E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e lagjes "24 Maji" bllokojnë ndërtimin e një pallati

Dhjetëra banorë të lagjes "24 maji" ose siç njihet ndryshe "Çole", kanë protestuar dje në mëngjes, duke bllokuar punimet e një pallati në territorin ku ata banojnë. Ata nuk kanë lejuar punëtorët e firmës së ndërtimit, të nisnin punën si çdo ditë, madje kanë prishur dhe gardhin rrethues të objektit që po ndërtohet. Sipas tyre, u ishte premtuar nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, t‘u ndërtohej një lulishte dhe për këtë arsye u janë prishur garazhet. "Po në vend të lulishtes me stola dhe drita që na u premtua, u hap një gropë e madhe për ndërtimin e një pallati, i cili do të na izolojë gjithë pamjen, si dhe do na "zërë frymën", kanë thënë ata për "Shqip". Të irrituar ata janë shprehur se kërkonin që Gjika të ndërpresë punimet, në të kundërt ata nuk do të lejojnë që të vazhdohet ndërtimi, duke kërcënuar se do të ngujohen në gropën, që është hapur për ngritjen e ndërtesës. Në Bashkinë e Vlorës askush nuk jep përgjigje për pallatin që po ndërtohet, se cila firmë ka marrë përsipër ngritjen e tij apo lejen e ndërtimit, pasi objekti bie në kundërshtim me të gjitha rregullat e ndërtimit. Kjo sepse nuk ka zbatim të hapësirës midis dy pallateve, si dhe të tjera që KRRT-ja e bashkisë duhet ta rishikojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›