E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaria, në Shqipëri zbulohet rasti i parë

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, dhe drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive pranë ISHP-së, Silva Bino, kanë konfirmuar se një person i prekur nga malaria ndodhet i shtruar në Shërbimin e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Një shtetas me nënshtetësi britanike, i cili prej tre vjetësh punon në Tiranë për një organizatë jofitimprurëse, është shtruar dje në shërbimin e infektivit. Mosha e pacientit është rreth 40 vjeç. I sëmuri udhëton shpesh jashtë vendit dhe mendohet që virusi i malaries të jetë importuar nga vendet e Afrikës. Aktualisht, britaniku që punon prej tre vjetësh në Shqipëri, është izoluar pranë këtij shërbimi, ku po merr edhe trajtimin përkatës. I sëmuri ka hyrë në territorin shqiptar katër ditë më parë, por nuk është ndaluar në dhomën e mjekut në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit për të marrë ndihmë mjekësore. Kjo është pika kufitare nga ku ka hyrë shtetasi britanik, aktualisht i izoluar në infektiv.

Simptomat që ka shfaqur pacienti kanë qenë dhembje koke, temperaturë e lartë, shqetësime gastrointestinale, diarre.

"Sipas informacioneve operative që kam, rezulton se një pacient i sëmurë me malarie po trajtohet në shërbimin e infektivit. Mendohet që virusi të jetë importuar nga vendet e Afrikës", sqaroi Alban Ylli, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tij, ky pacient është paraqitur me të njëjtin virus edhe një herë tjetër, pranë shërbimit të Infektivit në Tiranë.

"Raste të tilla malarie të importuar nga vende të huaja kemi pasur në mënyrë periodike dhe i kemi raportuar. Vendet e importit kanë qenë vende si India, Kina, Afrika. Rasti i fundit mendohet të jetë importuar nga Afrika, ku shtetasi ka pasur aktivitet, ndërkohë që nuk paraqitet asnjë lloj shqetësimi për popullatën", theksoi me tej Alban Ylli. Sipas tij, pacienti britanik është trajtuar edhe herë tjetër në Shërbimin e Infektivit.

Faktin e ka pohuar edhe specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila ka sqaruar se pacienti ndodhet i izoluar në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Pacienti, po merr trajtimin e nevojshëm në spital, po kryhen të gjitha ekzaminimet dhe ndodhet në gjendje të izoluar, ndërkohë që po mbahet nën vëzhgim nga stafi mjekësor. Pacienti ka shkuar për trajtim në spitalin infektiv edhe një herë tjetër. Sipas infeksionistëve, mendohet se virusi është kronik dhe sëmundja është përsëritur në organizmin e tij.

Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një pacient, i cili mund të jetë burim infeksioni për të gjithë popullatën. Infeksioni nuk ka pasur vend origjine Shqipërinë, por Afrikën. Kjo nuk përbën asnjë rrezik për popullatën, pasi rasti është i izoluar. Theksohet që virusi është i importuar. Por strukturat shëndetësore, nuk kanë rënë dakord për të konfirmuar lajmet me të njëjtat të dhëna dhe për të përcjellë informacionin, sipas fakteve aktuale.

Shefi i Shërbimit të Infektivit, Dhimitër Kraja, ka deklaruar dje publikisht se: "Nuk kemi asnjë rast me malarie". Sipas tij, në këtë pavijon nuk ndodhet asnjë i sëmurë me këtë virus. Gjatë ligjërimit të tij të shkurtër, Kraja ka theksuar se pacienti i fundit me këtë sëmundje është evidentuar pranë shërbimit të Infektivit katër vjet më parë.

MALARIA

Si manifestohet?

Temperaturë që zgjat me javë, madje edhe përtej 40ºC. Pas 48 orësh temperatura normalizohet.

Simptomat

Asnjë.

Çfarë duhet bërë?

Kura bazohet në ilaçe të shumta, me efekt eliminues të agjentit infektues.

Sëmundja

Shkaktohet pas pickimit

nga një mushkonjë e infektuar

Malaria është një sëmundje infektive, shkaktuar nga parazitët protozoar. Është e përhapur në mënyrë të gjerë në vendet subtropikale, duke përfshirë vende si Amerika, Afrika, Azia.

Çdo vit ka rreth 350-500 milion raste me malarie, duke shkaktuar vdekjen e deri 3 milion njerëzve, ku shumica prej tyre janë fëmijë nga zonat afrikane. Malaria shoqërohet me varfërinë.

Zakonisht njerëzit infektohen nga malaria, pasi pickohen nga një mushkonjë e infektuar e gjinisë femërore, Anopheles.

Simptomat janë dhembje koke, vështirësi në frymëmarrje, takikardi. Ndërkohë që, simptoma të tjera janë ethet, temperatura, të vjella, rrufë dhe në raste të rënda kalon në koma dhe vdekje.

UNICEF:

Malaria vret çdo vit 800 mijë fëmijë

Sipas të dhënave të UNICEF-it, çdo vit në botë vdesin 800 mijë fëmijë, nga sëmundja e malaries. 80 për qind e viktimave të malaries janë fëmijë në moshë nën pesë vjeç nga zonat në jug të Saharës në Afrikë. Veçanërisht në krahinat rurale, pjesa më e madhe e fëmijëve flenë pa mbrojtje nga mushkonjat, të cilat mbartin mikrobin e sëmundjes. Sipas deklaratave të UNICEF-it, nëse rrjetat për mbrojtjen nga mushkonjat do të përdoreshin në masë, vdekshmëria e fëmijëve mund të ulej nën 18 për qind.

Edhe përkujdesja mjekësore vazhdon të jetë e pamjaftueshme.

Vetëm një në tre fëmijë të prekur nga malaria merr medikamente dhe shpesh fjala është për metoda të vjetra trajtimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›