E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov president, eviton raundin e tretë me 2 për qind

 

George Ivanov do të jetë presidenti i ri i Maqedonisë, kështu u vendos në votimin e dytë që shpëtoi për vetëm 2 për qind të pjesëmarrjes, nga kthimi në një raund të ri zgjedhor. Zgjedhjet u vlerësuan si të vlefshme, pa skandale dhe incidente dhe morën nota pozitive nga OSBE dhe ODIHR për mënyrën demokratike të zhvillimit të tyre. Këto zgjedhje konsideroheshin mjaft të rëndësishme për Maqedoninë, pasi vendi është në valë anëtarësimi  në BE e në NATO dhe autoritetet evropiane dhe ato të Aleancës së Atlantikut të Veriut kishin kërkuar me ngulm një situatë të qetë e të rregullt zgjedhore. “Sipas rezultateve të para zyrtare, për presidentin e shtetit kanë votuar 42.86 për qind nga trupi i përgjithshëm elektoral”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakoski, duke shpallur fitues George Ivanovin, kandidatin e VMRO DPMNE-së. Pas kësaj, presidenti i ri në një atmosferë festive ka falënderuar të gjithë qytetarët e Maqedonisë për mbajtjen e zgjedhjeve në frymë demokratike dhe ka theksuar se do të angazhohet për një të ardhme evropiane për Maqedoninë. “Me organizimin e zgjedhjeve me standard të lartë demokratik, ka fituar para së gjithash Maqedonia. Qytetarët e dhanë me sukses provimin demokratik”, tha kryeministri Nikolla Gruevski, duke shpallur fitore dhe në 55 komuna të Maqedonisë. Rezultatin e zgjedhjeve e ka pranuar opozita maqedonase me kandidatin Ljubomir Fërçkovski, nga Lidhja Social-demokrate. “LSDM pranon vullnetin e shprehur të qytetarëve, por duhet të theksoj se zgjedhjet ishin të qeta, por aspak demokratike, për shkak të presionit permanent të ushtruar nga partia në pushtet ndaj votuesve”, ka deklaruar kryetari i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Edhe votimi nëpër komuna ka kaluar pa incidente të rënda. Megjithatë rezultati i zgjedhjeve ishte i papritur për Bashkimin Demokratik për Integrim. BDI humbi fitoren e komunës së Tetovës dhe asaj të Gostivarit, duke mundur të marrë prej zonave të mëdha shqiptare një fitore në Strugë. Në Tetovë, në sheshin e qytetit ka festuar fitoren kandidati i opozitës nga Partia Demokratike Shqiptare, Sadi Bexheti. “Ia kthyet Tetovën, tetovarëve. Merita ju takon juve, ngase ju sot mundët Qeverinë e Maqedonisë”, ka thënë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Ndërsa kandidati i pavarur, Rufi Osmani, ka shënuar fitore të thellë në komunën e Gostivarit. Struga do të udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Ramiz Merko, ka bërë të ditur shefi i shtabit zgjedhor nga kjo parti, Gëzim Ostreni, duke shpallur fitore në më shumë komuna shqiptare: Çairi, Tearca, Bog-ovinë, Brvenica, Vrapçishti, Likova, Dibra, Zajazi, Osllo-mea, Pllasnica dhe Saraji. Pasi ka shpallur fitoren në komunën e Haraçinës, Sulejman Rushiti, nga Demokracia e Re, tha se partia e tij si subjekt i ri politik ka kontribuar në instalimin e demokracisë në shoqërinë shqiptare. Fitues i madh i zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni konsiderohet VMRO DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski. Kjo parti gjithashtu fitoi 55 nga 84 sa janë gjithsej, kundrejt nëntë të opozitës. Elektorati shqiptar thuajse nuk votoi për zgjedhjet për president.

Komunat

VMRO-DPMNE     55 komuna
BDI             12 komuna
Të tjerë         17 komuna

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›