E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnezia historike



Një akt refuzues i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, për të mos vizituar vendin fqinj, Maqedoninë, është përshëndetur nga mediat, politika dhe opinioni në Kosovë e më gjerë. Nuk dihet nëse ky veprim i Presidentit është përshëndetur si një risi në veprimtarinë e tij politike, apo si një gjest politik i domosdoshëm. Më shumë se e sotmja, këtë realitet do të na e mësojë e ardhmja. Vetëm një gjë është e njohur: asnjë nga politikanët e sotëm nuk ka dëshmuar minimumin e aftësisë dhe vendosmërisë së ish-Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, për të qenë vetvetja në marrjen e vendimeve dhe për t'u imponuar me autoritetin dhe integritetin e Presidentit të vendit në raportet me komunitetin ndërkombëtar.

Por në këtë shkrim nuk dua të analizoj aktin e zotit Sejdiu. Ndërkohë që loja dhe fyerja që stisi Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, duhet bërë objekt analize dhe kumtimi. Me këtë akt, ashtu si dhe me mosftesën për në ceremoninë e inaugurimit të postit të tij, Ivanov dëshmoi se merr detyrën të udhëheqë një vend në udhëkryq, një vend të padefinuar nga pozicionimi politik e strategjik, të padefinuar nga pikëpamja nacionale dhe e përkatësisë etnike, të padefinuar deri tek emri, të cilin e përdor. Presidenti i Shqipërisë dhe ai i Serbisë për qëllime krejt të kundërta, janë bërë barka e shpëtimit të dinjitetit të një Presidenti të një vendi pa emër zyrtar. Por as këta të dy së bashku nuk kanë shanse sa ka Kosova dhe institucionet e saj për ta promovuar këtë vend në skenën ndërkombëtare.

Intriga maqedonase në rastin e ftesës për Presidentin e Kosovës është intrigë që vjen virtualisht prej shumë dekadash, kur është fjala në sjelljet ndaj shqiptarëve. Ndryshimi në momentin e fundit të ceremonisë dhe karakterit të vizitës ishte jo vetëm një gjest i papajtueshëm me protokollet shtetërore, por dhe një akt hileqar i tipit bizantin. Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, dëshmoi me këtë sjellje, se u përket skalioneve antishqiptare të sojit të ish-përfaqësuesit të Maqedonisë në presidencën jugosllave të Millosheviçit.

Nëse do ta merrnim këtë fenomen në lidhje të ngushtë me ato çfarë ndodhin në Maqedoni, vëzhguesit nuk mund të mos shohin se Maqedonia vuan krizën e identitetit. Vetëm vendet pa identitet përpiqen ta fitojnë atë, duke marrë poza paternalizmi, aq më tepër në raport me fqinjët. Vetëm vendet me probleme të mëdha të brendshme, siç është Maqedonia, përpiqen që të operojnë me "lojëra politike e diplomatike të tipit Ivanov. Diktaturat kanë gjithashtu të njëjtin sindrom. Ato fokusohen dhe kërkojnë shpëtimin në konfliktin e jashtëm, pikërisht për shkak të problemeve të mprehta që kanë brenda vendit. Maqedonia ka problem kryesor mungesën e vullnetit të saj për t'u shkëputur nga e kaluara në qëndrimet e saj antishqiptare. Kjo mungesë vullneti e nxit atë t'i serviloset si në kohën e ish-Jugosllavisë Beogradit. Për këto arsye, ajo vuan krizën e identitetit, krizën e funksionimit të saj si shtet shumetnik e për pasojë si shtet demokratik, vuan nga ambicia për të dëshmuar atë që nuk mund ta dëshmojë.

Ndonëse Maqedoninë e mbajnë gjallë dy faktorë: mbështetja e NATO-s dhe BE-së, si dhe pjekuria dhe disiplina politike e shqiptarëve, ajo sillet në marrëdhëniet me këta dy faktorë si një fëmijë kryeneç. Liderët maqedonas ende nuk duan ta pranojnë faktin se pa shqiptarët dhe mbështetjen e Perëndimit nuk do të kishte shtet të Maqedonisë. Dhe me këto veprime, lidershipi maqedonas vazhdon të na rikujtojë atë histori të hidhur të së kaluarës, kur qeveria e Shkupit dhe përfaqësuesit e saj në federatë organizonin dhunë e terror kundër shqiptarëve.

Megjithatë, shqiptarët në Maqedoni dhe më tej duket se i ka zënë amnezia historike. Duket se ata për hir të stabilitetit nuk përballen me të gjitha mjetet demokratike me antishqiptarizmin e Ivanovit dhe të vetë qeverive të Maqedonisë. Ndaj është koha kur subjekti politik shqiptar në Maqedoni të bashkohet për ta shqiptuar qartë definimin e marrëdhënieve midis të dy kombeve. Derisa Ivanov dhe Gruevski nuk do të detyrohen të flasin shqip me Ali Ahmetin e Menduh Thaçin, derisa këta dy të fundit do të detyrohen të flasin vetëm në gjuhën maqedonase me krerët e politikës shtetërore, deri atëherë nuk do të ketë barazi midis dy popujve. Kur të detyrohet Ivanov të flasë shqip, krahas maqedonishtes, atëherë do ta kuptojë se shqiptarët në Maqedoni, ata në Kosovë e në Shqipëri janë faktori themelor i mbajtjes në këmbë të ngrehinës maqedonase, e cila që gati 20 vjet nuk po mundet të orientohet si duhet. Atëherë ai do ta presë me nderimet më të larta dhe Presidentin e Kosovës.

Ndryshimi në momentin e fundit të ceremonisë dhe karakterit të vizitës ishte jo vetëm një gjest i papajtueshëm me protokollet shtetërore, por dhe një akt hileqar i tipit bizantin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›