E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH-i: “Rritja ekonomike në Shqipëri ngadalësohet në 5 për qind në 2009-n”



Ervin Koçi

Në ndryshim nga të gjitha deklaratat ekzaltuese të bëra nga qeveria shqiptare në ditët e fundit për një rritje ekonomike dyshifrore vitin e ardhshëm, ndërkombëtarët parashikojnë thellim të krizës. Sipas një raporti të publikuar dje nga BERZH-i, (një tjetër organizëm financiar ndërkombëtar), rritja ekonomike për Shqipërinë në vitin e ardhshëm do të jetë më e ulët se këtë vit, ku nga 6 do të zbresë në 5 për qind të PBB-së. Raporti theksonte faktin se, “rritja ekonomike në rajonin ku BERZH-i vepron pritet të ngadalësohet dukshëm në vitin 2009 si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e turbulencave në tregjet financiare”. Nisur nga ky parashikim, BERZH-i nxit vendet ku investon që t’i japin prioritet të lartë stabilitetit të sistemit të tyre bankar”. Raporti i Tranzicionit për vitin 2008 i BERZH-it, i cili analizon performancën ekonomike dhe progresin e reformave në vendet ku vepron BERZH-i, parashikoi se, “rritja e përgjithshme ekonomike do të ulet në 6.3 për qind në vitin 2008 nga 7.5 për qind në vitin 2007 dhe do të vazhdojë të bjerë më tej në 3.0 për qind në vitin 2009”. BERZH-i sheh rritjen në Europën Qendrore dhe në vendet e Balltikut të ngadalësohet në 4.3 për qind në vitin 2008 nga 6.3 për qind një vit më parë dhe të ulet më tej në 2.2 për qind në vitin 2009. Rritja në Europën Juglindore do të arrijë në 6.5 për qind këtë vit nga 6.2 për qind në vitin 2007 dhe më pas pritet të bjerë në 3.1 për qind vitin tjetër.

Ekonomia e Shqipërisë

Rritja ekonomike në Shqipëri pritet të arrijë 6.1 për qind në fund të vitit 2008 nga 6 për qind në vitin 2007 dhe të bjerë sërish në 5 për qind në vitin 2009. Peter Sanfey, ekonomist i BERZH-it që mbulon Europën Juglindore, u shpreh: “Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten edhe më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritur cilësinë e infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen me ritme të larta të viteve të fundit”. Raporti i Tranzicionit thotë se ekziston një rrezik që rritja ekonomike në rajon në vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët nëse financimet e jashtme zvogëlohen papritur. “Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korente me deficite të mëdha të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirura të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt”, - thuhet në raport.

Efektet e krizës

Në një kapitull të veçantë mbi ndikimin e krizës globale të kredive në rajon, raporti thotë se përkeqësimi në të gjithë mjedisin financiar mund të rezultojë tani në një kontraktim të zgjatur dhe të rëndësishëm në sektorin e kredive. “Nëse ndodh kështu, padyshim që pasojat mbi rritjen e përgjithshme të ekonomive në rajonin e tranzicionit do të jenë të rënda”, - parashikon raporti. Megjithatë, raporti thekson se gjithashtu ka faktorë të ndryshëm që mund ta ndihmojnë rajonin për të parandaluar këtë skenar pesimist, ose të paktën ta ndihmojnë atë që të përballojë efektet e krizës. Raporti thotë se, “nivelet e borxhit të qeverive të rajonit kanë rënë vazhdimisht që në vitin 2000, duke i dhënë më shumë fleksibilitet politikave qeveritare nëse do të nevojiten më shumë ndërhyrje nga qeveritë. Kushtet e biznesit në përgjithësi janë përmirësuar në vitet e fundit dhe tregjet e punës kanë qenë relativisht fleksibël, gjë që do krijonte kushtet për një rimëkëmbje të shpejtë dhe rikthimit të rritjes ekonomike”. Gjithashtu, raporti vë re një progres të vazhdueshëm gjatë vitit të shkuar në reformat e tregut, veçanërisht në Europën Juglindore. Sipas raportit, “reformat kanë qenë veçanërisht të rëndësishme në shtetet kandidate të BE-së dhe në ato që janë kandidate të mundshme në Ballkanin Perëndimor. Në sajë të lidhjes së fortë ndërmjet reformave dhe rritjes ekonomike, këto vende luftojnë për stabilitetin në rajon për luhatje afatshkurtra dhe perspektiva afatgjata të rritjes ekonomike.

Ekspertët

Erik Berglof, drejtor i Zyrës Ekonomike të BERZH-it, u shpreh se mosndërprerja e rritjes ekonomike në rajon gjatë fazave të para të krizës botërore ishte një tregues për arritjet e dukshme të reformave. Por tani, rajoni, i përballur me një atmosferë ndërkombëtare shumë pak dashamirëse, me largimin e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mungesë oreksi për rrezik si dhe me recesion në ekonomitë kryesore të OECD-së, Berglof shtoi se ngadalësimi i shpejtë do të zbusë kërcënimin e inflacionit ndërsa stabiliteti i sistemit bankar do të kthehet në prioritetin kryesor për qeveritë e të gjithë rajonit. “Masat për stabilitet duhet të koordinohen me vendet e tjera – si në Europën Perëndimore, ashtu edhe në vendet e tjera në tranzicion – duke marrë parasysh pronësitë e ndërlidhura në sistemin financiar të rajonit”, - tha ai.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›