Raporti i Amnesty: Gërdeci, korrupsion dhe trafik armësh
Për Amnesty International korrupsioni, trafiku i qenieve njerëzore, dhuna në familje dhe papunësia mbeten ende problem në Shqipëri. Në kapitullin për Shqipërinë, raporti vjetor saktëson se është përhapur dhuna në familje. “Trafiku i grave dhe fëmijëve për prostitucion të detyruar dhe forma të tjera të shfrytëzimit ka vazhduar. Ka pasur incidente të torturave dhe keqtrajtime të të ndaluarve në stacionet policore dhe burgje. Kushtet e paraburgimit janë ndonjëherë çnjerëzore”, thuhet në raport. Amnesty shton se, “niveli i papunësisë në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë me gjithë përparimin ekonomik”. Më shumë se 18 për qind e popullsisë llogaritet të jetojë nën nivelin kombëtar të varfërisë, që është vetëm 2 dollarë në ditë. Ky grup i popullsisë thotë organizata vuan gjithashtu nga kufizimi i qasjes për arsim, kujdes social dhe shëndetësor. Ndjekjet penale për korrupsion, sipas raportit të Amnesty International u rritën, por ato kishin si objektiv kryesisht zyrtarë të nivelit të ulët. Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë, thotë Amnesty International, është i ulët. Raporti përmend hetimin për shpërthimin e Gërdecit, që solli largimin e ministrit të Mbrojtjes dhe arrestimin e disa zyrtarëve të kësaj ministrie. Ngjarja thotë se Amnesty shtoi akuzat për korrupsion dhe tregti të paligjshme armësh. “Dhuna në familje është përhapur dhe besohet të ndikojë një në çdo tri gra. Në nëntë muajt e parë të vitit 2008 policia regjistroi 612 incidente të dhunës, megjithëse mendohet se rastet kanë qenë shumë më të mëdha, por nuk janë raportuar. Autoritetet shqiptare morën masa për të rritur mbrojtjen për viktimat, shumica gra. Gratë dhe vajzat vazhdojnë të trafikohen për prostitucion të detyruar, ndërsa fëmijët shfrytëzohen si lypsarë në Greqi dhe Itali. Mbrojtja e viktimave vazhdon të jetë e dobët dhe policia mbështetet në pjesën më të madhe te viktimat për të raportuar trafikimin”, thuhet në raport. Organizata botërore ngre shqetësimin për torturat dhe keqtrajtimet e të ndaluarve si dhe gjendjen e burgjeve. “Ka akuza që të ndaluarit janë torturuar apo keqtrajtuar, zakonisht pas arrestimit, apo duke u marrë në pyetje. Megjithatë shumë pak nga këto raste janë gjykuar. Kushtet e paraburgimit në disa raste janë çnjerëzore dhe trajtimi i degraduar”, thotë raporti.