Ceka: “PS-ja ndikoi në përçarjen e koalicionit”
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, fajësoi Partinë Socialiste si shkaktare të përçarjes së koalicionit të majtë. "Përsa i përket reformës zgjedhore, PS-ja ka heshtur ose ka promovuar një sistem, i cili është haptas në kundërshtim me interesat e koalicionit dhe nuk ndikon në bashkimin e tij, por në përçarjen e koalicionit, pra një sistem që ka në thelb të tij eliminimin e aleatëve dhe jo fitoren". Ceka i ka dhënë të drejtë LSI-së për vendimin e saj. “Nuk ka një koalicion, por në fakt ka një opozitë që vepron bashkë dhe një tryezë opozitare, por kohët e fundit ka munguar transparenca në lidhje me reformën zgjedhore. Natyrisht me një bazë të tillë nuk ka fitore, por vetëm humbje, kështu që bashkëveprimi është i pamundur. Reagimi i LSI-së ka qenë i qartë. Reagimet tona janë gjithashtu të qarta, sepse të gjitha partitë e tjera, përveç PS-së, kanë nënshkruar një dokument ku kërkojnë një sistem të personalizuar proporcional, ku të eliminohet fenomeni “Dushk” dhe të jepet mundësia që koalicionet të realizohen pas zgjedhjeve", - tha Ceka.
22 Shkurt 2008