Sot, temperaturat ulen me 2-3 gradë
Shirat dhe freskun e para një jave duhet t‘i mbajmë mend gjatë derisa t‘i kemi përsëri. Moti do të jetë i nxehtë, vapa do të vazhdojë, por temperaturat do të ulen me disa gradë. Sipas sinoptikanëve, temperaturat do të jenë 30-31 gradë Celsius. Sot do të kemi një ulje të lehtë dhe nesër me uljen e disa gradëve të tjera moti do të jetë më pak i nxehtë se dje. Termometri dje ka shënuar 34 gradë Celsius, në hije. Moti do të jetë i nxehtë deri të dielën, të paktën sipas maksimumit të parashikimit të temperaturave. E shtuna dhe e diela janë parashikuar si ditë plazhi, pavarësisht uljes së lehtë të temperaturave. Ashtu siç ishte paralajmëruar, kjo javë u regjistrua si më e nxehta e muajit. Që me nisjen e javës ditën e hënë, temperaturat e regjistruara nuk kanë qenë poshtë 30 gradë Celsius. Sipas meteorologëve, do të kemi ulje të temperaturave, por nuk parashikohen as reshjet më të vogla të shiut. Vetëm për vendet malore mund të ketë edhe një mundësi të vogël për shi të izoluar gjatë pasditeve. Sinoptikanët parashikojnë se era do të jetë e dobët dhe për pasojë deti në brigjet shqiptare do të jetë i qetë. Presioni atmosferik në rajon vjen me rryma të nxehta dhe të thata. Vapa e madhe dhe temperaturat e larta vazhdojnë të mbushin pavijonet e urgjencave, ndërsa shëndeti publik udhëzon për të gjithë më shumë kujdes për shëndetin. Udhëzimet e shëndetit publik këshillojnë prindërit, të moshuarit dhe të sëmurët të evitojnë daljet pas orës 10:30. "Evitoni ambientet e mbyllura, ajrosni mjedisin ku qëndroni dhe vishuni lehtë me materiale të mira. Konsumoni lëngje, mos pini më shumë se një kafe në ditë dhe gjatë ditës shoqëroni vaktet me ujë natyral. Pijet me përmbajtje kafeine, sheqernat, yndyrat, këshillohen të konsumohen sa më rrallë. Qëndrimi i gjatë me taka, konsumi i duhanit ndikon ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.