E Diel, 1 Nëntor 2026

Beograd, protestë masive kundër pavarësisë së Kosovës

Është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Beograd protesta kundër pavarësisë së Kosovës, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 100 mijë persona të ardhur nga disa qytete të vendit. Ata mbanin në duar flamuj dhe pankarta, në të cilat shkruhej: “Kosova është Serbi”, “Nuk e japim Kosovën” etj. Në këtë protestë masive morën pjesë kryeministri Vojisllav Koshtunica si dhe liderë të tjerë politikë, intelektualë dhe artistë. Kryeministri Koshtunica u është drejtuar protestuesve me fjalët: “Kosova është pjesë e Serbisë”. Gjatë fjalimit kryeministri serb është shprehur se Kosova është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë. ”Kosova është emri i parë i Serbisë. Kosova është e Serbisë dhe popullit serb”, - ka pohuar Koshtunica. Ai ka theksuar ndihmën e Rusisë si një aleat kryesor të vendit. “Nuk jemi vetëm në luftën për Kosovën. Rusia dhe presidenti Putin na mbështesin”, - ka theksuar Koshtunica. Ai ka ritheksuar se qeveria serbe do të ndërmarrë masa ndaj shteteve që do ta njohin Kosovën republikë, ndërsa shtoi se një veprim i tillë është “gabim historik”. Në këtë protestë ka munguar presidenti Boris Tadiç, i cili ndodhej për vizitë në Rumani. Ndërkohë, protesta janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme edhe në zonën neutrale, në kufirin Kosovë-Serbi, në Merdarë. Rreth 300 protestues kanë sulmuar pjesëtarë të policisë dhe u kanë vënë flakën disa automjeteve. Forcat speciale të policisë së Kosovës, të ndihmuar edhe nga pjesëtarë të KFOR-it, kanë bllokuar rrugën me barrikada dhe janë pozicionuar në anën e brendshme të kufirit të Kosovës. Disa nga ushtarët rezervistë serbë tentuan t’i largojnë barrikadat, por sërish janë detyruar të largohen nga tymi i automjeteve që digjeshin.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›