni" i ri i dhunës ishte Erseka. Pas ndeshjes Gramozi-Bylis (gjyqtar Tanush Latifi) dhuna ndaj xhaketës se zëzë e ushtruar nga drejtuesit e Klubit të Futbollit Gramozi (skuadër e kategorisë së dytë) ka qenë e ashpër dhe e patolerueshme. Masat e Komisionit të Disiplinës ekstreme: Gramozi përjashtohet për një vit nga veprimtaritë futbollstike. Por, në asnjë stadium nuk ka reflektim. Klubi i Futbollit i Kategorisë së Parë, Pogradeci për dëmtimin e arbitrit të katërt në ndeshjen Pogradeci-Skënderbeu si pasojë e hedhjes në fushë të sendeve të forta u gjobit me 200 mijë lekë. Fusha e Peqinit, konsiderohet prej kohësh si "amfiteatri i dhunës" dhe frika e përhershme e gjytarëve, ekipeve të elitës. Rasti më i fundit i "tragjedisë" së shfaqur në Peqin u prezantua gjatë ndeshjes Shkumbini-Partizani. Presion psikologjik dhe fyerje ndaj drejtuesve të lartë të Partizanit (Xhani, Tomorri), incidente me gjyqtarët anësorë (Shima, Avdo). Fusha e Peqinit pezullohet për gjashtë javë nga Komisioni i Disiplinës. Sërish asnjë ndërgjegjësim nga drejtuesit e klubeve të tjera, të Kategorisë Superiore apo të Parë, pasi nga klubet e kategorive më të ulëta dhe atyre të moshave, askush nuk pret përmirësim të situatës. Dy javë pas "pushimeve" post-Peqin, dhuna transferohet në Krujë. Drejtuesit e Klubi i Futbollit "Kastrioti" Shaban Dallaku dhe Ali Veseli për goditje të arbitrit dënohen me 1 vit pezullim nga drejtimi ekipit. Drejtuesit e Klubi i Futbollit "Kastrioti" Shaban Dallaku dhe Ali Veseli për goditje të arbitrit dënohen me 1 vit pezullim nga drejtimi ekipit. Tragjedia e Burrelit që përfundoi me hemoragjinë e shefit të gjyqtarëve Sulejman Mema, u përsërit të dielën në përfundim të takimit Policani-Bylis, ku drejtuesit ballshiotë akuzojnë, jo më një drejtues apo punëtor klubi, futbollistë apo trajnerë, por një kryeebashkiak me emrin Adriatik Zotka. Kur përfshihen edhe drejtuesit më të lartë vendorë, atëherë pak është të flitet për futboll, apo për "palofutbollin" shqiptar, që duket se është produkti i vetëm i "furrës" Federata Shqiptare e Futbollit. Por, ajo që duhet thënë me forcë, është se futbolli mbahet i "duarlidhur" në selinë e rrugës "Labinoti"... * * * Kronika e "zezë" e dhunës shqiptare Klubet 1.Klubi i Futbollit "Besa" për ndeshjen e zhvilluar në stadiumin "BESA" të Kavajës Besa-Vllaznia (1-1), për mos marrjen e masave organizative në fushën e lojës, në mjediset gjatë dhe pas ndeshjes në bazë të nenit u gjobit me 100 mijë lekë dhe zhvillimin e një ndeshje të rradhës në fushë asnjënjanjësë. 2. Klubi i Futbollit "Shkumbini" për incidente të publikut të klasifikuara të lehta dënohet me 50 mijë lekë gjobë pas ndeshjes Shkumbini-Elbasani (3-0). 3. Komisioni i Disiplinës gjobiti zyrtarët e KF Flamurtari, Sokol Kushta, Përparim Lushaj për veprime dhe fyerje të arbitrave gjatë ndeshjes Flamurtari-Teuta. Sokol Kushta u pezullua për një periudhë një vjecare nga drejtimi i ekipit Flamurtari dhe me 150 mijë lekë gjobë. Drejtori Pëparim Lushaj u ndëshkua me një ndeshje pezullim nga drejtimi i ekipit dhe 25 mijë lekë gjobë. Zyrtarët e KF "Flamurtarit" Luan Birce dhe Latif Gjondeda për goditje me grusht të arbitrit dënohen me një vit pezullim secili nga aktiviteti futbollistik. 4. Klubi i Futbollit "Pogradeci" për dëmtimin e arbitrit të katërt në ndeshjen Pogradeci-Skënderbeu si pasojë e hedhjes në fushë të sendeve të forta u gjobit me 200 mijë lekë. 5. Drejtuesit e Klubi i Futbollit "Kastrioti" Shaban Dallaku dhe Ali Veseli për goditje të arbitrit dënohen me 1 vit pezullim nga drejtimi ekipit. 6. Fusha e Peqinit pas incidenteve të ndodhura gjatë zhvillimit të ndeshjes Shkumbini-Partizani (0-2) ndaj asistentëve Indrit Shima dhe Sokol Avdo pezullohet për 6 ndeshje. Skuadra do t'i luajë takimet e konsideruara shtëpiake në fushë asnjanjëse. Klubi i Futbollit "Shkumbini" gjobitet edhe me 300 mijë lekë. 7.Klubi i Futbollit "Gramozi" për dhunën e ushtruar ndaj arbitrave dhe futbollistëve kundërshtarë, për mosmarrje të masave organizative për sigurinë e ndeshjes e shoqeruar me invadim të fushës dhe akte të renda dhune gjatë ndeshjes Gramozi-Bylis, përjashtohet nga kampionati dhe cdo veprimtari futbollistike për 1 vit dhe zbritjen në një kategori më të ulët, e shoqëruar kjo dhe me një gjobë prej 300 mijë lekësh. Drejtuesit e ekipit të Gramozit, trajnerët Ilir Qiriako dhe Fatos Llanaj për ofendim të arbitrave dënohen me dy ndeshje pezullim në drejtimin e ekipit dhe gjobiten me 150 mijë lekë seicili. Zyrtari i KF "Gramozi", Vladimir Jashari pezullohet gjashtë vjet nga të gjitha aktivitetet futbollistike, plus një gjobe prej 200 mijë lekësh. 8. Zyrtari i Klubit te Futbollit "Apolonia", Liu Bistika për ofendim të arbitrit dënohet me një ndeshje pezullim nga drejtimi dhe 30.000 leke gjobë. 9. Klubi i Futbollit "Luftëtari" për hedhje të sendeve të forta në fushë dhe ofendim publik të arbitrave dënohet me 100.000 leke gjobë. Futbollistët 1.Futbollisti i Vllaznisë Admir Teli i dënuar me karton të kuq ne ndeshjen kundër Besës gjobitet me 10 mijë lekë për lojë të ashpër por pa krijuar rrezik per shendetin e lojtarit. 2. Futbollisti i KF Laci (kategoria e parë), Kreshnik Ivanaj për fyerje të arbitrit u dënua me 4 ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh. 3.Futbollisti i ekipit të Kastriotit, Shkelzen Rustami për fyerje të arbitrit dënohet me 4 jave pezullim dhe gjobë prej 100 mijë lekësh. 4. Futbollistët e ekipit Gramozi: Ergi Xaka, Adriatik Kodra, Armand Caka, Ervis Ismolli, Hyserion Shupe dhe Evis Peci, për rrahje të arbitrave te ndeshjes Gramozi-Bylis e kryer me bashkepunim ne mes tyre që ka sjellë pasoja të rënda në shëndetin e arbitrave dënohen me tre vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet futbollistike dhe me nga 200 mijë lekë gjobë seicili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›