E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Amnesty” thirrje autoriteteve serbe për dënimin e sulmeve ndaj veprimtarëve

Organizata “Amnesty International” u ka bërë thirrje autoriteteve serbe, në veçanti kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe presidentit Boris Tadiç, të dënojnë menjëherë sulmet ndaj veprimtarëve të të drejtave të njeriut dhe pakicave etnike në vend. “Nëse autoritetet nuk veprojnë tani, mund të vihen në rrezik jetë njerëzish, pasi janë planifikuar protesta të tjera kundër pavarësisë së Kosovës”, - paralajmëroi Nikola Dakuorth, drejtor i Programit për Europën dhe Azinë Qendrore në organizatën “Amnesty International”. “Autoritetet serbe duhet të dënojnë me forcë çdo përpjekje për të vënë në shënjestër pjesëtarë të shoqërisë serbe. Ata duhet të sigurohen se çdo sulm ndaj veprimtarëve për të drejtat e njeriut dhe pakicave të hetohen menjëherë për të identifikuar personat përgjegjës dhe për t’i sjellë para drejtësisë”, - është shprehur ai. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë ka mbështetur politikën e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç, ku do të ndaloheshin të gjitha partitë politike dhe organizatat e ndryshme të njihnin pavarësinë e Kosovës. Me këtë rast ai ka veçuar Natasha Kandiçin, një veprimtare e të drejtave të njeriut dhe drejtore e Qendrës për Ligjin Humanitar në Beograd, e cila mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas disa njoftimeve, Partia Socialiste e Serbisë po depoziton një ankesë penale kundër Natasha Kandiçit për nxitje të komprometimit të tërësisë territoriale të Serbisë. Amnesty International shprehet e shqetësuar për sigurinë e saj.
Edhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut kanë pasur shqetësime për sigurinë e tyre. Gjatë protestave të 19 shkurtit në qytetet kryesore të Serbisë, ku morën pjesë qindra njerëz, demonstruesit, sipas njoftimeve, bënë thirrje për vrasjen e shqiptarëve. ”Është shumë e rëndësishme që autoritetet të marrin masa të dukshme për të parandaluar çdo lloj shkeljeje të të drejtave të njeriut në të ardhmen”, - është shprehur Dakuorth.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›