Shkodër, breshëri në rrugë, vritet klienti në lokal
SHKODER- Një person u qëllua mbrëmë me armë zjarri në Shkodër. Nadir Çuku, 45 vjeç, ndërroi jetë në spital pas një plage që mori në trup. Sipas policisë, ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22:30 në lagjen "Dugajt e Reja" në Shkodër. Mësohet se viktima është qëlluar me një armë automatike, ndërsa ai ishte ulur në ambientet e jashtme të një picerie. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në sajë të hetimeve paraprake rezultoi se objektiv i kësaj vrasjeje kishin qenë dy persona të tjerë, ndërsa 45-vjeçari ishte viktimë e rastësishme. Burime nga policia e Shkodrës bënë të ditur se në sajë të hetimeve dhe të deponimeve të dëshmitarëve, dy persona, të cilët po lëviznin në këmbë kanë shtënë me breshëri ndaj një mjeti që po kalonte në ato momente rrëzë tyre. Duket se objektivi i tyre ka arritur të manovrojë shumë shpejt e t'iu shpëtojë plumbave. Por njëri prej këtyre plumbave ka qëlluar klientin e lokalit, i cili fillimisht mësohet se ishte plagosur rëndë. Me gjithë ndihmën e marrë në spitalin e Shkodrës, 45-vjeçari nuk ka mundur t'i shpëtojë plagës. Ngjarja e mbrëmshme në mes të qytetit të Shkodrës terrorizoi kalimtarët e dhe klientët e lokalit, ku edhe mbeti një viktimë. Policia bëri të ditur se pak pas ngjarjes është arritur të ndalohet mjeti që ishte objektivi i autorëve të kësaj ngjarjeje. Blutë nuk bënë të ditur emrat e dy personave që janë ndodhur në makinë. Mësohet se ata janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje për konflikte të mundshme të tyre, me qëllim identifikimin e autorëve, të cilët sipas dëshmitarëve janë larguar me këmbë, duke u futur rrugicave të qytetit. r.d