E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia ndërmerr hapat e parë për një zgjidhje të krizës ekonomike



Karta sociale do të jetë hapi i parë drejt zgjidhjes së problemeve financiare që kanë mbërthyer Italinë, e cila prej javësh ka hyrë në recesion teknik. Kabineti “Berluskoni” më në fund është gjunjëzuar para përfaqësuesve të shtresave sociale. Në takimin e djeshëm në kryeministri, palët kanë rënë dakord për masat e reja që pritet të miratohen në kohë rekord brenda kësaj jave gjë që mundëson hyrjen në fuqi në muajin dhjetor. Karta sociale parashikon dhënien e parave ekstra për çdo familje e cila gëzon 6 mijë euro ose më pak të ardhura në vit. Mes 800 mijë italianëve, përfituesit sigurisht në krye të listës do të jenë pensionistët dhe prindërit që kanë në ngarkim fëmijët. Bonusi do të nisë të shpërndahet që në muajin e ardhshëm, kur këto kategori sociale do të marrin 120 euro në formën e dëmshpërblimit financiar për 3 muajt që do të mbyllen. Ndërhyrje pritet të ketë edhe për çmimet e konsumit, si energjia elektrike, gazi dhe kreditë. Për këto të fundit pritet që qeveria të ofrojë garanci për çdo kredimarrës, i cili nuk ka mundësi të paguajë në kohë.

Britania njofton paketën e shpëtimit ekonomik

Qeveria britanike ka njoftuar se do të marrë hua disa miliarda dollarë për të financuar shkurtimet në taksa në përpjekje për të neutralizuar efektet negative të recesionit. Ministri i Financave, Alistair Darling, tha se kjo paketë stimuluese do të kapë vlerën e 30 miliardë dollarëve. Një element kyç është pakësimi i përkohshëm në taksat e shitjeve nga 17.5 për qind në 15 për qind. Por vitin e ardhshëm huatë e marra nga qeveria do të rriteshin në tetë për qind të GDP-së dhe do të ketë rritje taksash për ata që do të kishin të ardhura të larta pas zgjedhjeve të ardhshme, të cilat duhen mbajtur në mesin e vitit 2010. Konservatorët e opozitës thanë se, “paketa konsiderohej si një predhë e madhe e pashpërthyer taksash në një rigjallërim të ardhshëm ekonomik”.

Gjermania dhe Franca kundër uljes së TVSH-së

Gjermania dhe Franca kanë refuzuar uljen e TVSH-së për dhënien hov të ekonomisë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit me presidentin francez, Nikolas Sarkozi, është shprehur: “Të dyja qeveritë nuk do ta ndjekin shembullin e Anglisë”. Qeveria në Londër kishte bërë të ditur më parë se para krishtlindjeve do të ulte TVSH-në nga 17,5 në 15 për qind, me qëllim të përtëritjes së konsumit. Sarkozi është shprehur se të dy vendet janë dakord për mbështetjen e industrisë së automobilave, të dëmtuar nga kriza, por ai nuk përmendi masa konkrete. Merkel dhe Sarkozi hapën dje takimin gjermano-francez në rang ministrash në Paris.

Në 2009-n pritet dobësimi i euro-s

Euro qëndron e pandryshuar në shkëmbimin ndaj dollarit amerikan. Monedha e përbashkët europiane është mbështetur nga prirjet e rritjes së normës së interesit nga Banka Qendrore Europiane. Sipas disa analistëve është paralajmëruar një lloj rreziku për dobësimin e euros në fillim të vitit të ardhshëm, sepse oferta monetare do të fillojë të jetë më e ulët. Kjo gjë u bë e njohur edhe nga anëtari i bordit drejtues të Bankës Europiane, Yves Mersch, i cili gjithashtu komentoi se normat e bankës janë ulur dhe vazhdojnë të mbeten në nivele historike.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›