Apeli i Papës drejtuar Serbisë dhe Kosovës: “Pranoni faljen dhe paqe mes jush”
Papa Benedikti XVI u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit për pajtim mes tyre. Lidhur me situatën në Kosovë, Papa bën thirrje që palët të reagojnë me maturi e qetësi për të gjetur zgjidhjen që do të çojë më pas në respekt reciprok dhe njohje. Papa Benedikti XVI këto deklarata ia ka bërë të ditur ambasadorit serb, Vladeta Jankoviç, katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. ”Selia e Shenjtë ndan me ju dëshirën e madhe për paqe, që u përmbush dhe që do të sjellë stabilitet në rajon”, - iu drejtua Papa ambasadorit serb. “Në veçanti, - shtoi Papa, - duke iu referuar krizës aktuale në Kosovë, u bëj thirrje të gjitha palëve të interesuara të reagojnë me qetësi, maturi dhe të kërkojnë zgjidhje me interes reciprok dhe njohje të ndërsjellë”. Papa apeloi për miqësi mes dy popujve. “Pranoni faljen për t’u njohur me fqinjët dhe për të ndërtuar me ta qytetërimin e lumturisë në të cilin të gjithë janë të mirëpritur dhe të respektuar”.
22 Shkurt 2008