E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema e zhvillimit



Shumë ekonomistë mendojnë se korrupsioni është një përgjigje racionale ndaj stimuluesish iracionalë. Banka e të dhënave “Doing Business” e Bankës Botërore liston 40 vende, nga Iraku tek Etiopia, në të cilat për të marrë në mënyrë ligjore lejet e nevojshme për të eksportuar një kontejner kargo të vetëm standard do më shumë se një muaj. Sa më e vështirë është të bësh diçka ligjërisht, aq më i madh është tundimi për ta bërë atë në mënyrë të paligjshme. Kështu që ka pak për t’u habitur se në vendet në zhvillim pak njerëz bëjnë më shumë para se doganierët. Në qoftë se stimulues perversë krijojnë korrupsion, kjo sugjeron një zgjidhje të thjeshtë ndaj një problemi të vjetër sa bota. Prandaj afërisht për dekadën e fundit mandra e agjencive ndihmëse ka qenë “institucionet kanë rëndësi” – edhe pse nuk është e qartë se çfarë supozohet të bëjnë humanitaret me këtë perceptim. Ekziston një pikëpamje alternative popullore që thotë se vendet e korruptuara janë të korruptuara jo pse stimuluesit janë perversë, por sepse janë të mbushur plot me hajdutë të lindur. Sipas kësaj pikëpamjeje, korrupsioni është kulturor dhe vendet e varfra janë të varfra sepse qytetarët e tyre janë të pandershëm (ose të ngathët, ose budallenj).

Në këtë kundërshti u lëshuan dy ekonomistë, Raymond Fisman i Columbia University dhe Edward Miguel i Berkeley University, me një studim të vitit 2006 i cili qe brilant dhe i parëndësishëm në masë pothuajse të njëjtë. Fisman dhe Miguel kuptuan se për t’i testuar të dyja teoritë rreth korrupsionit, në mënyrë ideale duhet të merrni njerëz anembanë botës, t’i vendosni ata në një komunitet ligjet e të cilit ata mund t’i injorojnë pa u ndëshkuar, pastaj të shikosh se kush mashtron dhe kush është i ndershëm. E pamundur? Aspak. Kombet e Bashkuara në Manhattan me përzemërsi i siguroi kaviet për një eksperiment të tillë. Imuniteti diplomatik nënkupton se gjobat e makinave për diplomatët nuk mund të imponohen, kështu që vendimi për të parkuar në mënyrë të ligjshme ose jo ishte çështje e ndërgjegjes së çdo njeriu. Fisman dhe Miguel gjetën se vendet me korrupsion endemik në vendin e tyre, siç matet nga organizata antikorrupsion Transparency International, përfaqësoheshin nga parkues të paligjshëm të zakonshëm. Çadi dhe Bangladeshi, shumë shpesh afër majës së renditjeve për “perceptimet e korrupsionit”, prodhuan më shumë se 2500 shkelje midis viteve 1997 dhe 2005. Nga ana tjetër, skandinavët puritanë kryen vetëm 12 parkime të paligjshme të papaguara dhe shumica e tyre përfshinte një mendje të vetme kriminale nga Finlanda. Me shikim të parë, kjo dëshmi mbështet pikëpamjen se vendet e varfra janë të korruptuara, sepse janë të mbushura plot me njerëz të korruptuar. Megjithatë, stimuluesit dukshëm që kanë rëndësi. Në vitin 2002, pas dekadash të tëra duke luajtur si macja me miun me Kombet e Bashkuara, New York City fitoi pushtet më të madh për të ndëshkuar diplomatët që nuk paguanin detyrimet (ish-senatorja e New York dhe tani Sekretare e Shtetit, Hillary Clinton, ka një pjesë të meritës për këtë ndryshim. Le të shpresojmë se diplomatët e botës të mos e përdorin këtë kundër ecjes përpara të Departamentit të Shtetit). Qyteti filloi t’i ngrinte makinat me pirun dhe Departamenti i Shtetit i hiqte gjobat nga buxhetet e majme të ndihmës së huaj. Pothuajse brenda natës, shkeljet e papaguara ranë në mënyrë dramatike. Kjo është gjë e mrekullueshme dhe historia tregohet në mënyrë argëtuese në vëllimin e ri e Fisman dhe Miguel, Economic Gangsters: Corruption, Violence, and the Poverty of Nations. E rekomandoj librin me gjithë zemër; ai është libër tërheqës, i shkruar në mënyrë të besueshme dhe përshkruan kërkim me interes të vërtetë. Megjithatë, ndërsa studimi i gjobave të makinave ilustron krijueshmërinë e autorëve, por gjithashtu ndriçon kufizimet e tyre. Unë nuk mund të jem i vetmi njeri që kam admiruar studimin e tyre fillestar, vetëm për ta vënë mbi tavolinë, reflektuar për një çast dhe ngritur vetullat. Mësojmë diçka rreth diplomatëve, por a kemi mësuar vërtet ndonjë gjë për zhvillimin ekonomik? Akoma po përpiqem të vendos.

Kapitujt e tjerë përdorin një qëndrim të ngjashëm, duke e marrë një studim të zgjuar nga Fisman, Miguel apo të dy dhe ta shkruajnë me një theks më shumë tek narrativa sesa akademia. Economic Gangsters i përballon dy problemet e mëdha “institucionale” të ekonomisë së zhvillimit – korrupsion dhe dhunë – nëpërmjet një serie karikaturash të bazuara në kërkime që studiojnë vlerën e lidhjeve politike, kontrabandën midis Kinës dhe Hong Kongut, lidhjet midis rënies së shirave dhe luftës civile, vrasjes së shtrigave në Afrikë dhe rindërtimit të Vietnamit pas “luftës amerikane”. Libri kufizohet nga kapitulli hyrës dhe përmbyllës që lirisht e mbajnë historinë së bashku dhe argumentojnë se debatet e mëdha rreth ndihmës së huaj dhe zhvillimit ekonomik nuk mund të zgjidhen pa punë të kujdesshme investiguese të tilla si ajo që ofrohet tek Economic Gangsters. Për shembull, duke përmbledhur një polemikë zhvillimi, ata konkludojnë se “të dyja pikëpamjet janë të arsyeshme, por për momentin janë vetëm teori. Ajo çka për të cilën kemi vërtet nevojë, janë përgjigje praktike më të mira. Këtu futet kërkimi dhe libri ynë”. Një pretendim i tillë është paksa mashtrues: Ndërsa është e vërtetë se kërkohet punë e kujdesshme empirike për t’i zgjidhur këto debate dhe ndërsa është e vërtetë se Fisman dhe Miguel e kanë bërë një punë të tillë, ajo nuk është lloji i punës që ka gjasa të zgjidhë kundërshtitë e mëdha. Ekonomisti i Princeton, Alan Krueger, ka nënvizuar kohët e fundit atë që ai e quan “ekonomi tektonike”, kërkim që studion ndryshimet sizmike në shoqëri. Kërkimi i turpshëm i Steven Levitt dhe John Donahue lidhur me abortin dhe krimin është shembulli universal. Levitt dhe Donahue konkludojnë se legalizimi i abortit i ka reduktuar përqindjet e krimeve pothuajse dy dekada më vonë, ndoshta nëpërmjet reduktimit të numrit të fëmijëve të padëshiruar. Në të vërtetë ky ndryshim është “tektonik”: një ndryshim ligjor i papritur dhe deformues që dukej se do të prodhonte pasoja domethënëse shumë vite më vonë. Sipas Krueger, ata që ndjekin ekonomi tektonike, veprojnë kështu “për shkak të frustrimit që eksperimentet e rastit dhe natyrore shpesh na japin një përgjigje bindëse, por ndaj një pyetjeje të kufizuar”. Njëlloj si të gjithë ekonomistët, Fisman dhe Miguel përpiqen njëherazi për përgjigje bindëse dhe pyetje të mëdha, por kur detyrohen që të zgjedhin midis saktësisë dhe qëllimit, ata zgjedhin çdo herë të parën. Ky nuk është domosdoshmërisht qëndrimi i gabuar, por është gjë me vlerë për të krahasuar autorët e rinj me dy gjigandët e fushës, karizmatikun Jeffrey Sachs (sigurisht ekonomisti i zhvillimit më i famshëm i botës) dhe Daron Acemoglu, fituesin e medaljes “John Bates Clark” më të rrallë se çmimi “Nobel”, e cila i jepet çdo vit një ekonomisti të zoti nën moshën 40 vjeç. Sachs dhe Acemoglu e ngrenë çështjen nëse institucionet vlejnë në mënyra shumë të ndryshme.

Një dekadë më parë, Sachs dhe dy kolegë botuan një kërkim ku argumentonin se vendet e varfra janë të varfra pjesërisht për shkak të dizavantazheve gjeografike të tyre. Klimat tropikale nxisin malarien; dherat e varfra nuk mund të bëhen pjellore pa plehra të kushtueshme; tregjet potenciale janë shumë larg dhe vendet tropikale të rrethuara vetëm me tokë sigurisht që tentojnë të jenë të varfra. Acemoglu mbështet një pikëpamje tjetër, duke akuzuar institucionet dhe jo gjeografinë për moszhvillimin. Shtetet e Bashkuara qenë dikur një vend i zhvilluar, larg nga tregjet potenciale. Tani është tregu nga i cili matet izolimi i çdo vendi tjetër. Australia dhe Zelanda e Re e largët janë gjithashtu vende të begata. Sëmundjet nuk janë një konstante gjeografike, por diçka që vendet e pasura mund të luftojnë; koeficentët e vdekshmërisë në qytetet amerikane plot sëmundje të shekullit XIX qenë të tmerrshme. Diçka ndodhi që e ndryshoi këtë dhe sigurisht që nuk qe gjeografia. Acemoglu (bashkë me kolegët e tij, Simon Johnson dhe James Robinson) nuk e mohojnë faktin se sëmundje infektive e kanë lënë gjurmën e tyre në rritjen ekonomike. Pretendimi i tij është se ato vepruan njëlloj shekuj më parë. Sëmundjet tropikale, veçanërisht malaria dhe ethja e verdhë, qenë aq vdekjeprurëse për banorët kolonialë saqë autoritetet britanike, sipas parashikimeve të Beauchamp Committee në vitin 1795, vendosën se Gambia dhe Afrika Jugperëndimore qenë shumë të rrezikshme edhe si një vend qëndrimi për të dënuarit (në vend të tyre, ata u transportuan në Australi). Në një ekspeditë të drejtuar nga skocezët nëpër Afrikë në fillimet e shekullit XIX, çdo evropian vdiq. Në total, 40 për qind deri në 50 për qind e kolonëve evropianë në Afrikë ndërruan jetë brenda 12 muajsh nga vajtja. Për vendasit, këto sëmundje qenë më pak të rrezikshme. Acemoglu vëren se trupat vendase që shërbenin në ushtrinë britanike në Indi, vuanin nga koeficientë vdekshmërie të ngjashëm me ata të trupave britanike që shërbenin në Britani, por për trupat britanike në Indi, përqindjet e vdekjeve qenë 10 herë më të mëdha. Me pak fjalë, evropianët preferuan që të vendoseshin në klimat më të sigurta të asaj që eventualisht do të bëheshin Australia, Kanadaja, Zelandë e Re dhe Shtetet e Bashkuara. Për shembull, etërit pelegrinë planifikuan që të udhëtonin për në Guajanë, në kufijtë veriorë të Brazilit, përpara se të vendosnin që New England do të ishte një zgjedhje më e zgjuar. Me kolonët që hiqnin dorë nga territori tropikal, fuqitë kolonialiste evropiane vendosën në vend të kësaj që të krijonin institucione tejet shfrytëzuese atje, të llogaritura që të sillnin sa më shumë metale të çmuara, dhëmbë të fildishtë dhe skllevër në kohë më të shkurtër të mundshme. Kolonitë – Zelanda e Re, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Australia – eventualisht u bënë të pavarura, me institucione politike të kënaqshme të konceptuara për të mbrojtur pronën private dhe respektuar ligjin. Kur ekonomitë tropikale u bënë të pavarura, institucionet e tyre të reja politike vazhduan që të thithnin çdo qindarkë të fitimit afatshkurtër dhe ta kanalizonin atë për njerëzit në krye. Përderisa sistemet politike dhe ekonomike janë të vështira për t’u ndryshuar, sistemet e këtyre ish-kolonive kanë sot një ngjashmëri familjare të fuqishme të sistemeve që kishin pasur në kohën e pavarësisë. Nuk ekzistojnë vlerësime për të gjetur se cilat institucione promovojnë rritje ekonomike dhe cilat inkurajojnë korrupsion dhe dhunë.

Kontrasti midis mosmarrëveshjes Sachs-Acemoglu dhe qëndrimit Fisman-Miguel është goditës. Rezultate të famshme “tektonike”, të tilla si gjetjet e Levitt lidhur me abortin dhe krimin apo studimi i Acemoglu për institucionet dhe vdekshmërinë e kolonëve, kontestohen fuqishëm nga kërkues të tjerë. Kjo nuk është për t’u habitur: Ata janë thelbësisht të hapur ndaj sfidës për shkak të rrezes së pyetjes dhe nevojës për teknika të sofistikuara statistikore dhe interpretim të kujdesshëm të të dhënave bruto. Askush nuk po argumenton rreth analizës statistikore të kryer në studimin për gjobën e makinave. Në vend të kësaj, ekonomistët debatojnë nëse sjellja e diplomatëve na tregon ndonjë gjë rreth asaj çka realisht dëshirojmë të dimë, domethënë, si të luftohet korrupsioni. Fisman dhe Miguel kanë moton e tyre: Studimi i gjobës së makinave tregon se “sjellja e korruptuar është rrënjësisht e ngulitur në kulturë dhe jo gjë e vogël për t’u shkulur”. Kjo është e besueshme, por sigurisht jo e provuar. Do të ishte e pandershme të sugjeroje se Fisman dhe Miguel janë ekonomistë bonsai, që prodhojnë studime të mrekullueshme miniaturë dhe asgjë më shumë. Ambiciet e tyre më të mëdha janë më të natyrshme në kapitullin e 5-të dhe të 6-të, në të cilët ata shpalosin dëshmi se thatësira apo rëniet e tepruara të shirave fillimisht çojnë në zi buke, më pas në luftë civile dhe në forma të tjera më të habitshme dhune, të tilla si vrasja e shtrigave. Në mënyrë bindëse ata argumentojnë se kolapset në të ardhurat rurale ndihmuan që të shpërthejë dhunë në Darfur, Çad dhe Ruandë. Pastaj ata shpalosin rastin e shpikjen e Miguel, “Rapid Conflict Prevention Support”. RCPS-ja është ndihmë e huaj e përqendruar në punësimin e të rinjve – më të mundshmit për të rrokur armët në kohë zije – dhe sigurimin e ushqimeve për familjet rurale, që ka më shumë të ngjarë të vrasin gjyshe dhe teze të moshuara të pashpresa kur mungon ushqimi. RCPS-ja është ndihmë humanitare, por synon nga parandalimi më shumë sesa nga kurimi. Kurdoherë që modelet e rënies së shirave tregojnë se zija e bukës është e pritshme, donatorët dërgojnë para për ta shmangur dhunën përpara se të fillojë dhe, për shkak se rënia e shirave nuk mund të kontrollohet, diktatorët nuk mund ta manipulojnë për të fituar fluks më të madh ndihme të huaj. Fisman dhe Miguel besojnë se kurrikuli i gjatë i Botsvanës për rritje të fuqishme ekonomike është ruajtur nga një program i brendshëm ndihmash thatësire. Ideja mund ose mund të mos jetë e zbatueshme në shkallë ndërkombëtare, por sigurisht që nuk i mungon ambicia. Megjithatë, në total, kërkimi i Fisman dhe i Miguel hedh një rreze drite më shumë sesa një dritë të plotë në problemet e zhvillimit. Ndoshta e kanë të drejtë që veprojnë kështu. Jo çdonjëri mund të jetë Daron Acemoglu apo Steven Levitt dhe sigurisht që është më mirë t’i përgjigjesh mirë një pyetjeje të vogël sesa t’i përgjigjesh një pyetjeje të madhe keq. Ndërmarrja e hapave të vegjël nuk është vetëm një strategji kërkimore, ajo është edhe një strategji zhvillimi. Skeptiku i ndihmave, William Easterly, është ankuar se burokracitë qeveritare më shumë do të donin të përballonin një problem të madh të vagullt sesa një të vogël specifik. Misionet e agjencive të ndihmës janë larguar nga gjëra që mund të arrihen dhe matur me gjërat që nuk mund të arrihen. Easterly nuk e pëlqen retorikën utopike të Jeffrey Sachs dhe argumenton se zhvillimi është më mirë t’u lihet përpjekjeve të improvizuara nga poshtë – lart që mund të vlerësohen në mënyrë rigoroze ose (akoma më mirë) t’i nënshtrohen një testi tregu.

Në kapitullin e fundit, Fisman dhe Miguel e mbështesin në mënyrë implicite pikëpamjen e ndryshimit sipas shkallëve të Easterly. Me elegancë ata qortojnë Millennium Village Project tërësisht ambicioz të Sachs – një përpjekje që financon klinika, shkolla, teknika të reja bujqësore dhe investime të tjera simultane në “fshatra model” – për shkak se nuk është krijuar për të lejuar vlerësime të rastit. Ata mbështesin përdorimin e eksperimenteve të rastësishme për projekte ndihmash të vogla anembanë botës. Megjithëse ky kapitull i fundit largohet nga çështjet e korrupsionit me të cilin libri fillon, ia vlen të lexohet. Përpjekje të tilla vlerësuese, ashtu si libri vetë, janë domosdoshmërisht graduale. Për shkak se një eksperiment i rastit ofron dëshmi bindëse lidhur me atë se çfarë funksionon, por jo pse funksionon, mësimet nga vlerësime të tilla tentojnë të jenë të vështira për t’u transportuar në një kontekst të ndryshëm. Është shumë frustues për evangjelistët e mëdhenj të ndihmave dhe nuk është shumë më i mirë për ata lexues që preferojnë libra, të cilët ofrojnë koncepte të mëdha. Economic Gangsters nuk përmban asnjë të tillë. Ndërsa vështrimi ndaj korrupsionit, kontrabandimit apo dhunës totale është një vizion i copëtuar i një bote të copëtuar dhe të gjitha të mirat për këtë.

Tim Harford shkruan rubrikën “Undercover Economist” tek “Financial Times”.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›