Oborret në përdorim, AKKP nis procesin e shitjes
BLEDAR HOTI
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nis procesin e blerjes së oborreve të personave që i kanë në përdorim pa pasur pronësinë. Kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, në konferencën e djeshme për shtyp bëri të ditur se, “të gjithë personat e interesuar mund të paraqiten për zbatimin e vendimit ‘Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar’”. “I ftoj subjektet e interesuara që të paraqiten pa humbur kohë në zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe për të formalizuar kërkesat e tyre për tjetërsim të këtyre sipërfaqeve nëpërmjet plotësimit të formularëve përkatës. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky proces për të gjithë ata individë, të cilët nuk janë juridikisht pronarë të oborreve rreth shtëpive, dëshiroj të siguroj të interesuarit, se për strukturat e AKKP-së ky do të jetë prioriteti i tyre kryesor dhe se për realizimin e këtij procesi do të ketë një angazhim maksimal”, tha Çefa. Kreu i AKKP-së ka bërë një pasqyrë të punës së këtij institucioni për një periudhë 3-vjeçare. “Në vitin 2007 nga të gjitha strukturat e kësaj agjencie janë dhënë në total 2479 vendime, në vitin 2008 nga të gjithë strukturat janë dhënë 4639 vendime. Vetëm gjatë këtij 5-mujori të këtij viti janë dhënë 1093 vendime. Gjatë kësaj periudhe trevjeçare kemi trajtuar 1461 kërkesa për kompensimin financiar, kemi shpërndarë 1.3 miliardë lekë në formën e kompensimit financiar për 340 pronarë”, tha Çefa. Për çështjen e oborreve në pronësi ka ndërhyrë edhe kryeministri Sali Berisha, duke deklaruar se qytetarët do t’i gëzojnë ato. “Unë e përgëzoj Agjencinë e Kompensimit të Pronave për skemën shumë të mirë që ka bërë. Sepse qytetarëve po shkojnë t’ua prishin oborret me ruspa nga bashkia, pasi e kanë marrë vesh se ato oborre do të bëhen prona të tyre. Asnjë oborr nuk do të preket. Kjo është kategorike. Oborret në përdorim, për shkak të ligjit të diktaturës, do të konsiderohen automatikisht oborre në pronësi dhe është absolutisht vetëm çështje dokumentesh”, deklaroi Berisha.
Çmimet e oborreve në përdorim që duhet të paguajnë
Për sip. deri në 100 m2 200 mijë lekë
Për sip. nga 101 m2-200 m2 300 mijë lekë
Për sip. nga 201 m2-300 m2 400 mijë lekë
Për sip. nga 301 m2-400 m2 500 mijë lekë
Për sip. nga 401 m2-500 m2 600 mijë lekë