Shembet ura, prej qarkullimit të makinave me tonazh të rëndë
Aksi i vetëm nacional që lidh Çorovodën me qytetin e Beratit është shkatërruar në mjaft pjesë të tij, duke e bërë gati të pakalueshëm për drejtuesit e mjeteve, që e përshkojnë çdo ditë. Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, që transportojnë pllaka guri mbi këtë rrugë të vetme, ka bërë që shumë akse të rëndësishme të saj, të shkatërrohen krejtësisht, duke u bërë mjaft të vështira për t‘u kaluar. Por, si të mos mjaftonte fakti që një pjesë e mirë e rrugës është shkatërruar dhe ngushtuar, ditët e fundit ura e Pronovikut, që lidh qytetin e Poliçanit me atë të Çorovodës, është shembur disa ditë më parë, teksa punëtorët kanë qenë duke punuar, për përforcimin dhe zgjerimin e saj. Ura është shembur në një pjesë të mirë të shpatullës së saj, duke e bërë rrugën të pakalueshme. Është dashur ndërhyrja e Drejtorisë së Rrugëve në Berat, që të merren masa për hapjen e një segmenti dytësor, me qëllim që zona të mos izolohet. Por, sipas drejtorit të rrugëve në Berat, Astrit Qafa, ura e Pronovikut është vetëm njëra prej urave problematike, që ndodhen në këtë aks dhe që rrezikojnë shembjen. Sipas tij, urat janë ndërtuar që para viteve 1945 dhe që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë ndërhyrje.