Mbreti Gent, imazhi i 2000 lekëshit të ri
Pas një periudhe të gjatë dyvjeçare, Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur imazhin që do të shoqërojë 2000 lekëshin e ri, i cili do të hidhet në treg, duke iu bashkuar kartëmonedhave të tjera. Gazeta "Shqip" ka zbuluar një pjesë të elementeve që shoqërojnë kartëmonedhën, të cilat janë përzgjedhur nga një juri e posaçme. Kartëmonedha 2000 lekë do të ketë në pamjen e përparme portretin e mbretit ilir, Genti, ndërsa në anën e pasme amfiteatrin e Butrintit. Drejtori i emisionit të kartëmonedhave dhe monedhave, Valer Miho, ka shpjeguar për gazetën arsyet e përzgjedhjes së këtyre elementeve. "Mbreti Gent mishëron një periudhë të historisë të papërfaqësuar në kartëmonedhë deri më tani, atë ilire dhe është në linjë me trendin kohor sipas vlerave nominale. Pastaj dhe prerjet me vlerë më të madhe shtrihen më thellë në vite", thotë Miho. Kartëmonedha e re 2000 lekë do të ruajë strukturën konceptuale të serisë aktuale në qarkullim, duke siguruar vazhdimësinë dhe identitetin e kartëmonedhave shqiptare. Dimensionet e saj do të jenë midis prerjes 1000 lekë dhe prerjes 5000 lekë. Nga historia mësohet se, mbreti ilir, Gent, fuqizoi arkën e shtetit dhe preu monedha bronzi me emrin e vet, ndërsa ndaloi prodhimet e monedhave të ndryshme nga qytet e Ilirisë dhe unifikoi monedhën, duke detyruar të gjitha qytetet ilire të përdornin të njëjtën monedhë me portretin e tij, duke i standardizuar në të njëjtën masë e peshë. Sipas Mihos, duke iu referuar gjithnjë historisë, mbreti Genti, ishte sundimtari i fundit i shtetit ilir, i cili u përpoq ta forconte gjendjen e brendshme, si dhe pozitat ndërkombëtare të shtetit ilir. Për sa i përket pamjes së pasme, e cila identifikohet me Butrintin, për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, vendosja e saj shërben si një pasaportë për evidentimin e lashtësisë së kombit tonë, prejardhjes, vlerave kulturore, si dhe lejon paraqitjen e elementeve kulturore të mbrojtur nga UNESCO.
Argumentet
Nga eksperienca e bankave qendrore të botës, sekuenca 1-2-5 është provuar deri tani si më optimalja që siguron një përdorim me efektivitet të prerjeve që një bankë qendrore emeton. "Në rastin e serisë së kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor ekziston prerja 1000 lekë dhe prerja 5000 lekë, ndërkohë që mungon prerja 2000 lekë. Me futjen e prerjes 2000 lekë, vijmë në një linjë me bankat qendrore simotra dhe optimizojmë strukturën e parasë në qarkullim", thotë Valter Miho, drejtor i Departamentit të Emisionit në BSH. Sipas tij, shpeshherë prerja 1000 lekë ishte e pamjaftueshme për likuidimin e blerjeve në treg nga ana e individëve, ndërsa prerja 5000 ishte jo shumë komode (me vlerë relativisht të madhe) për përdorim të përditshëm. "Për të zgjidhur këtë problem u propozua emetimi i prerjes së re 2000 lekë. Një gjë e tillë ishte në përputhje edhe me komentet e publikut, të cilët sugjeronin futjen e një prerje të re në mes 1000 dhe 5000", argumenton Miho.