Qeveria, 50 milionë për lindjet e reja
Qeveria ka marrë vendimin për shtimin e fondit prej 50 milionë lekësh në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, me qëllim për përballimin e shpenzimeve për shpërblimin për lindjen e fëmijëve. Një fond i tillë do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të vitit 2009. Fondi shihet si pjesë e programit “Shërbimi i Gjendjes Civile”. Ministri i Brendshëm në relacionin e paraqitur thekson se në bazë të ligjit për gjendjen civile parashikohet që të ketë një masë shpërblimi në vlerën prej 5 mijë lekësh për lindjen brenda vendit, të deklaruara këto brenda 60 ditëve dhe për lindjet jashtë vendit, të deklaruara këto brenda 90 ditëve. Si rezultat i mos aktivizimit të këtij fondi, sipas Ministrisë së Brendshme, shumë bashki dhe komuna kanë kërkuar zbatimin e ligjit, pasi iu është prekur fondi i tyre. Por ministria e cilëson si jo të mjaftueshëm një masë të tillë, edhe pse për momentin është lehtësuese. Në ligjin aktual një shumë e tillë shihet më tepër për të parandaluar fenomenin e mos regjistrimit të fëmijëve gjatë momentit të lindjes. Një fenomen i tillë konsiderohet më tepër në familjet rome apo tek ato më të varfrat, që s’kanë mundësi ekonomike.