Amnesty International: Gërdeci nxori në pah korrupsionin dhe trafiqet ilegale
Raporti vjetor i organizatës së njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në pjesën për Shqipërinë thekson se shpërthimi i Gërdecit nxori në pah korrupsionin dhe trafikun ilegal të armëve.
“Një hetim nisi pas një shpërthimi në mars në një depo ku dërgoheshin municione të dala jashtë përdorimit për demontim. Ministri i Mbrojtjes u shkarkua dhe humbi imunitetin, ndërsa një seri zyrtarësh të Ministrisë së Mbrojtjes u arrestuan. Shpërthimi solli 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe shkatërrimin apo dëmtimin e qindra shtëpive. Shpërthimi nxori në pah të dhëna për korrupsion dhe trafik ilegal armësh”, - thuhet në raport.
Organizata e njohur thotë se ka pasur më shumë procedime për raste korrupsioni, por ato kanë mbetur në nivele të ulëta zyrtarësh.
“Procedimet penale për korrupsion janë rritur, por kanë shenjestruar kryesisht zyrtarë të nivelit të ulët. Besimi i publikut në sistemin gjyqësor është i ulët”, - thotë raporti.
Amnesty International e sheh si shqetësuese situatën e papunësisë në vend, por jo më pas mbeten probleme të tilla si dhuna në familje apo trafiku i qenieve njerëzore.
Sipas AI, 18 për qind e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë.
“Niveli i papunësisë vazhdon të jetë i lartë, pavarësisht progresit ekonomik të vazhdueshëm. Më shumë se 18 për qind e popullsisë përllogaritet se jeton poshtë vijës kombëtare të varfërisë me 2 dollarë në ditë. Kjo pjesë e popullsisë gjithashtu vuan më së shumti mungesën e shkollimit, furnizimit me ujë dhe shërbimit social dhe shëndetësor”, - thuhet në raport.
Amnesty International thotë se në Shqipëri dhuna në familje është e kudogjendur dhe shton se një në tri femra dhunohet.
“Dhuna në familje është shumë e përhapur dhe besohet se prek një në tri femra. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008, policia regjistroi 612 incidente të dhunës në familje, ndërkohë që mendohet se shumë të tjera nuk raportohen. Autoritetet kanë marrë masa për të rritur mbrojtjen për viktimat, shumica e të cilave femra.
Shumë pak raste që përfshijnë dhunën në familje janë proceduar penalisht, vetëm në rast se përfshijnë kërcënime me jetë ose rezultojnë me plagosje serioze ose me vdekje”, - thekson raporti.
Shqetësuese mbetet situata edhe porsa i përket trafikimit të qenieve njerëzore.
“Gratë dhe vajzat vazhdojnë të trafikohen për prostitucion, dhe fëmijët për të lypur, kryesisht në Greqi dhe në Itali.
Mbrojtja e viktimave vazhdon të jetë e dobët dhe policia mbështetet kryesisht te viktimat për të raportuar trafikimin”, - thuhet në raport.
Në pjesën e raportit për Shqipërinë është prekur dhe situata e rëndë në komisariate dhe burgje, ku të arrestuarit dhe të burgosurit dhunohen dhe nuk marrin shërbimet e nevojshme.
Raporti flet dhe për gjendjen e mjeruar të jetimeve në vendin tonë dhe dështimin e qeverisë për sa i përket çështjes së strehimit.
Përmbledhja e raportit
Ngjarja e Gërdecit
Një hetim nisi pas një shpërthimi në mars në një depo ku dërgoheshin municione të dala jashtë përdorimi për demontim. Ministri i Mbrojtjes u shkarkua dhe humbi imunitetin, ndërsa një seri zyrtarësh të Ministrisë së Mbrojtjes u arrestuan. Shpërthimi solli 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe shkatërrimin apo dëmtimin e qindra shtëpive. Shpërthimi nxori në pah të dhëna për korrupsion dhe trafik ilegal armësh.
Dhuna në familje
Dhuna në familje është shumë e përhapur dhe besohet se prek një në tri femra. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008, policia regjistroi 612 incidente të dhunës në familje, ndërkohë që mendohet se shumë të tjera nuk raportohen. Autoritetet kanë marrë masa për të rritur mbrojtjen për viktimat, shumica e të cilave femra.
Shumë pak raste që përfshijnë dhunën në familje janë proceduar penalisht, vetëm në rast se përfshijnë kërcënime me jetë ose rezultojnë me plagosje serioze ose me vdekje.
Megjithatë, viktimat kanë kërkuar gjithmonë e më tepër mbrojtje prej abuzuesve të tyre.
Nga janari në shtator, policia raporton se 253 viktima kanë aplikuar në gjykatë për të përfituar urdhra mbrojtje sipas legjislacionit të miratuar në vitin 2007.
Megjithatë, shpesh gjykatat nuk arritën t’i lëshojnë këto urdhra, për shkak se viktimat tërhoqën akuzat e tyre ose nuk u paraqitën në gjykatë.
Trafikimi i qenieve njerëzore
Gratë dhe vajzat vazhdojnë të trafikohen për prostitucion, dhe fëmijët për të lypur, kryesisht në Greqi dhe në Itali.
Mbrojtja e viktimave vazhdon të jetë e dobët dhe policia mbështetet kryesisht tek viktimat për të raportuar trafikimin.
Gjatë vitit 2008, Gjykata e Krimeve të rënda gjykoi 30 raste për akuzën e trafikimit të femrave për shfrytëzim seksual dhe 6 të tjera për akuzën e trafikimit të fëmijëve.
Dhuna në burgje dhe komisariate
Ka akuza se të arrestuarit torturohen ose keqtrajtohen, zakonisht menjëherë pas arrestimit ose gjatë marrjes në pyetje. Në tetor, Ministria e Brendshme bëri të ditur se gjatë tri viteve të fundit 128 oficerë policie ishin raportuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm te prokurorët për veprime arbitrare për sa i përket përdorimit të dhunës.
Megjithatë, shumë pak nga këto raste janë dërguar në gjykatë. Në përgjithësi, procedimet penale fillojnë vetëm pasi viktima ngre një padi ose me rekomandim të Avokatit të Popullit.
Në një rast, prokurorët dhe gjykatësit nuk nisën hetime, kur një i akuzuar i mavijosur u soll përpara tyre gjatë një seance gjyqësore.
Prokurorët shumë rrallë ngrenë padi për torturë, duke preferuar të ngrenë akuza të lehta si ajo për veprime arbitrare, e cila në praktika dënohet kryesisht me një gjobë.
Në janar, funksionet e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës iu besuan Avokatit të Popullit.
Pas disa inspektimeve të paparalajmëruara në disa rajone policie, Avokati i Popullit mësoi dhe bëri publike disa raste të keqtrajtimit policor. Pas një inspektimi të tillë në nëntor, policia e qytetit të Shkodrës nisi një procedim kundër avokatit të Popullit, duke pretenduar se ai kishte penguar një hetim duke iu referuar publikisht dy oficerëve gjyqësore dhe viktimave të pretenduara të tyre me iniciale.
Ka gjithashtu pretendimet se të burgosurit keqtrajtohen nga ana e gardianëve.
Kushtet e burgjeve shpesh janë çnjerëzore. Shërbimi mjekësor nuk është i shpejtë dhe të sëmurët mendorë nuk veçohen nga të burgosurit e tjerë dhe marrin pak ose aspak trajtim nga specialistët.
Problemet e jetimëve dhe çështja e strehimit
Shteti sërish ka dështuar që të implementojë ligje që bëjnë të mundur që jetimet, që kanë kompletuar edukimin sekondar ose që kanë arritur pjekurinë, të kenë akses për banesë.
Disa nga 300 jetimë të rritur, të cilët si fëmijë ndanin të njëjtat dhoma, vazhdojnë të banojnë sërish në të njëjtat ambiente, me kushte tejet të rënduara.
Megjithatë, mundësia shumë e kufizuar për banesa sociale ka bërë që ende të mos nisë plotësimi i nevojave të 45 mijë familjeve të regjistruara si të pastreha.