Atak në zemër 62-vjeçarit
Një 62-vjeçar ka gjetur vdekjen nga një atak në zemër, teksa kishte dalë shëtitje në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur Selim Haxhiaj ka pësuar dy goditje në zemër. Sipas të dhënave, 62-vjeçari ka ndërruar jetë në ambientet e lulishtes së një lokali pranë kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit me Unazën. Burimet policore bënë të ditur se sapo janë njoftuar për këtë ngjarje kanë dërguar të moshuarin për në spital, por ka qenë shumë vonë. Ai ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Më pas, ai është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në morgun e Tiranës. Nga ana tjetër, familjarët e tij kanë treguar se Haxhiaj nuk vuante nga sëmundjet e zemrës, por kurohej për tensionin. Kjo ka ngritur dyshimet e Mjekësisë Ligjore se vdekja ka ardhur nga vapa e madhe, që ka qenë këto ditë. Ceremonia për të ndjerin do të zhvillohet sot rreth orës 15:00, ndërkohë që trupi i pajetë u është dhënë familjarëve.