E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e bashkimit

Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë...!

Ky lajtmotiv i shenjtë i rilindjes sonë kombëtare merr sot kuptimin më të plotë ndoshta që nga artikulimi i tij i parë. Sot është ditë historike për shqiptaret. 31 maji do të hyjë në histori si një nga ditët më të rëndësishme të kombit e popullit tonë. Sot kryeministrat e të dy shteteve shqiptare përqafojnë njëri-tjetrin në përurimin e veprës infrastrukturore më të madhe e më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Tani askush dhe asgjë nuk mund të na ndajë më. Ky është momenti ynë, është dita jonë e madhe dhe e bekuar e bashkimit. Më në fund ja dolëm të mundim edhe malet e pengesës së fundit në ndarjen e gjatë e të dhimbshme të dy pjesëve të kombit tonë. Sa afër dhe larg paskemi qenë?! Sot ky është një konstatim që mund ta bëjë kushdo, mjafton të vijë e të shohë aortën gjigante të kombit tonë. Ky moment historik na bën vërtet krenar, por na sjell gjithashtu në mendje se sa mund e sakrifica na u deshën për të mbërritur deri këtu. Luftëra, ndarje të dhunshme, pushtime e diktatura janë një bilanc tragjik i historisë kombëtare, por megjithatë ja dolëm. Rruga pa dyshim përbën arritjen më pragmatike e më të prekshme në përpjekjet për ribashkimin e shqiptarëve. Por kjo vepër madhore ka pasur pa dyshime vështirësitë, por dhe heronjtë e saj. Merita i takon pa dyshim qeverisë që e inicioi dhe e realizoi. Nuk ka dëshmi më të madhe për atdhetarizmin e qeverisë “Berisha” sesa rrugët, në mënyrë të veçantë kjo që po përurohet sot. Kjo rrugë ishte sfida e madhe e qeverisjes së saj 4-vjeçare, por edhe drita jeshile për mandatin tjetër qeverisës. Ishte një projekt tejet i guximshëm, realizimi i të cilit në kaq pak kohë ishte pothuaj i pabesueshëm. Një sfidë, pengesave ekonomike e inxhnierike të së cilës iu shtua një pengesë sa e paimagjinueshme aq edhe e turpshme , ajo politike. Askush nuk do ta kishte besuar se opozita ish–komuniste, përgjegjëse për të paktën 50 vjet ndarje të shqiptarëve do të vazhdonte të këmbëngulte në kursin e saj të vitit 1941, duke tentuar të minojë çdo përpjekje për bashkim kombëtar. Lufta e saj kundër rrugës Durrës-Prishtinë i ka kaluar dukshëm kufijtë e të bërit politikë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, është i vetmi politikan kryesor shqiptar që nuk ka denjuar ta vizitojë këtë vepër madhore e historike të shqiptarëve. Por jo vetëm kaq. Vartësit e tij politikë e mediatikë nuk kanë lënë gur pa lëvizur për të sabotuar, bllokuar e vonuar ndërtimin e kësaj rruge me mjete e mënyra nga më diaboliket. Luftës politike kundër rrugës iu bashkuan pak edhe institucionet ligjore të shtetit, ende nën kontrollin e së majtës shqiptare. Penalizimi tashmë i dështuar i ministrit Lulzim Basha dhe ndihmësve të tij pikërisht për kontributin në ndërtimin e kësaj rruge është prova më e qartë e qëndrimit të opozitës së majtë dhe institucioneve nën ndikimin e saj në raport me rrugën dhe krejt procesit të komunikimit, bashkimit dhe prosperitetit politik, shoqëror e ekonomik të shqiptarëve. Opozita e majtë ishte e ndoshta vazhdon ende të jetë armikja më e madhe e rrugës së shqiptarëve. Vetëm ky fakt është i mjaftueshëm që çdo shqiptar ta kuptojë sa se e dëmshme për interesat tona kombëtare do të ishte një votë për PS-në dhe Edi Ramën. Ndërkohë që qeveria dhe sidomos Kryeministri Berisha kanë ekskluzivitetin e këtij suksesi historik. Vetëm ndërtimi i kësaj rruge do të mjaftonte si arsye dhe garanci e fitores së mandatit të dytë qeverisës të tij. Duke përuruar këtë vepër, zoti Berisha ka të gjithë legjitimitetin e mundshëm të synojë votën plebishitare të shqiptarëve, pa dallime e bindje politike. Nuk bëhet fjalë thjesht për mandatin qeverisës, që e ka që tani të siguruar, por për një qëndrim plebishitar në mbështetje të politikave që synojnë e realizojnë integritetin e prosperitetin tonë kombëtar e qytetar. Por ndërkohë që mandati i dytë i Berishës duket i garantuar, kjo vepër, kjo ditë, ky projekt i tejkaloi dukshëm efektet politike e elektorale. Sot këtu në Kalimash, ai ka fatin, por edhe meritën të shkruajë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, momentin apo më mirë të themi aktin e bashkimin tonë kombëtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›