E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, toka dhe uji janë të ndotura

Toka dhe uji në Gërdec, pas shpërthimit të 15 marsit 2008, janë të ndotura me vlera mbi normalet, por me kalimin e viteve, situata do të vijë duke u përkeqësuar. Ky është përfundimi, në të cilin kanë arritur specialistët e mjedisit dhe të tokave, pasi kanë studiuar rezultatet e analizave të monstrave të tokës dhe ujit që "Fiks Fare" mori nga krateri i Gërdecit e më gjerë dhe i analizoi në një laborator serioz.

Gazetarët e "Fiksit", të shoqëruar nga specialistë të kësaj fushe morën monstra të tokës dhe ujit, gjithsej 30 kampionë, në tre vende të ndryshme në Gërdec për t‘i analizuar në një laborator jashtë vendit, të njohur dhe certifikuar nga Bashkimi Evropian. Monstrat u morën nga zoti Sherif Lusha, ish-drejtori i Institutit të Tokave dhe specialisti i Mjedisit, zoti Sazan Guri, në sipërfaqe, në një thellësi 5-20 cm, jo vetëm te krateri, por edhe në vende të tjera. Analizat u bënë në Laboratorin e Institutit të Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Matematikës dhe Natyrës të Shkupit (Maqedoni).

Të dhënat me përgjigjen zyrtare të analizave erdhën më 13 maj 2008. Nëse lexon rezultatet e këtyre analizave, mëson se niveli i ndotjes është mbi normalen, por me kalimin e viteve ndotja do të vijë duke u rritur. Profesor doktor Strajçe Stafilo shpjegoi se "disa elemente të tokës janë mbi standardin. Këto elementë janë kromi, nikeli dhe zinku. Nuk mund të themi se treguesit janë alarmantë. Për sa u përket analizave të ujit, ato janë më të ulëta, por edhe këtu nuk mund të themi se kemi ndotje uji".

Specialisti i mjedisit, zoti Sazan Guri, pasi ka parë situatën në vend, shton se pretendimet që zona e Gërdecit është krehur nuk qëndron. Kjo pasi, vetë ata, gjatë kohës kur merrnin monstrat për analizat, në 1 metër katror sipërfaqe kanë gjetur mbi 100 copë metalike. "Dyshimet tona që kjo zonë është me metale të rënda mbi normën u vërtetua nga analizat. Këto metale do të jenë më prezente me kalimin e kohës, sepse do të shpërbëhen dhe do t‘i thithë toka e do të shkojë ndotja te bari, uji dhe ushqimet që konsumojmë. Është problem i të gjithëve. Qeveria duhet t‘u paraprijë problemeve", shton zoti Guri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›