E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha reagon ndaj protestës serbe: “Bashkëpunimi mes dy vendeve, i rëndësishëm”

“Rikonfirmoj vullnetin politik të Tiranës për bashkëpunim me Serbinë”. “Kosova e pavarur, me kufijtë e saj ndërkombëtarë, realitet që do të mbizotërojë”
Menjëherë pas notës së protestës serbe ndaj Shqipërisë ka reaguar ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha. Ai ka bërë të ditur vullnetin për bashkëpunim me Serbinë në të gjitha fushat ku mund të lindte një bashkëpunim. ”Rikonfirmoj vullnetin politik të Tiranës për bashkëpunim me Serbinë në të gjitha fushat me interes reciprok dhe dëshirën për ta parë sa më shpejt Serbinë pjesë të integrimeve europiane”. Kjo është deklarata e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Basha ndaj notës së protestës së Beogradit, si reagim kundërshtues ndaj njohjes që qeveria e Tiranës i bëri shtetit të pavarur të Kosovës. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme shqiptare, nota e protestës serbe ndaj Shqipërisë nuk kishte si qëllim ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve, por vetëm pohimin për mosrespektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Qëndrimin i Shqipërisë pro vazhdimit të bashkëpunimit me Serbinë u bë publik gjatë një konference shtypi që ministri i Jashtëm i Shqipërisë dha bashkë më homologun e tij nga Letonia, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Pas njohjes që Letonia i bëri para dy ditësh shtetit të pavarur të Kosovës, shteti baltik i ofron Shqipërisë mbështetje për anëtarësimin e saj në NATO, në kuadër të politikës së dyerve të hapura dhe kontributit të Letonisë për sigurinë në Europë. Ministri Basha, nga ana e tij, tha se “Shqipëria do të zhvillojë marrëdhënie bashkëpunimi me Letoninë në interes reciprok, por edhe në kuadër të paqes, sigurisë dhe të stabilitetit në Europë“. Ministri i Jashtëm Basha, përveç sqarimit për vullnetin politik për bashkëpunim dhe marrëdhënie serioze mes Serbisë dhe Shqipërisë, pavarësisht nga idetë e kundërta për njohjen e shtetit më të ri të Ballkanit, ka bërë të ditur edhe këndvështrimin e qeverisë për një efekt të mundshëm të protestave serbe në Mitrovicë. “Nuk ka asnjë dyshim që Kosova e pavarur, me kufijtë e saj ndërkombëtarë, siç është pranuar dhe do të vazhdojë të pranohet nga komuniteti ndërkombëtar, është realiteti i vetëm që do të mbizotërojë. Asnjë përpjekje për të diskutuar integritetin territorial të Kosovës nuk mund të ketë sukses”, - është shprehur Basha. Deklarata e ministrit të Jashtëm shqiptar për moscenimin e integritetit territorial të Kosovës vjen pas rihapjes nga NATO-ja të pikave kufitare në Veri të Kosovës, të cilat janë sulmuar dhe djegur nga serbë të Mitrovicës në ditët e para të kësaj jave. Ata kanë protestuar kundër Kosovës së pavarur dhe autoriteteve ndërkombëtare, të cilat i kanë dhënë dritën jeshile pavarësisë dhe shtetit të ri.

Italia, Sllovenia, Estonia, Danimarka dhe Malajzia njohin Kosovën e pavarur

Gjatë ditës së djeshme, një sërë shtetesh kanë vijuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe pse i është drejtuar një notë proteste, Italia nuk ka ngurruar ta njohë shtetin e Kosovës. Vendimi është miratuar gjatë takimit qeveritar të kryesuar nga kryeministri Romano Prodi, i cili ka theksuar se edhe Italia do të bëhet pjesë e vendeve që kanë njohur Kosovën e pavarur. “Italia i bashkohet shumicës së vendeve europiane rreth kësaj çështjeje delikate politike”, - ka deklaruar Romano Prodi. Para takimit qeveritar, ministri i Jashtëm, Masimo D’Alema, kishte deklaruar se është e rëndësishme vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur. Pas këtij veprimi nga ana e qeverisë italiane, Serbia ka tërhequr ambasadorin e saj në këtë vend, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë. Vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës u është bashkuar edhe Estonia. Vendimin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm estonez, Urmas Paet. ”Jemi të kënaqur që në Deklaratën e Pavarësisë, të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, vihet në pah se Kosova është e gatshme për ta zbatuar planin e Marti Ahtisarit dhe për të mbrojtur të drejtat e pakicave dhe trashëgiminë e tyre historike dhe kulturore. Edhe Danimarka e ka njohur dje pavarësinë e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme daneze, e cila ka konfirmuar se një letër do t’u dërgohet autoriteteve kosovare për të zyrtarizuar njohjen. Malajzia është një tjetër vend që e njeh Kosovën. Shefi i zyrës së Malajzisë, Mustafa Mansor, gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, është shprehur se vendi i tij ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›