E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: “Anglezin e therëm pasi e droguam me marijuanë”

Zbardhet deponimi në polici i dy të dyshuarve. Arlin Vukaj dhe Mario Pjetrushi pranojnë autorësinë
Mbrëmjen e 2 shkurtit, Arlin Vukaj dhe Marjo Pjetrushi kanë luajtur qetësisht në bilardon në zemër të komunës së Shëngjinit, vetëm pak orë pasi kishin therur dhe hedhur në një pus të braktisur shtetasin anglez, Eduart Kreythorne. Dy të rinjtë kishin nevojë të ekspozoheshin në publik atë pasdite, pasi nuk donin që kur të gjendej trupi i viktimës, dikush të dyshonte për ta. Por ja që plani i tyre për të vrarë dhe grabitur bashkëmoshatarin anglez, ndonëse i vënë në jetë me shumë gjakftohtësi, ka lënë gjurmët e veta, duke bërë që ekspertët e Antikrimit të mbërrijnë shumë shpejt në pistën e duhur të hetimit. Njëzet ditë më vonë janë vetë të dyshuarit që kanë pranuar autorësinë e vrasjes, duke pranuar që të tregojnë gjithçka në detaj. Sipas të dy të dyshuarve, i gjithë plani për eliminimin e shtetasit anglez Eduart Kreythorne kishte për objektiv final grabitjen e pasurisë së tij dhe të familjes së tij që jetonte në Shëngjin. Megjithatë, policia e Shkodrës informoi “Albania”-n duke u shprehur se motivet e vrasjes mund të jenë edhe më të komplikuara. Gjithsesi, i sigurt është fakti se dy të rinjtë kanë përshkruar momentin dhe rrethanat e vrasjes në përputhje të plotë me të dhënat e mbledhura prej policisë në skenën e krimit.
Dëshmia
Deklarimi në polici i të dyshuarit Arlind Vukaj ka hedhur dritë mbi planin e paramenduar dhe “ndarjen e detyrave” mes dy djemve. “Për ta marrë shtetasin anglez dhe për ta çuar në një vend të izoluar duhej një njeri i njohur, kështu që për këtë detyrë shërbeu Marjo Pjetrushi, i cili e njihte atë dhe kishte madje dhe hyrje-dalje familjare me ta”, - ka deklaruar Vukaj. Më tej ai ka saktësuar se shtetasi anglez Eduart Kreythorne është bindur të largohet me dy djemtë, ndërsa këta të fundit e ftuan që së bashku të pinin marijuanë. “Pasi ka dalë në shëtitje me ne, në datën 2 shkurt 2008, ne i bëmë ftesë që të ecnim në vijën bregdetare sipër portit të Shëngjinit për të pirë ndonjë cigare marijuanë. Ne i sqaruam atij se duhet të futeshim sa më në thellësi, duke i thënë se nëse policia do të na kishte kapur duke pirë marijuanë, atëherë rrezikonim nga njëzet vite burg secili. Kur i thamë kështu, ai vazhdoi të ecte pa e vrarë shumë mendjen”, - ka treguar Vukaj në polici.
Ekzekutimi
Arlin Vukaj, Marjo Pjetrushi dhe Eduart Kreythorne kanë ecur plot një orë e gjysmë më këmbë mes shkëmbinjve, në kërkim të një vendi të qetë, nga ku më pas do të pinin marijuanë. Pasi janë ndalur në një shtëpi të braktisur, Marjo ka ftuar viktimën që të uleshin pranë pusit të shtëpisë. “Kishim planifikuar që Marjo duhet ta mbante me muhabet atë, ku më pas unë ta gjuaja në befasi. Ata po bisedonin pranë pusit, ndërsa unë iu afrova nga prapa atij (Eduart Kreythorne) me një sëpatë të vogël në dorë. Pak më vonë e qëllova me sa kisha fuqi, duke e bërë të rrëzohej pa ndjenja. Pas goditjes së parë vazhdova ta qëlloj dhe herë të tjera. Pas goditjes së parë, edhe Marjo i gjuajti, por me grushte dhe shkelma. Më tej, pasi ai ishte shtrirë i gjakosur në tokë, kontrolluam xhepat e tij për të gjetur lekët dhe kartën e kreditit. Marjo i hoqi byzylykun e floririt nga dora. Pastaj e goditëm edhe disa herë të tjera dhe e hodhëm në pus”, - ka deklaruar Vukaj para hetuesve të çështjes.
Krediti
Ndonëse ka qenë pikërisht byzylyku i viktimës ai që ka konfirmuar autorët e vrasjes, objektivi kryesor i tyre ishte karta e kreditit të viktimës. Në dëshminë e dhënë nga i dyshuari tjetër, Marjo Pjetrushi, mësohet dhe mënyra që ata kishin paramenduar për të shtënë në dorë kursimet e familjes Kreythorne. “Ne vendosëm që të merrnim kartën e kreditit të tij dhe të familjes, më vonë të shkonim në shtëpinë e tij dhe t’i merrnim forcërisht së ëmës së tij të dhënat dhe kodin për hapjen e llogarisë në bankë”, - tregon Pjetrushi. Në fakt, i dyshuari Pjetrushi shkoi dy ditë më vonë në shtëpinë e viktimës, por jo për të marrë kodin e kartës së kreditit, por për të ngrënë një darkë së bashku me të atin e tij, nënën dhe motrën e viktimës, ndërsa këta të fundit i kishin ftuar në përpjekje për të mësuar diçka më shumë rreth lëvizjeve të fundit të të birit të zhdukur. Pas kësaj darke Marjo është shënjuar nga policia si një prej të dyshuarve si i implikuar në zhdukjen e Eduart Kreythorne. Nisur nga deponimet e nënës dhe motrës së viktimës, policia u njoh me faktin se Marjo Pjetrushi ishte një ndër personat që shoqërohej më tepër me viktimën. Për gati dy javë me radhë Marjo adresoi policinë të kërkonte në disa pista të ndryshme, si në Shkodër, Elbasan, deri dhe në Greqi. Por gjetja e trupit të viktimës e ktheu Pjetrushin në të dyshuarin kryesor të vrasjes, duke i klasifikuar dëshmitë e tij si përpjekje për t’i çuar hetuesit në pistat e gabuara. Menjëherë pasi Pjetrushi është skeduar si i dyshuari i madh i çështjes, telefoni i tij kontrollohej 24 orë, ndërsa bisedat e kryera prej tij filluan të jepnin frytet e para. Nga bisedat u arrit të kuptohej se kush ishte personi që i kishte blerë Marjo Pjetrushit byzylykun e Kreythorne. Më tej policia ballafaqoi Pjetrushin me blerësin, ndërsa pak më vonë ai dhe shoku i tij, Arlind Vukaj, u çuan në dhomat e paraburgimit. Pikërisht në këto dhoma do të vinte dhe “surpriza” e vërtetë, ndërsa dy të dyshuarit u incizuan teksa përpiqeshin të siguronin njëri-tjetrin se nuk kishin folur para hetuesve. Kjo bisedë e regjistruar iu paraqit një ditë më vonë të dyshuarve, të cilët “u dorëzuan” menjëherë dhe pranuan të tregojnë gjithçka para prokurorëve të çështjes.

Motra e Arlind Vukajt: “Jemi mirë ekonomikisht, Arlindi nuk ka gisht”

“Arlindi është djalë i vetëm dhe nuk kishte asnjë arsye për të kryer një krim të tillë. Ai nuk ka qenë shoqëruar asnjëherë me Eduart Kreythorne. Ndërsa me Mario Pjetrushin po. Unë e njoh mjaft mirë vëllain tim dhe nuk më besohet se ai ka kryer një krim të tillë. Ai mund të dijë diçka dhe mendoj se i ka dhënë fjalën shokëve për të mos treguar, por nuk ka atë zemër ai dhe atë mendje. Vërtet ka qenë i shkathët, pasi shokët e tij e quanin si më të fortin e lagjes dhe kjo ka ndikuar që ai të mbajë mbi supe vrasjen, por jam e bindur që ai nuk ka gisht në vrasje. Nëse policia heton me imtësi, do të dalë e vërteta. Babai im dhe nëna ime kanë një ekonomi të mirë, pasi babai është pronar i një varke në Shëngjin, ai nuk ka nevojë as për lekë, as për pasuri, se ka një shtëpi të shkëlqyer dhe është shumë mirë nga ana ekonomike. Po kështu është djalë i vetëm dhe si i tillë është mbajtur gjithnjë afër. Unë bashkohem me dhimbjen e familjes së Eduart Kreythorne dhe më vjen keq si me qenë vëllai im, por e përsëris, nuk kishte arsyeje për të kryer vëllai im një krim të tillë dhe ai nuk është i implikuar”.

Valentin Pjetrushi: ”Djali im të pushkatohet nëse është fajtor”

“Nëse djali im ka kryer një krim të tillë, ai nuk është më djali im. Jam i bindur se shteti nuk të arreston kot. Sapo kam mësuar se djali im është arrestuar për vrasjen e shtetasit anglez, unë nuk kam vajtur për ta takuar dhe as nuk vete në jetën time, as unë dhe askush nga familja ime. Nuk kam për t’i dërguar as avokat. Unë kërkoj nga ana e shtetit që nëse krimin e ka kryer djali im, të pushkatohet, të bëhet shembull djali im për të gjithë shqiptarët. Unë e kam pritur Eduart Kreythorne në shtëpinë time dhe s’e kam ndarë nga fëmijët e mi. Po kështu edhe nëna e Eduartit dhe motra e tij kanë respektuar djalin tim. Madje kam në oborr edhe motorin e Eduart Kreythorne. Sapo e ka marrë në telefon nëna e Eduartos, Sofia, unë e kam pyetur djalin nëse ai dinte gjë për Eduartin. Dhe ai ka qenë i qetë vazhdimisht dhe më thoshte “jo babi, nuk di gjë”. Kam ikur dy herë në polici me Marion në Lezhë dhe një herë në Shëngjin, më kanë pyetur se mos dinim gjë dhe i kam thënë se nuk dija gjë. E kam provokuar edhe tim bir, Marion, duke i thënë nëse dinte gjë, të ma thoshte, pasi e mbroja unë së bashku me policinë. Por ai nuk më tregonte”.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›