E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, së shpejti mbërrin në Tiranë hetuesi i mandatuar nga KE-ja



Dik Marti, një investigator special i mandatuar nga Këshilli i Europës për të riekspertuar akuzat për krime lufte nga gueriliet shqiptare në Kosovë, do të vizitojë së shpejti “shtëpinë-klinikë” në qytetin e Burrelit, për të cilën pala serbe pretendon se ka shërbyer si bazë e transplantimeve të paligjshme të organeve të shtetasve serbë. Të martën, Këshilli i Europës mandatoi investigatorin Marti që të vizitojë dhe të ekspertojë shtëpinë e Maksim Katuçit, ndërsa dyshohet se pikërisht në këtë shtëpi janë kryer dhe transplantet dhe trafiku i organeve gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbi. Sipas vendimit të Këshillit të Europës, hetimi i OKB-së disa vite më parë për këtë çështje “ka patur disa boshllëqe” kështu që është i nevojshëm një riekspertim i fakteve dhe i të dhënave”. Këto dy ditë, gazetari i “The Guardian”, Paul Levis, ka vizituar shtëpinë që është në qendër të dyshimeve ende të pavërtetuara të trafikut të organeve gjatë luftës në Kosovë. “Shtatë anëtarët e familjes Katuçi ndodhen të ulur në dhomën e pritjes me duar në gjunj teksa shiu bie në dritaret e dhomës dhe i pëgjigjen pyetjeve të gazetarit britanik për njërën prej masakrave më të mëdha gjatë luftës në Kosovë. Hetimet në “shtëpinë-klinikë” u bënë të ditura në muajin prill, kur ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte, kishte thënë që ekziston një raport “i besueshëm” mbi fatin e ushtarëve serbë në këtë zonë. Del Ponte tha se hetimet e saj u ndërprenë për shkak të mungesës së evidencës dhe rezistencës së disa figurave më të vjetra në OKB. Sidoqoftë, “The Guardian” arriti të ketë në dispozicion raportin e një ekzaminimi mjekoligjor të bërë nga ekspertë të OKB-së në shtëpinë e Katuçit. Raporti i ekspertit të OKB-së José Pablo Baraybar në fillim besohej se kishte humbur. Edhe pse jo i plotë, ai tregon për gjurmë gjaku, që mund të kishte qenë gjak njeriu, në dy dhomat e poshtme të shtëpisë. Të flakura në një përrua aty pranë, thuhet në raport, janë gjetur materiale që konsistojnë “jokontradiktore me ato kirurgjikale”, si shiringa, hapa për gjumë dhe shishe, si dhe katër shishe boshe që kanë pasur përmbajtje droge. Duke përfshirë një që përmbante ilaç për relaksimin e muskujve. Duke folur për herë të parë në fundjavë rreth hetimeve për trafikun e organeve, Marti tha: “Kam nisur të mbledh të dhëna dhe shpresoj që së shpejti të vizitoj Beogradin, Prishtinën dhe Tiranën. “A dukemi si një familje që mund të bëjmë të tilla gjëra”, - thotë nipi i Katuçit, Dëfrim Kadriu, 32 vjeç. A mos vallë kjo shtëpi është e përshtatshme për të trajtuar 300 persona? Nëse është e vërtetë, atëherë familja ime le të varet përpara të gjithëve”, - përfundon ai.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›