Beograd, protestë kundër Kosovës, digjet fasada e Ambasadës së SHBA-ve
Është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Beograd protesta kundër pavarësisë së Kosovës, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 100 mijë persona të ardhur nga disa qytete të vendit. Ata mbanin në duar flamuj dhe pankarta, në të cilat shkruhej: “Kosova është Serbi”, “Nuk e japim Kosovën” etj. Në këtë protestë masive morën pjesë kryeministri Vojisllav Koshtunica si dhe liderë të tjerë politikë, intelektualë dhe artistë. Gjatë fjalimit kryeministri serb është shprehur se Kosova është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë. Por mitingu kundër pavarësisë së Kosovës në Beograd ka degjeneruar me sulme ndaj objekteve diplomatike në kryeqytetin serb. Edhe këtë herë në shënjestër të protestuesve ka qenë Ambasada e SHBA-ve, e cila është bërë pre e sulmeve. Madje një grup protestuesish, pasi kanë djegur flamurin amerikan, kanë arritur të kalojnë muret e Ambasadës e të futen brenda saj, duke i vënë flakën edhe fasadës së ndërtesës. Ndaj ngjarjes ka reaguar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Shon MekKormak, i cili i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që të ndalojë aktet e dhunës. Në këtë protestë ka munguar presidenti Boris Tadiç, i cili ndodhej për vizitë në Rumani. Ndërkohë, protesta janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme edhe në zonën neutrale, në kufirin Kosovë-Serbi, në Merdarë. Rreth 300 protestues kanë sulmuar pjesëtarë të policisë dhe u kanë vënë flakën disa automjeteve. Forcat speciale të policisë së Kosovës, të ndihmuar edhe nga pjesëtarë të KFOR-it, kanë bllokuar rrugën me barrikada dhe janë pozicionuar në anën e brendshme të kufirit të Kosovës. Disa nga ushtarët rezervistë serbë tentuan t’i largojnë barrikadat, por sërish janë detyruar të largohen nga tymi i automjeteve që digjeshin.
22 Shkurt 2008