E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Amnesty": Shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri

Organizata Ndërkombëtare më prestigjioze në mbrojtje të të drejtave të njeriut, "Amnesty International", në raportin e saj vjetor thekson se në Shqipëri vazhdon shkelja e të drejtave të qytetarëve dhe publiku ka një besim mjaft të ulët ndaj sistemit gjyqësor. Në raportin e saj, "Amnesty", përmend tri probleme themelore: Shkarkimin e Kryeprokurorit, mbipopullimin në burgje dhe dhunën ndaj grave dhe fëmijëve. Raporti thekson se "Prokurori i Përgjithshëm u shkarkua në rrethana të dyshimta. Problemi i trafikimit të grave dhe fëmijëve që detyrohen të punojnë për prostitucion apo forma të tjera shfrytëzimi vazhdon të jetë i madh edhe pse është me i reduktuar gjatë 2007". "Amnesty International", në raportin e saj thekson se është rritur dhuna në familje dhe kjo dhunë nuk denoncohet në gjykatë. "Një e treta e grave vuajnë dhunë familjare, gjë që ka shënuar rritje. Dhuna në familje nuk është e ndalur në ligjin kriminal dhe pak raste shkojnë në gjykatë". Raporti kritikon gjendjen në burgje ku gjithsej numri i të burgosurve është 4638, ndërsa kapaciteti i burgjeve për 1172 të burgosur. "Kushtet e të burgosurve janë shumë të këqija si rezultat i mbipopullimit, higjienës së keqe dhe moskujdesit shëndetësor, ndërsa ka të dhëna se një numër të burgosurish keqtrajtohen nga policia, por nuk raportohen"- vazhdon raporti. "Amnesty International" kritikon qeverinë shqiptare në lidhje me mungesën e strehimit për fëmijët jetimë: "Shteti ka dështuar në punën për t‘u dhënë atyre strehimin e nevojshëm 340 fëmijëve jetimë kur ata rriten dhe përfundojnë shkollën e mesme. Shumë prej tyre jetojnë në mjedise të përbashkëta, pa asnjë mbrojtje nga shteti". Organizata prestigjioze "Amnesty international" thotë se 60 vjet pas nënshkrimit të deklaratës për të drejtat e njeriut nga OKB, abuzimet dhe shkeljet janë tepër të mëdha në të gjithë botën. Sipas raportit, qytetarët janë torturuar apo keqtrajtuar në të paktën 81 shtete të botës. Në rreth 54 shtete qytetarët janë gjykuar padrejtësisht dhe nuk mund të flasin lirshëm në të paktën 77 kombe. "Amnesty" thotë se liderët e botës duhet të kërkojnë falje për 60 dështime në fushën e të drejtave të njeriut, që kur OKB adaptoi dhe deklaratën universale të të drejtave të njeriut më 1948.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›